FHF: Nisi sot takimet me maturantët në kuadër të Ditëve të Informimit
Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë nisi sot takimet me maturantët në kuadër të Ditëve të Informimit. Zëvendësdekanët Dr. Andi Pinari dhe Dr. Elsa Skënderi Rakipllari i njohën maturantët me programet e studimit, që ofron secili Departament.
Gjatë këtij takimi, u theksua se tradita e shkëlqyer e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, profesorati i cilësor, i kualifikuar brenda dhe jashtë vendit, si dhe mundësitë e shumta të punësimit për të diplomuarit tanë, janë një garanci për zgjedhjen që do të bëjnë maturantët.
Profesor Pinari foli për mundësitë e shumta që kanë studentët, jo vetëm për të marrë arsim cilësor, por edhe për të përfituar nga programet e Bursave, programet e shkëmbimeve (si Erasmus+), përfshirjen në aktivitetesh studentore (Organizime të këshillave studentorë, Klubi i dramës, forume studentore, etj.).
Profesoreshë Skënderi Rakipllari, foli, ndër të tjera, edhe për raportet e shkëlqyera profesionale e njerëzore, që ndërtojnë pedagogët e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë me studentët dhe i mëshoi faktit se studentët tanë, falë kurrikulave bashkëkohore marrin formimin e duhur intelektual për një karrierë të suksesshme.
Maturantët u njohën me faqen zyrtare të FHF-së, udhërrëfyesin e studentëve si dhe me adresat dhe kanalet tona zyrtare të komunikimit, si dhe morën përgjigje për pyetje specifike rreth notës mesatare dhe kritereve të pranimit në programet e studimit të nivelit bachelor.
Ditët e informimit do të vijojnë sipas një kalendari të detajuar takimesh për secilin departament.
Sakaq, Dekanati i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë ka hartuar një plan aktivitetesh promovuese dhe informuese për maturantët e më gjerë, të cilat do të realizohen gjatë gjithë vitit akademik.
Leave a Reply