Përshëndetja në Konferencën për Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, Prof. dr. Sabri LAÇI, Dekan i FHF-së, UT
I nderuar Përgjegjës i Departamentit të Gjuhësisë, Prof. dr. Sezai ROKAJ,
E nderuar Drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit, Znj. Alda BARDHYLI,
Të dashur kolegë pjesëmarrës,
Jam i lumtur të përshëndes këtë konferencë dedikuar Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, e cila vjen si shprehje e vullnetit të përbashkët të Qendrës Kombëtare të Librit dhe të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, parashikuar në marrëveshjen e dy institucioneve, nënshkruar në vitin 2020.
Fillimisht dëshiroj të përgëzoj nismëtarët e organizimit të këtij tubimi, Qendrën Kombëtare të Librit, si dhe të falënderoj ngrohtësisht të gjithë personat, nga të dyja institucionet, që u angazhuan shumë seriozisht për përgatitjen e tij.
Gjithashtu, dëshiroj t’u bëj me dije pjesëmarrësve se kjo nuk është hera e parë që Departamenti i Gjuhësisë e sfidon situatën e pandemisë globale, duke organizuar apo bashkorganizuar veprimtari shkencore të dobishme për mbarë kombin. Përgëzime, të dashur kolegë!
Nismën për organizimin e këtij tubimi e kam mirëpritur, i bindur se çështja meriton vëmendje të veçantë. Si ligjërues në universitet prej tridhjetë e tetë vjetësh, kam ndjekur me interes edhe zhvillimet lidhur me gjuhën shqipe, disa prej të cilave po i paraqes shkurtimisht në vijim.
Duke caktuar 21 shkurtin si Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, UNESCO-ja tregoi vlerësimin e madh për gjuhën e çdo kombi, si element i identitetit, si mjeti më i rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të çdo populli, si kërkesë për të nxitur lëvrimin e gjuhëve amtare të popujve dhe etnive të botës, si thirrje që përsëritet vit pas viti, për ruajtjen e këtij thesarit kulturor të njerëzimit, që ka mundur të mbijetojë përgjatë shekujve dhe mijëvjeçarëve.
Është i njohur dhe i pranuar fakti që shqipja është një gjuhë e vjetër, e madhe dhe e veçantë. Mjaftojnë këto tri karakteristika që ajo të meritojë një vend nderi, në klasifikimin botëror të gjuhëve.
Sa u përket popujve dhe gjuhëve në Ballkan, më ka mbetur në mendje një citim i gazetës së njohur franceze “Le Monde”, të cilin e kam gjetur në librin e Ferdinand Schevill, Ballkani – historia dhe qytetërimi:
“Ndërsa shumica e popujve të gadishullit janë të ardhur, barbarë, vetëm dy popuj janë autoktonë e jo barbarë: grekët dhe shqiptarët, vetëm dy gjuhë janë autoktone e të mëdha: greqishtja dhe shqipja, e para ardhur nga errësira egjeane dhe e shkruar në pergamenë e në letër; e dyta kalëruar mbi natën pellazgjike, e gdhendur në gurë, në gjak dhe në shpirtra…”
Në rrugëtimin e saj përgjatë mijëvjeçarëve, gjuha shqipe është përpunuar e pasuruar si zhvillim i saj i natyrshëm, por edhe në marrëdhënie me fqinjët dhe pushtuesit. Ajo u bë gjuhë zyrtare e shtetit shqiptar, të krijuar në vitin 1912. Pas LDB-së, shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi fituan të drejtën e shkollimit në gjuhën amtare në të gjitha nivelet. Në vitin 1974, shqipja u njoh si gjuhë zyrtare në Kosovë, ndërsa që nga viti 2018 është gjuhë zyrtare rajonale në Maqedoninë e Veriut. Sot ajo mësohet dhe flitet nga rreth tetë milion banorë në hapësirën shqiptare në Ballkanin Perëndimor, si dhe nga shqiptarët në diasporë.
Në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972 ajo është ngritur në nivelin e gjuhës letrare, të pranuar nga të gjitha pjesët e kombit.
Pas vitit 1990, është vënë re një rënie e kujdesit për gjuhën nga shteti dhe shoqëria shqiptare. Në ligjërimin e shkruar e të folur, për fat të keq, kjo gjendje vijon edhe në ditët tona, ndonëse kushtetutat e të dy shteteve shqiptare e shpallin mbrojtjen e gjuhës si detyrim shtetëror. Ndryshe nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë ende një ligj për gjuhën, ndonëse projektligji përkatës është depozituar prej kohësh në të dy kuvendet.
Në botime, në gazeta e revista, në televizione dhe në dokumentacionin zyrtar vërehen shkelje të rënda të normave të gjuhës letrare. Ka një vërshim të fjalëve të huaja të panevojshme, të cilat po e venitin gjuhën, duke u zënë vendin fjalëve të bukura shqipe. Në fushën e drejtshkrimit, mospërdorimi i shkronjave ë dhe ç është tregues i mungesës së respektit për alfabetin tonë. Në televizione po depërtojnë modele të huaja theksimi, që prishin melodinë dhe metrikën e frazës, e cila nuk tingëllon më si shqip.
Është rasti sot t’u drejtohemi shkollës, shtypit dhe të gjithë atyre që janë përfshirë në ligjërimin publik, me thirrjen që të tregojnë respekt për gjuhën tonë, e cila është tipari kryesor që na dallon prej të tjerëve dhe na bashkon ne shqiptarët në një komb.
Është dita për t’i bërë thirrje shtetit që të kujdeset për gjuhën, në radhë të parë, duke miratuar ligjin përkatës, i cili do t’u jepte zgjidhje shumë problemeve, duke krijuar një mjedis të pastër nga ndotjet gjuhësore e shkeljet e normave të gjuhës letrare.
Është dita, gjithashtu, t’u kujtojmë institucioneve shkencore dhe gjithë studiuesve të shqipes, se u takon atyre që të identifikojnë modele dhe të propozojnë zgjidhje efikase në të mirë të ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës amtare.
Edukimi i qytetarëve shqiptarë për përdorimin e programeve informatike të korrigjimi në gjuhën shqipe do të mundësonte shkrimin saktë të teksteve në postën elektronike dhe në rrjetet sociale, duke i bërë një shërbim të mirë gjuhës shqipe dhe përdoruesve të saj.
Edhe organizimi i konkurseve dhe i veprimtarive të tjera motivuese për nxënësit dhe studentët, sa i përket komunikimit saktë në gjuhën shqipe, mund të jetë një tjetër mënyrë efikase për ruajtjen e standardit të saj.
Faleminderit për vëmendjen dhe suksese të gjithëve,
Prof. dr. Sabri LAÇI
Tiranë, më 25.02.2020