Java e orientimit: Studentët njihen me bibliotekën e FHF-së
Në kuadër të javës së orientimit, studentët e vitit të parë dhe të dytë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, po njihen me mjediset, fondin dhe shërbimet e ofruara nga biblioteka fizike e Fakultetit, si dhe biblioteka online JSTOR.
Përgjegjësja e Bibliotekës, zj. Teuta Sula, së bashku me stafin pritën studentët dhe i informuan ata rreth shërbimeve që mund të marrin pranë bibliotekës, mënyrën si mund të kërkojnë për librin që iu duhet, duke përdorur sistemin bibliografik elektronik COBISS.NET si dhe për metodën si kërkohen manualisht skedarët. Zj. Sula theksoi se Biblioteka e FHF përfaqëson bibliotekën më të madhe dhe më të pasur universitare me rreth 51 000 tituj librash (rreth 156 000 ekzemplarë) dhe rreth 400 tituj periodikësh (rreth 4300 ekzemplarë). Stafi i bibliotekës shprehu gatishmërinë për të asistuar studentët për çdo kërkesë në lidhje me shërbimet që ofron Biblioteka.
Nga ana tjetër, Zj. Mirela Parangoni, Koordinatore e projektit CleanScore pranë FHF, i njohu studentët me mënyrën e aksesimit dhe të përdorimit të Bibliotekës digjitale JSTOR. Përmes kësaj biblioteke digjitale studentët kanë qasje në miliona artikuj, revista shkencore e libra në disiplina të larmishme si: art, shkenca humane, shkenca natyrore etj. Po ashtu, studentët e FHF-së mund të aksesojnë literaturë të larmishme edhe përmes platformës së bibliotekës digjitale ULIBRARY.