Fjala përshëndetëse e Dekanit FHF në Ditën botërore të librit dhe të drejtës së autorit
E nderuar Zëvendës Rektore, Prof. dr. Esmeralda KROMIDHA,
E nderuar Përgjegjëse e Departamentit të Letërsisë, Prof. dr. Persida ASLLANI,
I nderuar z. Enkel Demi, shkrimtar, i ftuar special,
Të dashur pedagogë të Departamentit të Letërsisë,
Të dashur studentë,
Është kënaqësi e veçantë t’ju përshëndes në këtë veprimtari interesante, si për tematikën dhe simbolikën, ashtu edhe për mesazhet që përcjell për gjithë të pasionuarit pas librit dhe leximit.
Përgjatë viteve, në FHF është krijuar një mjedis akademik produktiv dhe shumë interesant: komplementar, ndërveprues, debutues dhe bashkëpunues, sidomos kur bëhet fjalë për çështjet që krijojnë dhe përcjellin në publikun e gjerë imazhin e fakultetit, si dhe për ato që pasurojnë kulturën dhe shkencën shqiptare, duke lartësuar vlerat e kombit në arenën ndërkombëtare.
Me këtë rast dëshiroj të sjellë në vëmendje të audiencës faktin se në Departamentin e Letërsisë japin kontributin e tyre individualitete të spikatura në fushën e studimeve, krijimtarisë, kritikës dhe përkthimeve letrare, ashtu si edhe në atë të komunikimit publik. Në këtë këndvështrim, ky departament rezulton divers dhe shumë i rëndësishëm: një aset i vyer jo vetëm për FHF-në dhe UT-në, por edhe për shtetin dhe kombin shqiptar në tërësi.
Ndër të tjera, Departamenti i Letërsisë ka meritën e krijimit të traditës së bukur dhe të dobishme të organizimit të veprimtarive prezantuese dhe promovuese për publikimet në nivel fakulteti, në “Ditën Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit”. Përveç risjelljes në vëmendje të gjithsecilit të vlerave të leximit në përgjithësi e të krijimtarisë artistike në veçanti, më 23 prill të çdo viti, ky aktivitet krijon mundësi për zgjerimin e kontakteve dhe të bashkëpunimit me shtëpitë botuese dhe partnerët e tjerë të botës universitare.
Veprimtari si kjo na entuziazmojnë dhe bashkojnë rreth librit. Me sa duket, ata që studiojnë dhe shkruajnë letërsi, e kanë më të zhvilluar aftësinë e komunikimit, arrijnë të përcjellin mesazhe frymëzuese dhe mobilizuese edhe në mungesë të kontakteve të drejtpërdrejta, sepse letërsia, përveç se hap dritare për të njohur më mirë botën, pasuron shpirtin dhe zhvillon shumë imagjinatën, e cila nuk njeh kufij. Jam i bindur se edhe sot, pavarësisht situatës së Pandemisë Globale, secili prej nesh, ashtu si miliona dashamirës të librit nëpër botë, sjell ndërmend përfitimet që ka pasur nga leximi, si dhe planifikon se çfarë do të lexojnë në vijim.
Letërsia ndikon në formimin e identitetit dhe në emancipimin e shoqërisë. Fuqia e saj mbetet e pamatshme përkundër ideologjive dhe pushteteve, të cilët nuk kanë mundur kurrë ta kontrollojnë plotësisht. Ajo vlerësohet si ndërgjegjja më e emancipuar e njerëzimit, ndaj të shkruarit me përgjegjësi të lartë artistike, etike dhe intelektuale, mbetet një kërkesë e përhershme e shoqërisë.
Duke falënderuar ngrohtësisht organizatorët dhe mbështetësit e këtij aktiviteti, dëshirojmë t’i garantojmë ata se Dekanati i FHF-së do të shfrytëzojë të gjitha burimet e mundshme për të organizuar më shumë veprimtari shkencore, prezantuese dhe promovuese në të ardhmen.
Suksese të gjithëve,
Prof. dr. Sabri LAÇI, Dekan i FHF-së, UT
Tiranë, më 23.04.2021