Monografia shkencore "Histori e shtypit arbëresh: nga zanafilla deri në ditët e sotme" bashkon këtë të enjte studiues të medias, pedagogë gazetarë e studentë në një takim promovues pranë Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit.
Studimi mbi zhvillimin historik të shtypit arbëreshë, që është realizuar nga Prof. Hamit Borici dhe Dr. Jolanda Lila, shtrihet në kohë prej gjysmës së parë të shek. XIX deri në ditët e sotme dhe paraqet në mënyrë të përmbledhur dhe analitike rrugëtimin e gazetarisë arbëreshe, si një dëshmi e gjallë e identitetit, qëndresës dhe zhvillimit kulturor të diasporës arbëreshe.

Sikurse evidetojnë vetë autorët, ky botim nuk kufizohet vetëm tek arbëreshët e Italisë, por edhe tek arvanitasit në Greqi dhe arbneshët e Zarës në Kroaci. Për realizimin e kësaj monografie janë shqyrtuar një bazë të gjerë burimesh arkivore dhe bibliografike, janë kryer analiza të hollësishme të gazetave, revistave dhe botimeve më përfaqësuese të diasporës arbëreshe.
Monografia mbështetet në një qasje ndërdisiplinore dhe me vëmendje ndaj kontekstit historik, politik dhe shoqëror të secilës periudhë dhe përpiqet të hedhë dritë në faktin sesi shtypi arbëresh ka ndikuar në ruajtjen e gjuhës, në përçimin e vlerave kombëtare dhe në lidhjen me trungun amtar shqiptar.
Ky libër është botuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) dhe ka si recensentë akad. Floresha Dado dhe prof. Xhevat Lloshi. Studiuesja F. Dado në recensën e saj e vlerëson këtë botim si një studim të një rëndësie të veçantë, të sjellë në një rrokje tërësore, duke plotësuar një pjesë shumë të rëndësishme të studimeve mbi publicistikën mbarëhistorike shqiptare dhe, posaçërisht, të vlerave historike të kontributit të publicistëve dhe botuesve arbëreshë të Italisë. Ndërsa Prof. Xhevat Lloshi e vlerëson studimin në radhë të parë për sistematizimin e një prodhimtarie gjatë një shekulli e gjysmë, shoqëruar me informacion konkret për organet përkatëse të shtypit, si dhe për disa nga publicistët që i krijuan e i drejtuan ato, dhe së fundmi, sjell të dhëna të reja, të panjohura dhe të pabotuara më parë.
Aktiviteti promovues i këtij botimi mbahet ditën e enjte, në orën 11.00, në ambientet e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit.
Më të fundit