Marrja, administrimi dhe përfundimi i statusit të studentit
Statusi i studentit fitohet me regjistrimin e tij në UT. Kandidati fitues ka të drejtë të marrë statusin e studentit dhe ndjekë studimet në vitin akademik dhe në programin e studimeve ku ai ka fituar, nëse regjistrohet në sekretarinë mësimore të fakultetit përkatës brenda afateve të parashikuara e të shpallura. Për regjistrimin e tij studenti paraqet në sekretarinë mësimore të fakultetit, dokumentacionin e përcaktuar në udhëzimet përkatëse të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Nëse nuk regjistrohet në afatin, mënyrën e përcaktuar dhe kritereve të tjera të përcaktuara me udhëzime të Ministrisë së Arsimit dhe e Sportit, UT nuk merr përsipër ruajtjen e të drejtës së studimit.
Statusi i studentit përfundon me marrjen e diplomës. Statusi hiqet më parë me ç’regjistrim në këto raste:
1. Me urdhër të dekani bazuar në kërkesën e studentit për ç’regjistrim në formën e një deklarate të përpiluar para një noteri publik;
2. Me urdhër të dekanit kur vërtetohet se i kanë munguar ose ka humbur kushtet dhe kriteret për të drejtën e studimit;
3. Kur dënohet me burgim për një krim të rëndë, me dashje ose përsëritje;
4. Kur braktis pa shkak studimet dhe pa u ndjekur procedurat për ndërprerjen e studimeve;
5. Me urdhër të dekanit pas konsultimit me këshillin përkatës të studentëve për shkelje të rëndë ose të përsëritur të kësaj Rregulloreje ose rregullores së brendshme.
Studenti mund të ndërpresë studimet në çdo kohë të vitit vetëm për këto raste:
1. Kur sëmuret për periudha të gjata, të dokumentuara me raport komisioni mjeko-ligjor;
2. Në raste fatkeqësish familjare e në kushte ekonomike të vështira, të dokumentuara këto nga zyrat përkatëse të pushtetit lokal;
3. Në rastet kur studenti ndjek studime e kualifikime në institucione të tjera të arsimit të lartë vendas ose të huaj, me përjashtim të rasteve të parashikuara në nenin 63 të Statutit të UT-së.
Ndërprerja e studimeve deri në tre vjet bëhet me lejen e dekanit. Ndërprerja e studimeve mbi tre vjet bëhet me miratimin e Rektorit. Ndërprerja e studimeve fillon që nga momenti i miratimit të lejes nga dekani ose Rektori. Në të kundërt, studenti mban vetë përgjegjësi për pasojat. Midis studentit dhe dekanit ose Rektorit, nënshkruhet një marrëveshje për afatin e ndërprerjes së studimeve. Rikthimi i studentit, pas ndërprerjes së justifikuar të studimeve bëhet në fillim të çdo semestri, por jo më vonë se një muaj nga këto afate.
Studentit që ka ndërprerë studimet, i njihen të gjitha detyrimet e shlyera në vitin që është shkëputur. Ai i nënshtrohet detyrimeve të programit mësimor që gjen pas rifillimit të studimeve. Për të garantuar mosvjetërimin e dijeve dhe azhornimin e tyre nga studentët që kanë ndërprerë përkohësisht studimet, ata i nënshtrohen kontrollit për verifikimin dhe vlerësimin periodik të tyre. Studentëve të cilëve iu kanë zgjatur studimet për më shumë së tre vjet përtej kohës normale të fitimit të diplomës, për një program të caktuar studimi, para dhënies së tezës së diplomës iu kontrollohen kreditet e fituara.