FHF: Fillimi i vitit të ri akademik 2022-2023


Fillimi i vitit të ri akademik karakterizohet nga dinamika. Është një fillim i bukur dhe me emocione të përziera për shkak se studentët përgatiten për të nisur një rrugëtim të ri në të ardhmen e tyre.

Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë ka qenë dhe është një ndër institucionet më të rëndësishme shkencore të vendit, me një veprimtari të gjerë dhe me rol të veçantë në fushën e studimeve albanologjike. Kjo strategji, që mbështetet në dokumentet bazë të Fakultetit, është në përputhje dhe në zbatim të planit strategjik të Universitetit të Tiranës si dhe në mbështetje të planit strategjik të arsimit të lartë të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

Ky fakultet ju ofron gjithçka që ju duhet për t’u bërë profesionistë shumë të mirë:

  • profesorë të kualifikuar, të devotshëm, mirëkuptues, tolerantë dhe kurdoherë të gatshëm për të punuar me ju;
  • staf ndihmës të përkushtuar, të vëmendshëm dhe tërësisht në shërbimin tuaj;
  • tekste, laboratorë, bibliotekë, internet, pajisje dhe mjedise të tjera të përshtatshme për studim dhe kërkim shkencor;
  • mësimdhënie cilësore në auditor dhe në terren, gjatë ekspeditave të përvitshme;
  • trajnime, kualifikime, specializime dhe praktika profesionale në institucionet e shumta publike dhe private, me të cilat FHF-ja dhe UT-ja kanë marrëveshje bashkëpunimi;
  • informim të vazhdueshëm përmes Zyrës së Informacionit, Faqes Zyrtare dhe rrjeteve sociale të departamenteve, të fakultetit dhe të Universitetit të Tiranës;
  • mundësi angazhimi në projekte kërkimore, veprimtari shkencore, kulturore dhe sportive;
  • bursa për trajnime, kualifikime dhe studime të pjesshme jashtë shtetit, sidomos në kuadër të Programit ERASMUS +, të financuar nga BE-ja;
  • orientim dhe ndërmjetësim për punësim në institucionet publike dhe private, sipas profilit profesional dhe kualifikimit shkencor të secilit prej jush.

Mjafton të keni vullnet për t’i shfrytëzuar të gjitha këto mundësi dhe, me siguri, do të mund të bëni realitet ëndrrat tuaja. Ne jemi këtu për t’ju mbështetur për gjithçka që i shërben formimit tuaj më të mirë në të gjitha nivelet e arsimimit universitar.

Dyert e fakultetit janë dhe do të jenë të hapura për ju gjithmonë. Ju jeni shpresa e Shqipërisë Evropiane, e ardhmja e ndritur e kombit shqiptar.

Ju mirëpresim!


 

Shpërnda lajmin: