FHF dhe FGJH në “Panairin e Punës 2024”
Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja organizuan sot “Panairin e Punës 2024”. “Panairi”, tashmë në vitin e tretë të realizimit të tij, synoi t’u krijojë studentëve mundësitë dhe hapësirat e nevojshme për t’i njohur ata me ofertat dhe pritshmëritë e tregut të punës, me mundësitë për praktika profesionale e punësim, nëpërmjet institucioneve, kompanive, agjencive dhe OJF-ve.
Përshëndetën “Panairin” zv. Dekania e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Prof.asoc.Dr. Elsa Skënderi Rakipllari dhe dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Prof.asoc.Dr. Esmeralda Kromidha.
Në fjalën përshëndetëse, zv.dekania e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, pasi falënderoi të gjitha bizneset pjesëmarrëse për angazhimin e tyre në këtë Panair, theksoi se “është shumë e rëndësishme për ne si Universitet i Tiranës, por edhe si njësi përbërëse të Universitetit të Tiranës (FHF, FGJH), që studentëve tanë t’iu krijojmë lehtësira për kontaktet që ata kanë me tregun e punës. Në një kohë kur ndërveprimi dhe hyrja në një treg pune, sa vjen e po ndryshon me ritme shumë të shpejta, për shkak të zhvillimeve teknologjike, të teknologjisë së informacionit, (mjafton të përmendim dukurinë ChatGPT), shumëçka po ndryshon në peizazhin e këtij tregu pune, por megjithatë është fort e rëndësishme për ne të vendosim ura komunikimi e bashkëpunimi.
Siç edhe Profesoreshë Esmeralda e ceku, ky është viti i tretë i organizimit të këtij Panairi Punësimi dhe kjo është një ndër punët që ne e bëjmë bashkë si fakultete dhe për të cilat krenohemi shumë.
Për të përfunduar dua të falënderoj përzemërsisht stafet e fakulteteve, përfaqësuesit e zyrave të Këshillimit të Karrierës dhe të stafeve përkatëse për një punë shumë të mirë në ekip, që për fat jep gjithmonë fryte, si në rastin tonë”.
Ndërsa Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Prof. dr. Esmeralda Kromidha, pasi falënderoi të gjitha bizneset pjesëmarrëse, theksoi se “ky Panair, është i treti në numër, por jo në bashkëpunime me bizneset, sepse ato kanë qenë të përhershme. Në auditoret e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja kemi pritur këto biznese, kemi biseduar e kemi ndarë mendime rreth aftësitë profesionale që kërkohen sot në tregun e punës, mbi formimin e studentëve, mbi nevojën e rishikimit të programeve tona të studimit dhe gjithmonë përafrimin me nevojat e tregut të punës. Eshtë kenaqësi të shikoj bizneset pjesëmarrëse sot, sepse kjo do të thotë që kontrata jonë e bashkëpunimit, institucionale e profesionale vazhdon e na jep siguri për të ardhmen”.
Të dyja drejtueset falënderuan në mënyrë të posaçme Administratoret e Fakulteteve, stafet administrativ dhe ndihmëse, që kontribuan në realizmin e këtij aktiviteti dhe veçanërisht përfaqësueset e zyrave të Këshillimit të Karrierës, të të dyja fakulteteve.
Në këtë panair të tretë punësimi, morën pjesë 45 kompani e institucione publike e private, të përzgjedhura sipas profileve të programeve të studimit që ofrojnë të dyja fakultetet.
Studentët që vizituan panairin, u shprehën entuziastë për mundësitë e ofruara që çelin e lehtësojnë shtigjet profesionale të karrierës.