Përfaqësues të FHF-së takim me homologë të Universitetit të Prizrenit dhe të Prishtinës


Zv/dekania e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë Dr. Elsa Rakipllari, zv/dekan Dr. Andi Pinari, pedagog Andi Rëmbeci, Drejtuesja e zyrës së Këshillimit të Karrierës, Zj. Blerina Korreshi dhe përfaqësues nga Këshillit studentor e studentë nga degë të ndryshme të fakultetit, organizuan takime me dekanatet dhe strukturat studentore të dy universiteteve në Kosovë, përkatësisht në universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti” dhe universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Këto takime synonin shkëmbimin e përvojave mes institucioneve tona dhe fokus të veçantë kishin vendosjen e urave të bashkëpunimit sidomos sa iu takon veprimtarive studentore çka do të çojë në realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në të mirë të zhvillimit dhe pasurimit të jetës universitare dhe të bashkëpunimit studentor mbarëkombëtar.

Më 8 dhjetor 2022, në Universitetin e Prizrenit, grupi përfaqësues i FHF-së u prit nga Dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. dr. Xhafer Beqiraj, si dhe profesorë e përfaqësues të Këshillit Studentor. Zv/dekanët Elsa Rakipllari dhe Andi Pinari përshëndetën të pranishmit në emër të Dekanit të FHF-së, bëri një prezantim të aktiviteteve studentore në Fakultet dhe theksouan se kjo vizitë është hapi i parë konkret drejt finalizimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi si në fushën akademike ashtu edhe në ato të veprimtarive studentore.  Pedagogu Andi Rembeci bëri një prezantim të shkollave verore të FHF-së, dhe studentët të strukturave studentore, klubeve dhe aktiviteteve studentore të FHF-së.

Më  9 dhjetor, grupi përfaqësues i FHF-së vizitoi Fakultetin e Filologjisë, të Universitetit të Prishtinës, ku u prit nga zv.dekani Prof. asoc. dr. Isa Memishi, nga pedagogë të Fakultetit e përfaqësues të Unionit Studentor. Falë marrëveshjes së bashkëpunimit që Universiteti i Tiranës ka nënshkruar me Universitetin e Prishtinës, takimi u përqendrua në hapat më konkretë rreth bashkëpunimit të këshillave studentore,  krijimit të përbashkët të klubeve studentore e forumeve me interesa të përbashkët. Studentët e të dy fakulteteve, patën mundësi të njihnin përvojat e njëri- tjetrit dhe biseduan me kërshëri e pasion për aktivitete të përbashkëta, që e forcojnë bashkëpunimin mes universiteteve të Shqipërisë e Kosovës.


Shpërnda lajmin: