Departamenti i Gazetarisë dhe i Komunikimit
Departamenti i Gazetarisë është themeluar në vitin 1992 si pjesë e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Hapja e tij u bë menjëherë pas vendosjes së pluralizmit në vend, në përgjigje të nevojës për të përgatitur gazetarët e rinj të mediave të reja pluraliste. Programi mësimor që zhvillohet në departament i pajis studentët me njohuritë dhe shprehitë e nevojshme si për median e shkruar, ashtu edhe për mediat elektronike audiovizive.Që nga tetori i vitit 2004 departamenti ka adoptuar strukturën europiane të kurrikulës LMD, duke vënë në zbatim kriteret dhe kushtet e Kartës së Bolonjes. Kësisoj programi bachelor (niveli i parë i studimeve universitare) zgjat 3 vjet. Mësimdhënia në departament kombinon leksionet me seminaret dhe me praktikën profesionale, përmes lëndëve të detyrueshme dhe atyre me zgjedhje.
Gjatë tre viteve të programit bachelor studentët profilizohen në këto drejtime:
1.Gazetari arti dhe kulture
2.Gazetari politike
3.Gazetari ekonomike
4.Gazetari e përgjithshme
Programi Master
Në projektin për hapjen e nivelit të dytë të studimeve universitare pranë departamentit të gazetarisë, është parashikuar dhënia e diplomave “Master” në:
1.Marrëdhënie publike
2.Gazetari europiane dhe ndërkombëtare
3.Komunikimi ndërkulturor
4.Marketing mediatik
5.Drejtimi dhe menaxhimi i mediave
Ora mësimore zgjat 60 minuta. Për t’u diplomuar, studenti duhet të plotesojë një minimum prej 180 kreditesh, pra mesatarisht rreth 60 kredite në një vit shkollor.
Përzgjedhja e kandidatëve që do të vazhdojne studimet për gazetari bëhet përmes konkursit kombëtar të organizuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës.
Vlerësimi i studentëve bazohet në pjesëmarrjen dhe rezultatet e tyre ne leksione, seminare, praktika profesionale si dhe në projektet dhe detyrat e kursit të zhvilluara gjatë vitit. Si në të gjithë shkollat e larta të vendit, vlerësimi bëhet sipas sistemit me 10 nota, duke filluar nga nota 1 deri tek nota 10. Nota më e ulët për të kaluar një lëndë është 5.
Departamenti ka të gjithë infrastrukturën e nevojshme për përmbushjen e kërkesave të programit mësimor. Në dispozicion të studentëve dhe të procesit mësimor janë studioja praktike e televizionit, studioja e radios dhe laboratori i kompjuterit. Gjithashtu studentët botojnë gazetën e tyre të përmuajshme “Reporteri”.
Me një kontribut të shënuar jo vetëm në përmbushjen e standarteve të reja të arsimit të lartë por edhe në proceset demokratizuese të jetës së vendit, departamenti përfaqëson sot një institucion te njohur të botës akademike në Shqipëri. Trupa pedagogjike e tij, e përbërë nga studjues dhe personalitete në fushën e gazetarisë dhe komunikimit, ka qënë shpesh protagoniste e debatit të hapur publik mbi çështje të rëndësishme që kanë bashkëshoqëruar tranzicionin e vendit drejt nje shoqërie të hapur demokratike.
Departamenti i Gazetarisë i Universitetit të Tiranës ka qene dhe mbetet institucioni arsimor më i preferuar në Shqipëri per ata kanë zgjedhur të kryejnë studimet në fushën e medias. Me një program të ndërtuar sipas modeleve perëndimore, ai u ofron atyre një diplomë cilësore konkuruese që garanton përputhshmëri të plotë me kërkesat e tregut të punes në media dhe karrierë të sigurtë në perspektivë