Ceremonia e hapjes së Shkollës Verore të Gjuhës, Historisë dhe Civilizimit Bizantin
Sot, në mjediset e Fakultetit të Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, u çel për të dytin vit radhazi Shkolla Verore e Gjuhës, Historisë dhe Civilizimit Bizantin. Kjo shkollë organizohet nga Fakulteti i Historisë e i Filologjisë nën kujdesin e Ambasadës së Greqisë në Tiranë dhe me mbështetje të Fondacionit Alexander S. Onassis dhe National Bank οf Greece Cultural Foundation, dy ndër institucionet kulturore më prestigjioze ndërkombëtare për zhvillimin e Letrave, Artit dhe Shkencës.
Të pranishëm në ceremoninë e hapjes ishin Rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Mynyr Koni, Dekani i Fakultetit të Historisë e të Filologjisë, prof. dr. Sabri Laçi, Shefja e Departamentit të Historisë, prof. as. dr. Eva Hyskaj, profesor Agamemnon Tselikas, autoritet botëror në Paleografi, z. Antonis Papamalis, përfaqësues i Ambasadës së Greqisë në Tiranës, pedagog Andi Rembeci, Koordinator i Shkollës Verore, pedagogë dhe 40 studentët pjesëmarrës në këtë shkollë verore, të përzgjedhur nga mbi 160 aplikime nga brenda dhe jashtë vendit.
Pas ceremonisë, studentët e Shkollës së II-të Verore të Gjuhës Historisë dhe Civilizimit Bizantin patën mundësi të ndiqnin referatin me titull “Historia e gjuhës dhe e shkrimit grek. Një vështrim në prehistorinë dhe historinë e librit bizantin”, mbajtur nga profesor Agamemnon Tselikas, ku u paraqitën aspekte mbi fenomenin kulturor të shkrimit dhe të librit të dorëshkruar. Në sesionin e pasdites, studentët ndoqën referatin e prof. asoc. dr. Ermal Baze me titull “Studime për arbrit gjatë mesjetës bizantine”, ku u trajtuan arritjet më të rëndësishme në botimin e dokumenteve burimore dhe të studimeve mesjetare të historiografisë së huaj dhe asaj shqiptare, kryesisht për periudhën bizantine.