Dekan i FHF takim me përfaqësuesit e Institutit Demokratik Amerikan

Dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë priti në një takim të zhvilluar në datën 3 mars, përfaqësuesit e Institutit Demokratik Amerikan ku u diskutua mbi mundësitë e shumta të bashkëpunimit mes dy insitucioneve. Një nga temat kryesore të takimit ishte mundësia e bashkëpunimit mbi zbatimin e një programi që synon të promovojë reformën e financave elektorale të partive politike dhe transparencën në këtë fushë. Një nga komponentët e programit është edhe bashkëpunimi me universitetet shqiptare për të rritur angazhimin dhe pjesëmarrjen e studentëve në diskutimet mbi transparencën e financave politike dhe ndërmarrjes së iniciativave nga ana tyre për të kontribuar në këtë fushë. Programi gjithashtu synon rritjen e njohurive të studentëve për standardet ndërkombëtare të transparencës së financave politike, për kornizën ligjore në Shqipëri dhe jashtë, rolin e aktorëve kryesorë përfshirë edhe shoqërinë civile. Dekani i Fakultetit Prof. Dr. Sabri Laçi shprehu gadishmërinë për të bashkëpunuar në këtë drejtim duke veçuar kapacitetet akademike të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, si edhe duke nënvizuar faktin se studentët e FHF-së janë mjaft aktivë e të angazhuar lidhur me përmirësimin e standarteve demokratike në shoqërinë shqiptare.


Shpërnda lajmin: