Deklaratë për shtyp: Promovim i lirisë së shprehjes në Shqipëri përmes dialogut të hapur


Tiranë, 31 janar 2025.


Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe të Këshillit të Europës, organizoi të premten (31.01), në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, takimin e parë në kuadër të projektit « Promovimi i Lirisë së Shprehjes në Shqipëri përmes Dialogut të Hapur ».

Ky projekt synon të nxisë një dialog të strukturuar që përfshin institucione publike, media dhe shoqërinë civile, për të krijuar një mjedis të përmirësuar të mjedisit mediatik sipas standartit europian, në kuadër të angazhimeve të Shqipërisë për aderimin në BE.

“Liria e medias është në qendër të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ky dialog ka si qëllim të forcojë pavarësinë e medias, llogaridhënien dhe transparencën, duke paraqitur propozime konkrete për qeverinë dhe Parlamentin» – u shpreh Silvio Gonzato, Ambasador i BE në Shqipëri.

Në fjalën e tij hapëse, Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, njeherësh i zgjedhur nga BE si lehtësues i dialogut, Mark Marku, theksoi rëndësinë e krijimit të nje mjedisi mediatik të lirë dhe të pavarur në Shqipëri. «Projekti ka për qëllim të adresojë çështje kyçe, si pronësia e medias dhe transparenca financiare, siguria e gazetarëve dhe aksesi ne informacion» – u shpreh profesor Marku.

Në takim u prezantua metodologjia dhe modalitetet e zbatimit të procesit, si dhe u diskutua me aktorët e pranishëm mbi draftin e hartëzimit të çështjeve kyçe, duke përfshirë ndërhyrjet e synuara, përbërjen dhe funksionimin e grupeve tematike.

Pas një dialogu interaktiv, pjesëmarrësit u dakordësuan për krijimin e grupeve të punës, të cilat do të shqyrtojnë dhe paraqesin propozime konkrete për ndryshimet ligjore që nevojiten për përmirësimin e mjedisit mediatik në Shqipëri, në përputhje me rekomandimet e Bashkimit Europian.

Grupet e punës do të përbëhen nga përfaqësues të organizatave të gazetarëve, gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë të pavarur të medias – vendas dhe të huaj, pedagogë të Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, si dhe përfaqësues të institucioneve qeveritare dhe atyre të pavarura.

Për më shumë informacion, ju lutem kontaktoni:
Rashela Shehu, Asistente – pedagoge në Departamentin e Gazetarisë dhe Komunikimit, UT
Email : rashela.shehu@fhf.edu.al


 

Shpërnda lajmin: