Mbahet konferenca shkencore ndërkombëtare “Shaban Demiraj, personalitet i gjuhësisë, arsimit dhe i kulturës shqiptare”
Sot, më 30 tetor 2020, Departamenti i Gjuhësisë i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, UT, organizoi konferencën shkencore ndërkombëtare “Shaban Demiraj, personalitet i gjuhësisë, arsimit dhe i kulturës shqiptare” ku morën pjesë kolegë e studiues nga Departamenti i Gjuhësisë, Akademia e Studimeve Albanologjike, Universiteti i Shkodrës, Vlorës dhe Korçës, studiues të njohur nga Maqedonia e Veriut, Gjermania, Italia, Greqia, Bullgaria etj. dhe familjarë, të cilët ndanë çaste të rëndësishme nga jeta familjare dhe profesionale e profesorit të nderuar.
Konferencën e çeli Prof. dr. Shezai Rrokaj, i cili bëri një paraqitje të jetës shkencore të prof. Shaban Demirajt dhe më tej u vijua me fjalë përshëndetëse nga zv/rektorja e Universitetit të Tiranës, Prof. dr. Esmeralda Kromidha, zv/dekania e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Dr. Elsa Rakipllari dhe Drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, Prof. dr. Valter Memisha.
Në emër të familjes dhe si studiues i veprës së prof. Shabanit, përshëndeti Prof. dr. Bardhyl Demiraj.
Konferenca i vijoi punimet me dy sesionet shkencore, ku paraqitën studimet e tyre rreth 36 kumtues. Kumtuesit e ftuar nga jashtë, në pamundësi për të ardhur në konferencë për shkak të rrethanave të pandemisë Covid-19, dërguan videot e kumtesave të lexuara prej tyre, të cilat u shfaqën për të pranishmit. Temat e trajtuara ishin të larmishme, ashtu siç ishte dhe veprimtaria shkencore e Akademikut Shaban Demiraj. Nisur nga çështjet e vëna në dukje nga kumtuesit mund t’i përmbledhim në këto tematika:
- Prof. Shaban Demiraj dhe gramatika historike.
- Çështja e etnogjenezës në veprën e prof. Shaban Demirajt.
- Gjuhësia ballkanike.
- Fonetika dhe fonologjia historike.
- Shaban Demiraj për historinë e gjuhës së shkruar.
- Shaban Demiraj për gjuhën standarde dhe kulturën e gjuhës.
- Arbëreshët dhe arbërishtja në veprën e prof. Shaban Demirajt.
- Kontributi i prof. Shaban Demirajt në arsimin shqiptar.
Në fund të konferencës u mbajt rubrika e pyetjeve dhe diskutimeve. Për nder të profesor Shaban Demirajt, me propozim të Departamentit të Gjuhësisë, dhe miratim të Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës, Auditori 210 në Fakultet do të mbajë emrin “Shaban Demiraj” Sakaq, konferenca e sotme ishte një ndër aktivitetet dhe veprimtaritë me anë të së cilave, Departamenti i Gjuhësisë vijon të çojë më tej traditën e shkëlqyer studimore e shkencore në fushë të Albanologjisë.