Çelen Aplikimet në programet e Studimit të ciklit të dytë Master profesional dhe Master shkencor nga data 1 Tetor 2020

Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë çel më 1 tetor 2020 regjistrimet në Programet e studimit të ciklit të dytë Master Profesional dhe Master Shkencor. Tradita shumëvjeçare e Fakultetit tonë ofron siguri punësimi dhe përzgjedhjeje mes më të mirëve, cilësi të lartë dhe kompetencë profesionale e shkencore, larmi programesh bashkëkohore dhe një profesorat nga më të mirët në hapësirën mbarëkombëtare e më gjerë. Programet e ofruara sipas secilit departament janë si vijon:

Departamenti i Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore:

  • Master Profesional “Guidë Turistike”
  • Master Shkencor “Arkeologji”
  • Master Shkencor “Trashëgimi Kulturore”

Departamenti i Gjeografisë:

  • Master Profesional “Mësuesi në Gjeografi për arsimin e mesëm”;
  • Master Profesional “Sistemet e Informacionit Gjeografik të Aplikuar”.
  • Master Shkencor “Gjeografi”.

Departamenti i Gjuhësisë:

  • Master Profesional “Mësuesi në Gjuhë-Letërsi për arsimin e mesëm”
  • Master Profesional “Redaktori”
  • Master Shkencor “Gjuhësi e sotme”
  • Master Shkencor “Gjuhësi historike”.

Departamenti i Letërsisë

  • Master Profesional “Mësuesi në Gjuhë-Letërsi për arsimin e mesëm”
  • Master Shkencor“Teori dhe kritikë letrare”
  • Master Shkencor “Letërsi e përgjithshme dhe e krahasuar”;
  • Master Shkencor “Studime letrare shqipe dhe antropologji kulturore”

Departamenti i Historisë

  • Master Profesional “Mësuesi në Histori për arsimin e mesëm”
  • Master Profesional “Arkivistikë”.
  • Master Shkencor “Histori”
  • Master Shkencor “Marrëdhënie ndërkombëtare”

Departamenti i Gazetarisë

  • Master Shkencor “Marrëdhënie publike”;
  • Master Shkencor “Gazetari europiane dhe ndërkombëtare”;
  • Master Shkencor “Komunikimin ndërkulturor”;
  • Master Shkencor “Marketing mediatik”;
  • Master Shkencor “Drejtimi dhe menaxhimi i medieve”.

Për kuotat për secilin program, jeni të lutur të klikoni këtu…

Bazuar në Udhëzimin nr.17, datë 30.07.2019 për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr.10, datë 15.05.2019, “Për procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit në programet e ciklit të parë të studimeve, në programet e studimeve me karakter profesional, si dhe në programet e integruara të ciklit të dytë të studimeve, në institucionet e arsimit të lartë”, kanë të drejtë të aplikojnë për programet e ciklit të dytë, kandidatët që:

– Kanë përfunduar me sukses studimet dhe janë pajisur me diplomën përkatëse të vlefshme në Republikën e Shqipërisë, në një program të ciklit të parë, i cili rezulton i licencuar në momentin e regjistrimit të studentit dhe akredituar në momentin e diplomimit të studentit, ose

– Janë diplomuar jashtë vendit në një program studimi të ciklit të parë, të akredituar. Në rast pranimi kandidati është i detyruar të kryejë njësimin e diplomës pranë QSHA, të përcaktuar në shtojcën 10 të Udhëzimit nr.17, datë 30.07.2019.


Kandidati paraqitet në Sekretarinë Mësimore Master personalisht ose nëpërmjet personit të autorizuar prej tij dhe dorëzon dokumentacionin e mëposhtëm:

a) Diplomë ose fotokopje të saj të njësuar me origjinalin, të ciklit të parë të studimeve të përfunduar në Republikën e Shqipërisë. Diplomës së ciklit të parë të studimeve të përfunduar jashtë vendit, të shoqëruar me fotokopje të diplomës të njësuar me origjinalin, ose, në mungesë të saj, të një dokumenti tjetër zyrtar mbi bazën e të cilit është kryer njësimi në Republikën e Shqipërisë, të lëshuar në vendin ku ka kryer studimet, që i lejon regjistrimin dhe vazhdimin e studimeve universitare në vendin përkatës.

b) Diplomën e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave ose fotokopje të tyre të njësuara me origjinalin, e konfirmuar nga institucioni përkatës arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar (DRAP/ZVAP). Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara hyrjes në fuqi të vendimit nr. 876, datë 3.11.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime në vendimin nr. 78, datë 8.2.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Maturës Shtetërore dhe pranimet në shkollat e larta publike”, të ndryshuar, paraqesin Dëftesën e Pjekurisë (origjinal ose në rast fotokopjeje të saj, të njësuar me origjinalin, të konfirmuar nga institucioni përkatës arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar (DRAP/ZVAP). Në qoftë se kandidatët nuk posedojnë dëftesë pjekurie të shkollës së mesme duhet të paraqesin dublikatë të dëftesës së pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme ku ka përfunduar shkollën dhe të konfirmuar nga institucioni përkatës arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar (DRAP/ZVAP), ose dokumentin e lëshuar nga Arkivi i Shtetit së bashku me listën e notave.

c) Formulari i aplikimit (sipas formatit të shtojcës nr. 5 dhe nr. 6 të Udhëzimit nr.17, datë 30.07.2019);

d) Fotokopja e dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë);

e) Dy fotografi personale.

Orari i regjistrimeve 10:00 – 14:00


Dokumentacion shtesë vetëm për shtetasit e huaj:

a) Dëshminë e njohjes së gjuhës shqipe, fituar në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës (për rastet kur regjistrohet në një program studimi që zhvillohet në gjuhën shqipe), si dhe të gjuhëve të tjera të njohura nga kandidati. Shtetasit e huaj që kanë kombësi shqiptare dhe kanë njohuri shumë të mira të gjuhës shqipe mund të sjellin çdo dokument nga vendi i origjinës që provon njohjen e gjuhës shqipe. Nga ky detyrim përjashtohen shtetasit e huaj që kanë përfunduar një cikël/program studimi në gjuhën shqipe në institucione të arsimit të lartë në Shqipëri.

Shtetasit e huaj që aplikojnë, në bazë të marrëveshjeve dypalëshe, përjashtohen nga tarifat e shkollimit, në përputhje me marrëveshjet përkatëse.

b) Curriculum Vitae;

c) Deklaratën sipas shtojcës nr. 3 të Udhëzimit nr.17, datë 30.07.2019.


Dokumentacion shtesë vetëm për kandidatët e kategorive të veçanta:

a) Kandidati me statusin e personit me aftësi të kufizuara duhet të dorëzojë dhe fotokopjen e noterizuar të librezës së lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror ose kopje të noterizuar të vendimit të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP).

b) Kandidati me statusin e jetimit, duhet të dorëzojë dhe fotokopjen e noterizuar e dokumentit që certifikon statusin e jetimit të lëshuar nga Shërbimi Social Shtetëror.

c) Kandidati nga komuniteti rom dhe ballkano-egjiptian, duhet të dorëzojë dhe vetëdeklarim ose një dokument që vërteton që është rom apo ballkano-egjiptian.

d) Deklaratën sipas shtojcës nr. 4 të Udhëzimit nr.17, datë 30.07.2019.


Kriteret e përzgjedhjes së fituesve në “Master Profesional Mësuesi”

Kriteret e pranimit të studentëve në ciklit të dytë të studimeve “Master i Profesional Mësuesi” në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, UT, për vitin akademik 2020-2021 do të jenë si vijon

1.Kanë përparësi:

  1. Studentët të cilët kanë përfunduar studimet Bachelor, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë.
  2. Studentët që kanë përfunduar studimet e Ciklit të parë në degë të njëjta të Universiteteve Publike të akredituara.
  3. Studentë të cilët janë diplomuar jashtë vendit në Universitet me programe më lëndë të njëjta ose të përafërta,  të akredituara.

2. Renditja e secilit fitues bëhet sipas kritereve të mësipërme duke respektuar notën mesatare.


Kriteret e përzgjedhjes së fituesve në “Master Profesional”

Kriteret e pranimit të studentëve në ciklit të dytë të studimeve “Master i Shkencave” në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, UT, për vitin akademik 2020-2021 do të jenë si vijon

1.Kanë përparësi:

  1. Studentët të cilët kanë përfunduar studimet Bachelor, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë.
  2. Studentët që kanë përfunduar studimet e Ciklit të parë në degë të njëjta të Universiteteve Publike të akredituara.
  3. Studentë të cilët janë diplomuar jashtë vendit në Universitet me programe më lëndë të njëjta ose të përafërta, të akredituara.

2. Renditja e secilit fitues bëhet sipas kritereve të mësipërme duke respektuar notën mesatare.


Kriteret e pranimit  për studentët në ciklit të dytë të studimeve “Master i shkencave”

Kriteret e pranimit të studentëve në ciklit të dytë të studimeve “Master i Shkencave” në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, UT, për vitin akademik 2020-2021 do të jenë si vijon:

  1. Të kenë dhënë një prej pesë gjuhëve të huaja të BE-së, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, në nivelin B1, sipas Vendimit nr 18, dt 13.07.2016, të Senatit Akademik të UT-së.
  2. Kanë përparësi:
    1. Studentët të cilët kanë përfunduar studimet Bachelor, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë.
    2. Studentët që kanë përfunduar studimet e Ciklit të parë në degë të njëjta të Universiteteve Publike të akredituara.
    3. Studentët që kanë përfunduar studimet e Ciklit të parë në degë të përafërta të Universitetit të Tiranës.
    4. Studentë të cilët janë diplomuar jashtë vendit në Universitet me programe më lëndë të njëjta ose të përafërta.
    5. Studentë që kanë përfunduar studimet e Ciklit të parë në degë të njëjta apo të përafërta të Universiteteve private të akredituara.

Vendimi i Senatit Akademik nr. 18, datë 06.05.2019 “Mbi miratimin e kuotave të pranimit në programet e studimeve të ciklit të dytë, për vitin akademik 2019-2020” kliko këtu…


Vendimi i Senatit Akademik nr. 26, datë 18.07.2019 “Për miratimin e kuotave të pranimit për transferim studimesh, për program të dytë studimi, për shtetasit e huaj, për kategoritë e veçanta me statusin e jetimit, me aftësi të kufizuar dhe ballkano-egjiptianët, si dhe për trojet, për çdo program studimi të ciklit të parë dhe ciklit të dytë,për vitin akademik 2019-2020” kliko këtu…


Vendimi Nr. 32, datë 18.07.2019 “Për miratimin paraprak të tarifave të regjistrimit dhe shkollimit për programet e ciklit të dytë të studimeve, për vitin akademik 2019-2020” kliko këtu…


Shpërnda lajmin: