Departamenti i Gazetarisë trajnim për “Gazetarinë mobile”
Studentët e gazetarisë në Universitetin e Tiranës zhvilluan aftësitë e tyre në përdorimin e celularëve për të krijuar përmbajtje mediatike për platformat digjitale dhe televizive.
Trajnimi 5 ditor për “Gazetarinë mobile” – e njohur si MoJo, përfshiu disa sesione që nisnin nga strukturimi i lajmit, rrëfimi, standardet e raportimit, duke u zgjeruar në detajet teknike të filmimit dhe editimit përmes celularit.
Mundësitë dhe teknikat e MoJo u paraqitën për studentët e 3 viteve të programit “Bachelor”, nga trajneri Norbert Sinkovic, gazetar me përvojë në Serbi dhe lektor në Universitetin e Novi Sadit dhe nga trajneri Geri Emiri, gazetar nga Shqipëria, drejtues i Medias Amfora.al dhe mentor për median dhe aktivizmin.
Trajnimi i mbështetur nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, u zhvillua në bashkëpunim me Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit, në Universitetin e Tiranës dhe kontribuoi në rritjen e kapaciteteve të gazetarisë mobile për punonjësit e ardhshëm të medias.