FHF: Trajnim me temë “Punimi me të dhëna statistikore hapësinore bazuar në raste studimore” në kuadër të projektit “GEOBIZ”
FHF, organizoi në 29-30 Mars 2022, trajnimin e parë në SIG (Sistemet e Informacionit Gjeografik), në kuadër të projektit “GEOBIZ – Mësimi i bazuar në probleme dhe i orientuar nga biznesi për të arritur ekselencë akademike në Gjeoinformatikë” i bashkëfinacuar nga Programi Erasmus + i Bashkimit Europian.
Trajnimi me temë: “Punimi me të dhëna statistikore hapësinore bazuar në raste studimore”, ku morën pjesë 21 pjesëmarrës, u drejtua nga PhD. Enkela Begu.
Në këtë trajnim, pjesëmarrësit morën informacion teorik dhe praktikuan dy raste studimore. Qëllimi i dy rasteve të studimit të përdorur për trajnim lidhet me evidentimin e mënyrave të ndryshme të përdorimit të të dhënave statistikore dhe hapësinore të integruara në një mjedis SIG duke përdorur programin ArcGIS 10.8 Desktop, në funksion të krijimit të një informacioni të ri, i cili do t’i shërbejë vendimarrjes dhe planifikimit territorial.
Rasti studimor i titulluar “Gjenerimi i të dhënave statistikore për të vlerësuar shpërndarjen sasiore të vlerave të atributeve në hapësirë dhe kohë” fokusohet në disa funksionalitete matëse dhe përftuese të cilat mundësojnë krijimin e të dhënave statistikore të reja rreth mbulimit të tokës në territorin e Shqipërisë duke përdorur si gjeometrinë e elementëve ashtu edhe vlerat atribute të tyre.
Rasti i dytë studimor “Analiza hotspot”e indentifikimit të zonave me nivele të larta të krimit” i përdor të dhënat statistikore në një tjetër këndvështrim. Nëpërmjet funksionalitete agreguese elemente statistikore rreth tipeve të krimeve në Cikago, USA dhe të ruajtur në format excel integrohen në një bazë të dhënash hapësinore dhe modelohen për të nxjerrë në pah dhe analizuar tiparet hapësinore të shpërndarjes së këtij fenomeni social.
Në fund të trajnimit, të gjithë pjesëmarrësit u pajisën me certifikatë, të cilat iu dorëzuan në ceremoninw ku mori pjesë Prof. Dr. Sabri Laçi, Dekani i Fakultetit dhe Koordinatori lokal i projektit GEOBIZ për FHF, UT.
Falenderojmë të gjithë pjesëmarrësit dhe të interesuarit për trajnimin!