FHF: Në auditor gazetari Berat Buzhala për temën “Diskursi politik në media në Shqipëri dhe në Kosovë”
Më 2 qershor 2023, studentët e vitit të tretë, të degës Gjuhë-letërsi patën të pranishëm në auditor gazetarin e analistin kosovar, z. Berat Buzhala, i cili foli për temën “Diskursi politik në media (sociale) në Shqipëri dhe në Kosovë”.
Gjatë bashkëbisedimit, Buzhala ndau një pjesë të rrugëtimit të tij jetësor e profesional me studentët, duke theksuar në fjalën e tij se idealet që njerëzit kanë sa janë të rinj, janë ato më të pastrat që duhen ndjekur gjatë gjithë jetës dhe se më i keqi korrupsion është korrupsioni ideologjik, që vjen përmes manipulimit thuajse “inxhinierik” që i bëhet mendjes dhe ndjeshmërisë së masave.
Ky aktivitet që u zhvillua në kuadër të lëndës “Etnografi e ligjërimit publik”, nën kujdesin e Zv/dekanes Dr. Elsa Skënderi, synonte të vijonte atë traditë të pasurimit të përvojave të studentëve në auditor, përmes perspektivës së personave që kanë një zë të qenësishëm në diskursin publik mbarëshqiptar dhe që i njohin mirë dinamikat e zhvillimit të këtij diskursi.