Mesazh i Dekanit FHF për organizimin e mësimit online
Të dashur studentë,
Stafi akademik, ndihmësakademik dhe administrativ i FHF-së uron që ju dhe familjet tuaja të jeni mirë dhe të keni energji e vullnet për të kapëcyer këtë situatë të paprecedent. Për ne dhe për të ardhmen e kombit, shëndeti juaj është parësor.
Kemi punuar gjatë gjithë kësaj kohe për të identifikuar mënyrat më të mira për të garantuar përmbushjen e objektivave të Programeve Mësimore. Kemi diskutuar gjerësisht me autoritetet drejtuese dhe pedagogët tuaj, me kryetaren e palodhur të Zyrës së IT-së dhe stafin tjetën ndihmës akademik dhe administrativ, me autoritetet drejtuese të UT-së dhe MASR-së, me qëllim përgatitjen e një Plani Pune të hollësishëm dhe për hapat që do të duhej të ndërmerreshin për organizimin e mësimit online.
Më datën 17.03.2020, të gjithë bashkë, krijuam një Grup Operativ Pune në nivel Fakulteti të përbërë nga 12 pedagogë (dy për çdo departament), gjegjësisht: E. Ndreçka, O. Mane, R. Çipuri, E. Luku, S. Papathimiu, E. Begu, L. Meniku, F. Koleci, V. Osja, E. Doçe, Ç. Duro dhe A. Rembeci, të gjithë të aftë e të devotshëm për të kontribuar për organizimin dhe mbarëvajtjen e punëve për mësimin online.
Është krijuar dhe funksionon një Grup Teknik Pune, i përbërë nga Kryetarja e Zyrës IT-së, znj. E. Çifliku, laborantet e departamenteve dhe stafi i Sekretarisë Mësimore, i cili është maksimalisht i përkushtuar për gjetjen e informacionit, përzgjedhjen e platformës dhe të gjitha procedurat e tjera teknike.
Që nga momenti i krijimit, grupet e punës janë në aktivitet të vazhdueshëm. Janë shqyrtuar me kujdes mundësitë teknologjike që ofrojnë platformat online, me qëllim që të identifikohej e përzgjidhej më funksionalja, më praktikja më e thjeshta për përdorim nga studentët dhe pedagogët. Objektivi ynë mbetet gjithmonë përcjellja e njohurive bashkëkohore tek ju, të dashur studentë, në mënyrën më të mirë të mundshme. Prioriteti ynë jeni ju.
Pas diskutimeve në çdo departament, nën drejtimin kompetent të autoriteteve drejtuese dhe konsultimeve të vazhdueshme në nivel fakulteti, vendimet janë marrë nga Dekanati, i cili tani vepron edhe si një “Grup Drejtues Pune” në kushtet e emergjencës. Vendimet janë përcjellë në Rektorat, përmes postës elektronike.
Deri më tani, në procesin e mësimdhënies në FHF janë përdorur platformat Google Classroom dhe Moodle nga kolegë të departamenteve të Gjeografisë, Historisë, Gazetarisë dhe Komunikimit, Arkeologjisë dhe TK etj. Meqënëse Platforma Moodle kërkon trajnim më të detajuar për përdorim, vendosëm të identifikojmë si më të përshtatshme për mësimin online Platformën Google Classroom. Gjithsesi, u vendos të mos pengohet përdorimi i platformave dhe mënyrave të tjera të mësimit online, pas miratimit nga autoritetet dhe organet kompetente.
Që prej datës 19.03.2020 kemi kërkuar fillimin e punës paralelisht për sigurimin e të dhënave për secilin, krijimin e klasave mësimore sipas orarit etj. Mbetet edhe pak për t’u bërë, por shpresojmë që testimi i sistemit të fillojë ditën e martë, datë 24.03.2020. Shumë shpejt do të kontaktoheni për të verifikuar dhe plotësuar të dhënat tuaja, por jeni të lutur të komunikoni me stafin e Sekretarisë Mësimore apo këdo tjetër në FHF, për të dhënë çdo informacion që e shihni të nevojshëm për të krijuar klasat online dhe zhvillimin normalisht të procesit.
Ndërkohë sot, datë 20.03.2020, na është pëcjellë Urdhëri i Rektorit për zhvillimin e mësimit në platformat online, të cilin mund ta gjeni në Faqen Zyrtare të FHF-së dhe UT-së.
Ju sigurojmë se çdo gjë do të jetë e thjeshtë për t’u përdorur nga ju. Mësimi do të zhvillohet online sipas orarit që do të bëhet publik shumë shpejt. Leksionet do të keni mundësi t’i ndiqni drejtpërdrejt ose t’i shkarkoni nga platforma, kur të keni mundësi. Në raste të veçanta mund të përdoret edhe komunikimi përmes e-mail-eve.
Do të bëjmë ç’të kemi në dore që askush prej jush të mos mbetet pa kontakt me literaturën dhe me pedagogun e lëndës.
Në vijim do të tentojmë të krijojmë një forum diskutimi, ku ju të jepni propozimet tuaja për gjithë procesin.
Vazhdoni të besoni tek ne, siç besojmë ne tek ju! Të gjithë bashkë do t’ia dalim!
Duke ju uruar shëndet dhe shumë suksese,
Prof. dr. Sabri LAÇI, Dekan i FHF-së