Mbahet Forumi Studentor II në FHF “Aktivizmi Rinor dhe Demokracia”


Më 8 dhjetor 2021, me rastin e Ditës Kombëtare të Rinisë, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë organizoi Forumin Studentor (II), me temë “Aktivizmi rinor dhe demokracia”.

Në fjalën hapëse të forumit zv/dekania e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë Dr. Elsa Skënderi Rakipllari, ndër të tjera tha se: “ Sot, në Ditën kombëtare të rinisë ne kemi zgjedhur të trajtojmë pikërisht temën e “Aktivizmit rinor dhe demokracisë”, sepse unë si lektore e re, e lindur pikërisht 31 vjet më parë, kolegët e mi të çmuar, një pjesë e të cilëve ish-studentë të 90-s, studentët e mi, me të cilët kemi punuar për organizimin e këtij forumi, ne të gjithë besojmë fort, që sfidat e demokracisë e të shoqërisë sonë, mund të zgjidhen falë angazhimit dhe aktivizmit rinor. Nëse 31 vite më parë, të pagojët, e ngritën zërin deri në kupë të qiellit, ne sot në një shoqëri që ka lirinë e fjalës, nuk duhet të heshtim“.

Në emër të Rektorit të Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha, punimet e forumit i përshëndeti Dekani i Fakultetit të Drejtësisë , Prof. Ilir Rusi, i cili përcolli urimet e Rektorit, dhe theksoi se Dita Kombëtare e Rinisë duhet të kujtohet si dita kur fitoi demokracia dhe se Universiteti i Tiranës po punon intensivisht për të garantuar aspiratat e studentëve e stafit akademik për arsim më cilësor nëpërmjet ndërkombëtarizimit dhe ofrimit të programeve të studimit edhe në gjuhë të huaj.  Gjithashtu, gjatë fjalës së tij, Prof. Rusi u ndal te procesi zgjedhor i Këshillave studentorë në UT, si një proces që shenjon më së miri demokracinë e brendshme të Universitetit të Tiranës.

Dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, prof. Dr. Sabri Laçi në fjalën e tij tha se “pjesëmarrja e gjerë në këto forum tregon se ndjeshmëria studentore ndaj çështjeve të demokracisë është e madhe. Në fakt sa i përket demokracisë së brendshme, institucionale dhe të drejtave të studentëve, gjatë tri dekadave të fundit janë shënuar një sërë arritjesh. Studentët kanë të drejtë të shprehin lirshëm mendimin e tyre për programet studimore, botimet dhe gjithë punët në universitet. Ata kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen në organet zgjedhore dhe vendimmarrëse, si senati akademik, bordi i administrimit të Universitetit. Ata kanë të drejtën e organizimit dhe protestës, të monitorimit dhe të denconcimit të gjithçkaje dhe të gjithkujt që bie ndesh me parimet e demokracisë, ligjit, statutit apo rregulloreve të universitetit”.

Në forum morën pjesë si referues 31 studentë e ish-studentë, mes të cilëve edhe studentë të huaj nga Ballkani Perëndimor. Referimet e studentëve do të bëhen pjesë e një vëllimi të posaçëm që do të botohet brenda këtij viti.

E veçanta e forumit të dytë studentor qe paneli i përbërë nga pesë aktivistë të ftuar nderi: Mentor Kikia, Suela Koçibellinj, Blendi Salaj, Romina Ruda dhe Migen Qiraxhi, të cilët ndanë me studentët përvojat e tyre të aktivizmit dhe angazhimit social. Z. Kikia e vuri theksin tek rëndësia e kësaj dite duke theksuar se të rinjtë duhet të jenë gjithmonë kritik pasi demokracia ka nevojë për ta.

“Demokracia është kaq e brishtë sa duhet ruajtur natë e ditë ndaj është e nevojshme që ju të jeni sy e veshë e hapur. Cdo gjeneratë ka pergjegjesitë e veta, në protesten e organizuar në 2019 thuhej se ka shpresë, ja u cuan studentët seërish sepse shoqëria ka nevojë të shkundet, sepse nëse nuk shkundet është e destinuar të keqqeveriset.

Në fakt dhjetori nuk është ditë feste, është një ditë para së cilës ne duhet të perulemi me respekt, por pa dyshim është një ditë që duhet mbajtur si ai pishtari ndezur, sepese demokracia ka gjithmonë nevojë për rininë dhe ku më shumë sesa në universitet rinia është një komunitet” tha Kikia në Forumin Studentor të FHF-së.

Për gazetarin Blendi Salaj të rinjtë duhet ta ngrenë gjithmonë zërin për çështje që i prekin ata, pasi ata kanë fuqi dhe mund të sjellin ndryshimin. Salaj, i pyetur nëse ka ndryshim mes të rinjve perëndimorë dhe shqiptarë, u shpreh: “Të rinjtë kanë të përbashkëta pavarësisht se ku jetojnë, rininë e bashkon koha, çështjet. Ju e keni fuqinë, ju e keni mundesine, ndryshe nga prindërit që kane frikë punën, ju nuk i keni frikërat ju nuk keni nga se të trembeni për ta ngritur zërin tuaj”.

Për aktivisten Suela Koçibellinj të rinjtë nuk duhet të largohen, por duhet të qëndrojnë në Shqipëri dhe të reagojnë ndaj çdo fenomeni që ndodh në vendin tonë. “Ne lindim aktiv, ndaj jemi të prirur për aktivizëm. Aktivizmi vjen në shumë forma: peticion, protestë, demonstratë, grevë urie. Aktivizmi është një ndjesi e brendshme. Është motivi që ju keni për të mos u bërë palë”, u shpreh Koçibellinj.

Ndërkohë të ftuar të tjerë në forum ishin edhe aktivistët Romina Ruda dhe Migen Qiraxhi. Ruda foli për aktivizmin si ndjesi e brendshme dhe u shpreh se nuk parapëlqen ta reklamojë me bujë aktivizmin e saj për çështje të ndryshme, por e bën atë si reagim normal. “Në shoqërinë shqiptare ndonjëherë ekziston një pasivitet i frikshëm. Por ne nuk mund të rrimë në hije për gjërat që bëjmë, që mendojmë. Aktivizmi është përgjegjësi qytetare”. Nga ana tjetër aktivisti Migen Qiraxhi, iu bëri thirrje studentëve që të angazhoheshin në vijimësi për më tepër të drejta dhe foli për aktivizmin për kauzën për një arsim më cilësor. Ai u shpreh se “Ashtu si studentët e dhjetorit kërkuan kërkesa bazike, ashtu duhet ta nisim edhe ne. Merrni përgjegjësitë tuaja. Duhet ta bëjmë vendin tonë më të mirë”.

Forumi studentor në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë synon të shndërrohet në një traditë të organizimeve me në qendër studentin dhe në një medium ku studentët kanë mundësi të shprehin pikëpamjet e tyre dhe të reflektojnë rreth çështjeve që përbëjnë interes për ata vetë, universitetin e mbarë shoqërinë.


Shpërnda lajmin: