Departamenti i Gjeografisë
Katedra e Gjeografisë që ka funksionuar që prej themelimit të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, më vitin 1959. Profesorët e parë që kanë kontribuar në funksionimin e saj kanë qenë Prof. Pandi Geco, Prof. Vasil Naco, Prof. Mevlan Kabo etj. Kjo katedër drejtonte grupin e lëndëve gjeografike që ishin pjesë të Degës së Histori-Gjeografisë e cila përbëhej nga tre katedra (katedra e Gjeografisë, Historisë së Shqipërisë dhe Historisë së Përgjithshme). Në këtë kuadër, Departamenti i Gjeografisë mbart një punë shumëvjeçare, rritje e zhvillim të vazhdueshëm duke krijuar një përvojë shumë të pasur, e cila ka qenë një mbështetje shumë e mirë dhe e nevojshme për brezat e pedagogëve që kanë vijuar në vite.
Gjatë periudhës së viteve 1960-1985, u konsoliduan planet mësimore dhe programet e lëndëve, u hartuan tekstet për shumicën e disiplinave universitare dhe u intensifikua puna kërkimore-studimore.
Ndryshimet politike dhe social-ekonomike të vitit 1990, krijuan kushtet e nevojshme për reformimin e gjeografisë dhe të mendimit gjeografik shqiptar. U zgjeruan kontaktet me literaturën gjeografike perëndimore, u shtua numri i studiuesve të huaj që vizitonin mjediset universitare dhe akademike të Shqipërisë, si dhe i studentëve dhe studiuesve shqiptarë në universitetet perëndimore. Filluan të organizohen trajnime, konferenca dhe projekte studimore të përbashkëta, ku përcillej përvoja perëndimore dhe kualifikohej stafi i universiteteve shqiptare dhe departamenteve. Në këto rrethana evoluoi koncepti per gjeografinë si shkencë, si disiplinë formuese në nivel parauniversitar dhe si një ndër degët e rëndësishme të edukimit universitar. U konsolidua profesioni i gjeografit, jo vetëm si mësimdhënës, por edhe si kërkues shkencor, hartues dhe zbatues projektesh të rëndësishme mbi planifikimin hapësinor dhe përdorimin e territorit, vlerësimin, valorizimin dhe menaxhimin e qëndrueshëm të pasurive natyrore dhe humane, në të mirë të zhvillimit të ekonomisë, infrastrukturës, shërbimeve etj.
Kërkimi shkencor në gjeografi, ka hyrë në një fazë të re, që dallon nga të mëparshmet sidomos për sa i përket frymës praktike, karakterit aplikativ dhe utilitar. Mendimi gjeografik shqiptar sot është më i specializuar, më i qartë dhe më i thellë.