FHF organizon Forumin studentor “Universiteti në kohën e pandemisë COVID-19”


Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë (UT), më 14 maj 2021 organizoi forumin studentor me temë “Universiteti në kohën e pandemisë COVID-19, sfida, problematika, zgjidhje”. Në këtë aktivitet, që në fokus kishte përvojat dhe përjetimet e studentëve gjatë mësimit në distancë, morën pjesë 26 referues nga Universiteti i Tiranës, Universiteti i Durrësit “Aleksandër Moisiu”, Universiteti i Bolonjës (Itali), Universiteti i Mynihut (Gjermani), etj.

Në fjalën e tij përshëndetëse Zv/rektori i Universitetit të Tiranës, Prof.asoc. Bernard Dosti theksoi se “përvoja e fituar gjatë mësimit online duhet parë si një avantazh, që mund të na shërbejë për zhvillime të mëtejshme edhe kur të kthehemi në normalitet. Ajo çfarë është bërë nga Universiteti i Tiranës është që në fillim të këtij viti akademik ne përcaktuam një platformë unike për të gjithë universitetin. Besoj dhe nga të dhënat që ne disponojmë qoftë në aspektin e mësimdhënës, pra nga stafi pedagogjik, dhe qoftë edhe nga prezenca e studentëve mbi 90% e tyre, rreth 95% kanë qenë prezentë dhe kanë ndjekur leksionet dhe seminaret, të cilat janë zhvilluar nga gjithë stafi pedagogjik i UT-së”. Profesor Dosti theksoi se perceptimi i studentëve për procesin e mësimit në distancë është diçka që na shërben shumë për këtë sfidë në UT. “Edhe në universitetet tona partnere në BE,  me të cilat ne bëjmë shkëmbimin e stafit dhe të studentëve”, u shpreh ai, “thuajse në të gjitha prej tyre mësimi zhivllohet online dhe nëpërmjet rregullave dhe mënyrave të organizimit të cilat u ndërmorën edhe nga Universiteti i Tiranës”.

Dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Prof. dr. Sabri Laçi përshëndeti po ashtu aktivitetin studentor dhe gjeti rastin t’iu shprehte studentëve mbështetjen e vazhdueshme të institucionit që ai drejton, për t’iu gjetur atyre pranë edhe në këtë kohë të vështirë të përballjes me Pandeminë COVID-19. Dekani e cilësoi mësimin online si një “përvojë të re, që ka rezultuar edhe me produkte pozitive. Ne kemi arritur të bëjmë atë që është kryesorja, të realizojmë procesin mësimor në të gjitha dimensionet e tij. Forcën e botës universitare, vrullin rinor të studentëve tanë të shkëlqyer, nuk ka pandemi që mund ta ndalë”.

Zv/dekania Dr. Elsa Skënderi për marrëdhënien me studentët në fjalën e saj theksoi se për fakultetin ishte tepër e rëndësishme afrimi i studentëve pranë auditoreve dhe se mungesën e pranisë në universitet e vuajnë si studentët ashtu edhe pedagogët. Profesoreshë Skënderi u shpreh se për një rikthim në normalitet do të ishte i nevojshëm vaksinimi i studentëve ose ofrimi i testimeve periodike falas për ta.

Në referimet dhe diskutimet e tyre në këtë forum studentët pjesëmarrës ndanë jo vetëm përvojat e tyre personale, por edhe ngritën shqetësimin e mungesës së literaturës në gjuhën shqipe, në formë elektronike. Ata gjithashtu sollën ide dhe pikëpamje konstruktive duke u përqendruar te aspektet positive të kalimit të detyruar në mësimin në distancë online, si rritja e aftësive digjitale, studimi në mënyrë të pavarur, menaxhimi më i mirë i kohës dhe i burimeve në dispozicion të procesit të të nxënit.

Punimet e forumit i ndoqën dhe përshëndetën edhe profesorë, studentë senatorë dhe mediat e ftuara në këtë aktivitet, që shënoi rikthimin fizik të studentëve në aulën universitare, pas më shumë se një viti. Përfaqësuesit të Dekanatit të FHF-së i garantuan studentët se tradita e Forumit Studentor do të vijojë, duke shërbyer si një medium ku studentët mund të shprehin këndvështrimet dhe qëndrimet e tyre për çështje të rëndësishme të botës universitare.


Shpërnda lajmin:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *