Mbahet forumi studentor III në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë me temë “Klubet studentore dhe jeta universitare”
Më 16 dhjetor 2022, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë organizoi Forumin studentor (III) me temë “Klubet studentore dhe jeta universitare”.
Në fjalën e përshëndetjes, zv.Dekania e Fakultetit, Dr. Elsa Rakipllari, ndër të tjera tha, se ky Forum është kthyer tashmë në një traditë dhe se ky është viti i tretë që realizohet, ndaj për këtë falënderoi grupin organizator, të përbërë nga kolegë, nga anëtarë të Këshillit Studentor dhe studentë të angazhuar. Zv. Dekania, ndër të tjera, theksoi se “ky Forum është tregues se këta të rinj janë një shembull i shkëlqyer; kanë talent, kanë prirje, pasione, kanë shumë dëshira, mjafton vetëm që t’iu tregojmë rrugën, t’u japim mundësinë e t’i orientojmë në funksion të gjëravë të bukura që bëjnë sot forumet e klubet studentore”.
Në fjalën përshëndetëse Dekani i Fakultetit, prof.dr. Sabri Laçi, u shpreh se aktivitetet studentore në FHF janë shtuar. Ato kanë të bëjnë me mobilitete, me hulumtime, konkurse dhe forume të tilla janë të rëndësishme, sepse studentët demonstrojnë dijet e tyre, ballafaqimin e ideve, referimeve dhe artikujve, dhe kjo i shërbën formimit të tyre si hulumtues në të ardhmen. Dekani theksoi në veçanti se “Universiteti është mjaft i hapur, aktivitetet po gëlojnë dhe jo vetëm të kësaj natyre, por edhe të natyrave sportive, me rastin e 65-vjetorit të Univeritetit të Tiranës, dhe se të gjitha llojet e aktiviteteve të organizuara nga ju studentë, na bëjnë të ndihemi mirë”.
Për të përshëndetur këtë Forum ishte i pranishëm edhe zv.Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, prof.dr. Fatmir Memaj, i cili përgëzoi kolegët dhe studentët për këtë traditë të krijuar të Forumit Studentor dhe iu përcolli atyre mesazhin se duhet të tregohen këmbëngulës në rrugën e dijes dhe të karrierës.
Në emër të Këshillit Studentor, studenti Leonard Gjeta, përshëndeti pjesëmarrësit dhe theksoi ndër të tjera se “Klubet Studentore dhe Këshilli Studentor, falë mbështetjes së pakushtëzuar nga pedagogët, kanë zgjidhur shumë problematika që lidhen me jetën universitare. Ky Forum është dëshmi për vullnetin e mirë të bashkëpunimit drejtues-studentë, dhe se vetëm duke bashkëpunuar e duke respektuar potencialin e njëri-tjetrit mund të shkojmë shumë larg”.
Punimet e forumit u mbajtën në dy seanca. Seanca e parë u drejtua nga Prof.asoc.dr. Anila Çepani dhe studenti i drejtësisë Dhimitër Zguro, dhe studentët e FHF-së Liljana Myrtaj e Eduard Bardhi, ku u trajtuan tema si: klubet studentore e angazhimet e studentëve jetën kulturore, në trashëgiminë kulturore, në krijimtari dhe në promovimin e talenteve të reja.
Seanca e dytë u drejtua nga pedagogët Erblin Jaku e Dritan Lloçi dhe studentët Ani Turhani e Desada Xhetani. Në këtë seancë u trajtuan shkollat verore dhe tematikat e tyre, klubet e ndryshme studentore të Fakultetit, aktivitetet e Departamenteve të Fakultetit ku përfshihen studentët, si dhe ide e mendime për formate të tjera aktivitetesh. Prurje interesante erdhën edhe nga referimet e studentëve të fakulteteve dhe universiteteve të tjera, që ndanë përvojat e tyre me klubet e organizimet e tjera.
Kumtesat e plota të Forumit studentor III do të botohen në një vëllim të posaçëm, siç ka ndodhur edhe vitet e tjera. Forumi Studentor synon ta vijojë këtë traditë të çmuar me në qendër studentin, orientimin e tij, angazhimin maksimal gjatë periudhës universitare, me qëllim zbulimin e potencialit të tij dhe kultivimin e aftësive të një qytetari të denjë e kontribues në shoqëri.