FHF dhe FGJH do të organizojnë së bashku: “Panairin e Punës 2024”
Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja i Universitetit të Tiranës do të organizojnë: “Panairin e Punës 2024”, më datë 18 prill, ora 10:00, në oborrin e Fakultetit.
“Panairi”, që organizohet për të tretën herë radhazi synon t’u krijojë institucioneve, kompanive, agjencive e OJF-ve hapësirën e nevojshme, që t’i njohë studentët me pritshmëritë që kërkon tregu i punës, mundësitë, procedurat për stazhe e punësim, si dhe bashkëpunime me interesa të ndërsjella.
Ftohen të marrin pjesë:
- Institucionet e arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm, për të ekspozuar ofertat e tyre për punësim për mësues gjuhë-letërsie, historie dhe gjeografie.
- Institucione apo ente publike që kanë nevojë për ekspertizën gjeografike si: ekspert në SIG, ekspertë të rregullimit dhe planifikimit të territorit, ekspertë të gjeomorfologjisë, demografisë, potencialeve turistike, politikave të mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm etj.
- Institucione publike e private, organizata apo shoqata, që duan ekspertë në marrëdhënie ndërkombëtare.
- Drejtoritë e arkivave, që duan të rekrutojnë punonjës për shërbimet e arkivave.
- Organizatat apo bizneset turistike, që kërkojnë të punësojnë të rinj në profesionet guida turistike, apo në fushat e trashëgimisë kulturore dhe arkeologjisë.
- Mediat të ndryshme, që kërkojnë gazetarë në profile të ndryshme, ekspertë në marrëdhënie me publikun, krijues e moderatorë të përmbajtjes së mediave sociale, administrues të mediave të reja dhe të komunikimit online, gazetarë të lirë, mediatorë kulturorë, specialistë marketingu, apo dhe të kurimit të imazhit etj.
- Shtëpi botuese, që duan të promovojnë të rinjtë në fushën e kritikës letrare, që kërkojnë ekspertë në fushën e redaktimit, korrektimit, botimeve, apo ku nevojiten specialistë të letërsisë dhe të gjuhës.
Gjatë “Panairit të Punës 2024” kompanitë, organizatat e institucionet mund të intervistojnë dhe vlerësojnë drejtpërdrejt kandidatët potencialë për punë apo praktikë profesionale.
Në këtë Panair, përveç nevojave për rekrutime do të ketë edhe aktivitete informuese në auditorët e FHF-së.
Presim të na vizitoni dhe përfitoni nga mundësitë që ofrohen në Panairin e Punës 2024.