Ambasadorja e Greqisë takim me pedagogë e studentë të FHF-së
Τë martën më 29 maj 2018, Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri znj. Eleni Sourani, u takua me studentë të Departamenteve të Historisë dhe të Arkeologjisë e Trashëgimisë Kulturore të Universitetit të Tiranës, të cilat, me mbështetjen e Ambasadës së Greqisë, vizituan, nga dt. 23 deri më 27 prill 2018, Universitetin “Aristotelio” të Selanikut.
Takimi u realizua në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe kishte si qëllim zhvillimin e një bashkëbisedimi të hapur me studentë dhe pedagogë për eksperiencën e fituar dhe propozimet e tyre në lidhje me vizitën studimore, të realizuar në kuadër të Marrëveshjes Dypalëshe të Bashkëpunimit midis Universiteteve të Tiranës dhe të Selanikut. Gjatë takimit, pedagogë dhe studentë theksuan rëndësinë që pati kjo vizitë studimore për ta dhe e falënderuan Ambasadën e Greqisë për ndihmën bujare që ofroi në realizimin e kësaj vizite.
Ambasadorja znj. Eleni Sourani theksoi, midis të tjerave, se këto shkëmbime vizitash universitare ndihmojnë në njohjen reciproke, në fitimin e eksperiencave dhe pasurimin e njohurive të studentëve, si edhe në përafrimin e dy popujve dhe vendeve tona.
Gjatë vizitës katër ditore në Selanik, studentët shqiptarë patën rastin të vizitojnë ambientet e Universitetit “Aristotelio” të Selanikut, e Fakultetit e Filozofisë dhe ambientet e Bibliotekës së Departamentit të Historisë dhe Arkeologjisë dhe site të ndryshme historike dhe arkeologjike të qytetit: në sitin arkeologjik të Vergines Aigai, në Varrin e Filipit të II-të, në Muzeun Arkeologjik të Selanikut dhe atë të periudhës bizantine, në muzetë e brendshëm të Fakultetit të Filozofisë si edhe në muzeun arkeologjik dhe atë etnografik të Universitetit “Aristotelio”.
Studentët u shoqëruan nga zëvendësdekani i Fakultetit, z. Ermal Baze, shefja e Departamentit të Historisë, znj. Eva Tafili dhe pedagogët Edlira Çaushi, Andi Rembeci dhe Andi Pinari.
Ndërkaq, lektorët, të shoqëruar nga profesoresha e Historisë Moderne, znj Eleftheria Manta (e cila ishte pjesë integrale e gjithë vizitës studimore përgjatë gjithë kohës me ekspertizën e saj), u takuan me dekanin e Fakultetit të Filozofisë, z. Dimitrios Mavroskoufis dhe me shefin e Departamentit të Historisë dhe Arkeologjisë, z. Emmanouil Voutyra.
Udhëtimi u përmbyll me vizitat në Torren Veneciane dhe në Kalanë e Selanikut.