Ceremonia e certifikimit të studentëve pjesëmarrës në “Javën e Këshillimit të Karrierës”
Sot u mbajt ceremonia e certifikimit të studentëve pjesëmarrës në “Javën e Këshillimit të Karrierës”. Të pranishëm në ceremoni ishin dekani i Fakultetit prof.dr. Sabri Laçi, zv.dekanët dr. Elsa Skënderi Rakipllari dhe dr. Andi Pinari, si dhe Blerina Gega, përgjegjëse e Zyrës së Këshillimit të Karrierës në FHF.
Gjatë “Javës së Këshillimit të Karrierës” u trajnuan 110 studentë nga 8 lektorë të ftuar, profesionistë të mirënjohur të tregut të punës dhe fushave që lidhen me këshillimin të karrierës.
Në fjalën e tij, Dekani i Fakultetit falënderoi studentët për pjesëmarrjen në këtë aktivitet të rëndësishëm për ta dhe gjithë stafin që bëri të mundur realizimin e këtij aktiviteti. Ai theksoi se falë kësaj eksperience, studentët janë më të qartë se si të veprojnë për të kërkuar një vend pune, apo internship qe ka lidhje me profesionin e tyre dhe si ta përfaqësojnë veten më së miri në tregun e punës.
Kurse zëvendësdekania, Elsa Skënderi Rakipllari përgëzoi studentët për përkushtimin e tyre gjatë kësaj jave të rëndësishme për karrierën e tyre dhe se aktivitete të tilla lehtësojnë integrimin e studentëve në tregun e punës. Po ashtu, Dr. Rakipllari falënderoi grupin organizativ të edicionit të dytë të këtij aktiviteti dhe stafin ndihmës e në mënyrë të veçantë përgjegjësen e Zyrës së Këshillimit të Karrierës, znj. Blerina Gega, për kontributin e dhënë për organizimin dhe mbarëvajtjen e”edicionit të dytë të “Javës së Këshillimit të Karrierës”.
Në fund të ceremonisë u organizua edhe një koktej me studentët pjesëmarrës.