Biblioteka FHF

Misioni >>Historiku >>Organigrama >> Dekani >> Zv. Dekanët >> Administratori >>


Biblioteka e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë është krijuar në vitin 1969, pas shkëputjes nga Biblioteka Shkencore e Universitetit të Tiranës. Ajo përfaqëson bibliotekën më të madhe dhe më të pasur universitare për nga numri i titujve dhe vlera e fondeve që bart. Me një sipërfaqe prej rreth 800 metër katror, në fondet e saj gjenden rreth 51.000 tituj librash (rreth 156.000 ekzemplarë) dhe rreth 400 tituj periodikësh (rreth 4.300 ekzemplarë).
Materialet që ofron Biblioteka e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë janë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja. Ato i takojnë fushave të ndryshme si: gjuhësisë, letërsisë, historisë, gjeografisë, gazetarisë, arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore, qytetërimit dhe kulturës, filozofisë, psikologjisë, fesë, folklorit, etnologjisë, sociologjisë, arsimit, politikës, artit etj.
Botimi më i hershëm në bibliotekën tonë mban titullin Ozorai Imre vitairata dhe i takon vitit 1535. Dy antikuarë të tjerë me vlerë janë: Historia vniversale dell’origine et imperio de Tvrchi i vitit 1568 dhe Pvblii Ovidii Nasonis In quo Fastorvm lib. VI, Tristivm V, De Ponto IV i vitit 1664.
Gjithashtu, pasuri e fondeve tona janë 64 botime të viteve 1800-1900 të cilat i takojnë më së shumti fushave të gjuhësisë, letërsisë, historisë dhe gjeografisë së vendeve të Ballkanit dhe Europës e njëkohësisht u shërbejnë studiuesve si burime kërkimore në punimet monografike, e shkrimet studimore në fushë të albano-balkanologjisë.
Pjesë e pasurisë së bibliotekës sonë janë dhe temat e disertacioneve të pedagogëve të fakultetit si dhe temat e diplomave të ciklit të studimeve Master Shkencor.
Biblioteka pasurohet vazhdimisht përmes blerjeve vjetore të titujve te rinj dhe dhuratave të pedagogëve apo dashamirësve të librit dhe bibliotekës.
Kjo bibliotekë është një qendër e rëndësishme në ndihmë të procesit mësimor dhe atij shkencor; në ndihmë të studentëve, pedagogëve dhe studiuesve të shkencave albanologjike. Rrjeti i gjerë i skedarëve (alfabetik për autorë dhe tituj, sistematik, topografik), i ngritur në vite si dhe bibliografitë e ndryshme i mundësojnë lexuesit akses një informacion të larmishëm dhe të saktë.
Krahas pasurimit të vazhdueshëm të katalogut manual, me synimin për t’u bërë pjesë e një “biblioteke pa kufij dhe pa mure”, punohet çdo ditë për pasqyrimin e këtij skedari në variantin elektronik, përmes sistemit të përbashkët bibliografik COBISS.Net, që mbështetet nga UNESCO dhe që mundëson shfletimin e informacionit bibliografik të të gjitha bibliotekave që bëjnë pjesë në të.

Në COBISS.Net janë përfshirë pothuajse të gjitha vendet e rajonit. Në Shqipëri, përveç Bibliotekës Kombëtare, janë përfshirë bibliotekat kryesore universitare, publike dhe ato speciale.
Rreth 20% e informacionit bibliografik në format letër është regjistruar në katalogun elektronik duke u dhënë përparësi fushave më të kërkuara, si: letërsisë dhe gjuhës shqipe, historisë dhe gjeografisë së Shqipërisë, gazetarisë, arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore.
Në vitin 2014 Biblioteka u rikontruktua duke përmirësuar rrënjësisht kushtet e mbajtjes dhe shfrytëzimit të koleksioneve, sallën e leximit, sistemin e ndriçimit, të ajrimit dhe të ngrohjes.
Prej 2001 Biblioteka ka një sallë leximi me fonde të hapura, me kapacitet mbi 70 vende, që u vjen në ndihmë përdoruesve të bibliotekës për leximin e materialeve në kopje të vetme, studentëve e pedagogëve për punë në grup. Gjithashtu këtu zhvillohen veprimtari të ndryshme shkencore, promovime titujsh të rinj, aktivitete studentore etj.
Edhe pse Biblioteka e Fakultetit është e hapur për të gjithë, vendin më të madh të frekuentuesve të saj e përbëjnë studentët, të cilët janë pjesë e punës tonë të përditshme në përmbushje të kërkesave të tyre për tekste universitare, për libra studimorë ose literaturë të dëshiruar. Si pjesa më e rëndësishme e lexuesve tanë, studentët do të vazhdojnë të përfshihen në punë vullnetare pranë bibliotekës sonë duke i bërë të ndjehen më pranë librit, bibliotekës dhe dijes.
Përgjithësisht, fondet e bibliotekës janë të mbyllura, ç’ka bën që përdoruesi të mos mund të vizitojë fondin (sallën apo raftet) me materiale bibliotekare për të cilat është i interesuar.
Në këto kushte, në një fazë të dytë rikonstruksioni, është e domosdoshme vendosja e sistemit të kamerave, pajisja me barkode e librave, që do të mundësojnë hapjen e fondeve të bibliotekës për përdoruesit tanë, duke e bërë atë një bibliotekë të vizitueshme dhe materialet e saj të prekshme për lexuesin. Në fazën e dytë të rikonstruksionit do të përfshihet edhe rikonceptimi i sallës së studimit, hyrja kryesore e bibliotekës së bashku me pjesën e shfletimit të skedarit manual dhe atij elektronik, sektori i katalogimit elektronik, ambjente të ekspozimit të librit me vlerë si dhe hapësira e arkivës, që e bëjnë bibliotekën tonë një ndër modelet më të përparuara të kohës në këtë drejtim.
Për shoqërinë e informacionit në të cilën jetojmë, sistemet bibliotekare janë infrastrukturë themelore e domosdoshme, jo vetëm në ndihmë të procesit të përditshëm mësimor dhe shkencor, por në ndihmë të formimit të qytetarit europian. Këtë mision, Biblioteka e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, e përmbush më së miri duke zënë vend pranë bibliotekave të përparuara të kohës përtej kufijve.

Në bibliotekë ka një frekuentim të gjerë prej studentëve të sistemit me dhe pa shkëputje, studentë të masterit  dhe pedagogëve, jo vetëm për të huazuar libra por dhe për të studjuar në sallë .

Shpërnda lajmin: