Prof. Dr. Adem Mezini – një akademi përherë e gjallë e mendimit historik
Nga Prof. Dr. Zyhdi Dervishi
Me porosi te Dekanit, prof. dr. Sabri LAÇI, po publikojmë shkrimin e prof. dr. Zyhdi DERVISHI (FSHS, UT) dedikuar prof. dr. Adem MEZINI, i cili u nda nga jeta para pak ditësh.
Në auditoret e universiteteve shqiptare nuk do të kumbojë më drejtpërdrejtë fjala polivalente e historianit karizmatik, Prof. Dr. Adem Mezini. Ai fizikisht ndërroi jetë, por vepra e tij e shumanshme, e mishëruar si korpus tekstesh, punimesh monografike e artikujsh shkencorë, si fjalë e ngrohtë profesionale me studentët e kolegët, si personalitet me virtytet më të arrira, do të rrezatojë gjithnjë jo vetëm në mjediset universitare, por edhe më gjerë në shoqërinë shqiptare.
Ai identifikohet si një nga patriarkët më autoritar të historisë botërore të ditëve të sotme. Si i tillë Prof. Dr. Adem Mezini ka qenë dhe do të jetë përherë i mirënjohur dhe i respektuar në gjithë mjediset ku jetojnë e punojnë, jo vetëm historianët, por edhe specialistë të shkencave të tjera shoqërore.
- Kundërkonformist erudit dhe vizionar
Prof. Dr. Adem Mezini ka qenë gjithnjë dhe është një autoritet i elitës më elitare të trupës pedagogjike dhe kërkimore të universiteteve shqiptare. Që në fillimet e punës së tij në Universitetin e Tiranës atë e ka rrethuar aureola e historianit erudit, e studiuesit profesionist të ballit të parë dhe e mendimtarit me vizione kritike dhe krijuese. Si i tillë Prof. Dr. Adem Mezini nuk mund të mos shfaqej në sytë e një kategorie njerëzish i veshur me kostumin shik të “kapriçiozit të paparashikueshëm”, “të arrogantit” dhe të “prepotentit”. Veçse shfaqje të tilla të arrogancës e të prepotencës, të galvanizuara me aristokratizëm fismërie, si në sistemin socialist totalitar, ashtu edhe në shoqërinë demokratike drejtoheshin dhe drejtohen kundër çdo lloj meskiniteti e padrejtësie ekonomike, shoqërore e politike, kundër çdo lloj mediokriteti e abuzivizmi në shkencë dhe përgjithësisht në krijimtarinë shpirtërore. Përballë një batice mediokriteti që po përmbyt shoqërinë shqiptare, madje, fatkeqësisht edhe auditorët e universiteteve, profesori erudit Adem Mezini duket si një monument, i ftohtë, ekscentrik ose, siç thuhet në gjuhën e popullit, “allasoj”. Një portret i tillë për profesorin skrupuloz, dinjitoz përvijohet në sytë e njerëzve të paaftë, por mjeshtër të gjithfarë marifetesh e allishverishesh për të përfituar sa më shumë e në mënyrë të pamerituar, të pamoralshme e deri të kriminalizuar.
Ndërkohë ky profesor “i vështirë” bëhet mik i përhershëm edhe nëpërmjet një bisedë të rastit që mund të zgjasë më pak se një minutë nëse tjetri është dinjitoz në profesionin e vet dhe veçanërisht kur është studiues i aftë në shkencat historike dhe përgjithësisht sociale. Prof. Dr. Adem Mezini është nga të paktët pedagogë të historisë dhe përgjithësisht të shkencave shoqërore, që në çast të ofron një përgjigje të argumentuar, një qasje origjinale për çdo çështje të ndërlikuar ose risi në zhvillimet historike të ditëve tona, në hapësirat shqiptare dhe në qytetërimet e tjera.
Ndërkohë që mjaft pedagogë të universiteteve gjatë 30 viteve të fundit në mënyrë të suksesshme ose të pasuksesshme flirtuan edhe me veprimtari të tjera jashtëshkencore e jashtëpedagogjike si tregtia, angazhimi politik etj. Prof. Dr. Adem Mezini, si profesionistët i vërtetë i qëndroi besnik pasionit e përkushtimit të tij. Ai për asnjë çast nuk e braktisi “istikamin” e shkencës, eci në rrugën e vështirë e të mundimshme të kërkimit, duke botuar artikuj shkencore, tekste mësimorë e punime monografike që krijojnë tablo të gjera, analitike kryesisht për çështjet themelore të zhvillimeve historike të shekullit XX. Ndryshe nga mjaft pedagogë që përkthejnë e përshtatin literaturën perëndimore, Prof. Dr. Adem Mezini gjithnjë ka botuar punimet e veta me profil origjinaliteti krejtësisht të kristalizuar, i cili formësohet si një aliazh i njohurive të gjera, jo vetëm në fushë të historisë, por edhe të filozofisë, të shkencave sociologjike e politike, natyrore e teknike, i analizave komplekse të bazuara në vizione e paradigma të ndryshme sociologjike e historike, madje edhe të përthyera në veçantitë e kulturës shqiptare, në gjuhën lakonike që shpreh me zhdërvjelltësi e thellësi logjike shqyrtimet analitike të dukurive e ndodhive që përcaktojnë rrjedhën kryesore të zhvillimeve historike. Profili origjinal i punimeve monografike të Prof. Dr. Adem Mezinit i shndërron ato në vlera të mirëfillta që i kalojnë kufijtë e kulturës shqiptare.
Me krijimtarinë e tij të pasur, të shumanshme (ka botuar 16 tekste e punime monografike dhe dhjetëra shkrime studimore e teoriko-publicistike për çështje themelore të zhvillimeve historike) dhe mjaft origjinale, me aftësitë e tij pedagogjike Prof. Dr. Adem Mezini, drejtpërdrejt dhe tërthorazi ka dhënë ndihmesë të veçantë, jo vetëm për përgatitjen e studentëve e të specializantëve, por edhe për përgatitjen e brezave të rinj të studiuesve, të pedagogëve në fushë të historisë bashkëkohore. Tashmë me të drejtë ai e meriton plotësisht titullin “profesor i profesorëve”.
Personaliteti krijues e origjinal i Prof. Dr. Adem Mezinit shprehet edhe në librin “Bota nuk ndryshon vetiu”. Para se të shtjellojmë disa ide të këtij libri do të themi diçka për “teknologjinë e ndërtimit” të tij, duke u bazuar në një analizë krahasimore të shkurtër në dy kontekste.
Shkrimtari që ka shkruar më shumë dhe në mënyrë më profesionale biografi njerëzish të shquar është, pa dyshim, Stefan Cvajg. Duke u rrëfyer për laboratorin e punës së tij krijuese, Stefan Cvajg ka nënvizuar se për të shkruar një libër biografik ai studionte me vëmendje më shumë se 100 libra, qindra artikuj, materiale arkivore, intervista të bashkëkohësve ose të pasardhësve etj. Fatkeqësisht ndër mjaft shqiptarë që merren me letrat gjatë 30 viteve të fundit, si të thuash është krijuar një traditë pragmatike, e cila po përhapet si epidemi, për të lexuar sa më pak, dhe për të shkruar (ose, siç shprehet një miku im, për të shkarravitur) sa më shumë, kryesisht për përftime praktike, ekonomike, politike etj. Madje në mjedise të institucioneve shkencore e të arsimit të lartë vegjetojnë edhe studiues e pedagogë që pohojnë gati me mburrje se nuk kanë durim të lexojnë qoftë edhe një faqe të vetme. Prof. Dr. Adem Mezini i kundërqëndron hapur një batice të tillë vulgariteti, joprofesionalizmi. Vetëm studiuesit që lexojnë shumë dhe literaturën më cilësore arrijnë që edhe brenda formatit të një libri të sintetizojnë përfundime mbi dukuritë, prirjet dhe sfidat kryesore të zhvillimit të shoqërisë njerëzore të shekullit XX.
Ndonëse në jetën e përditshme Prof. Dr. Adem Mezini vepron kurdoherë si kundërkonformist ndaj çdo imponimi politik ose burokratik, ndaj çdo sjellje deviante ose perversiteti të çfarëdolloj, në fushën e kërkimit shkencor ai udhëhiqet nga parimi se historiani nuk është prokuror, avokat dhe aq më pak gjyqtar, por një hetues mjaft i kualifikuar i ngjarjeve historike në shumëdimensionalitetin e vet, një profesionist i ballit të parë në ndriçimin e provave që dëshmojnë ecurinë e zhvillimeve historike në të gjithë fushat e jetës e të veprimtarive të shoqërisë, të individëve.
- Analiza historike holistike e origjinale
Në librin “Bota nuk ndryshon vetiu” një vend të veçantë zënë karakterizimet përgjithësuese për karakterin e zhvillimeve të shekullit XX. Për formulimin e karakterizimeve të tilla autori është mbështetur, jo vetëm në shqyrtimin e fakteve historike, ekonomike e politike, shoqërore e kulturore më domethënëse, që ndriçojnë më mirë rrjedhën historike të këtij shekulli mjaft të trazuar, por edhe në përgjithësimin e refleksioneve teorike më të arrira të historianëve, të filozofëve, të sociologëve dhe të ekonomistëve më të shquar të botës si M. Bloch dhe E. Fromm, U. Laker dhe L. Poliakov, Z. Brzezhinski dhe P. Xhonson, K. Dojç dhe J. Hefner, E. Hobsbaum dhe R. Dahrendorf, F. Braudel dhe J. Goldsteini etj.
Përmes analizave të tilla komplekse Prof. Dr. Adem Mezini në këtë libër, sikurse edhe në disa të tjerë, argumenton se shekulli XX mund të karakterizohet si shekulli i zhvillimeve kontradiktore më të skajshme: i luftërave më gjakatare që kanë shkaktuar më shumë viktima se në çdo shekull tjetër të historisë së shoqërisë njerëzore dhe i sistemeve të masave sociale më humanizuese në dobi të njerëzve në nevojë; shekulli i përparimeve më të vrullshme shkencore e tekniko-teknologjike, të cilat, nga njëra anë, kanë ndikuar në përmirësimin rrënjësor e të shpejtë të mënyrës së jetesës dhe të shëndetit të shumicës së njerëzve dhe, nga ana tjetër, nga keqpërdorimi ose përdorimi për qëllime strategjike, përparime të tilla kanë viktimizuar njerëz më shumë se kurrë më parë; shekulli i revolucioneve të dhunshme dhe i ndërrimeve paqësore të sistemeve shoqërore, ekonomike e politike që janë emërtuar si revolucion i kadifenjtë, revolucion portokalli, revolucioni i karafilave, revolucioni i trëndafilave etj.; shekulli i sistemeve politike dhe ekonomiko-shoqërore të kundërt më të skajshëm, fashizmi dhe socializmi, që u ndeshën me njëri-tjetrin në shumëçka, deri edhe me armë; shekulli kur luftërat me armë dhe lufta e ftohtë arritën nivelet më problematike se kurrë më parë; shekulli kur njerëzimi i planetit tonë sundon hapësira më të gjera të galaktikës që shtrihen përtej Hënës, por i paaftë të shkëpusë nga kthetrat e varfërisë, të mjerimit e të urisë miliona njerëz që vegjetojnë në vendet më të prapambetura; shekulli i krijimit dhe i funksionimit gjithnjë më intensiv të shoqatave, të organizatave të shumëllojshme ndërshtetërore, kontinentale e ndërkombëtare dhe i copëzimit të shteteve multikombëtare si rrjedhojë e lëvizjeve separatiste etj. Duke përgjithësuar lëvizje të tilla kontradiktore Prof. Dr. Adem Mezini arrin në përfundimin: “Mesa duket vendet e zhvilluara të Europës Perëndimore, Amerikës së Veriut, Japonia kanë kohë që i kanë arkivuar metodat revolucionare e radikale. Në fund të shekullit të 20-të e në fillimit të shekullit të 21-të, lëvizjet revolucionare e radikale janë ende të pranishme në vendet në zhvillim, ku evidentohen konflikte të mprehta etnike, fetare e sociale për shkak të trashëgimisë historike dhe të prapambetjes ekonomike”. Si një ind organik, analizat teorike të këtij libri i përshkon ideja se përmirësimi i kushteve ekonomike të shtresave të varfra, veçanërisht në vendet më të prapambetura, është çelësi kryesor për të sfumuar dhe tejkaluar konfliktet sociale dhe rrjedhojat e tyre problematike për të tanishmen dhe të ardhmen, së paku të afërt.
Në librat e Prof. Dr. Adem Mezinit analizohen me përparësi prirjet globalizuese në çdo fushë të jetës e të veprimtarive. Theksohet ideja se prirje të tilla nuk nënkuptojnë thjesht sfumimin e veçorive specifike të qytetërimeve, të kulturave e të nënkulturave, por përfaqësojnë një ristrukturim të marrëdhënieve komplekse ndërmjet njësive të tilla, një ripohim të vlerave të tyre të veçanta, më të arrira, që i shërbejnë më shumë përparimit të njerëzimit në tërësi, humanizimit të tij të pandërprerë. Në kuadrin e zhvillimeve përbotëzuese përforcohen vartësia e shoqërive nga njëra-tjetra, ose, po të shpreheshin me gjuhën e Emil Dyrhejmit, po forcohet solidariteti organik ndërmjet tyre. Brenda një solidariteti të tillë rritet përgjegjësia e shoqërive ekonomikisht dhe teknologjikisht më të zhvilluara ndaj shoqërive më të prapambetura “Në këtë botë të ndërvarur – nënvizon Prof. Dr. Adem Mezini – krahas dukurive pozitive ka edhe zhballancime, pabarazi në prodhim e sidomos në konsum. Në qoftë se zhballancimet e pabarazitë e theksuara në plan të brendshëm e rajonal Europa dhe Amerika e Veriut i kaluan pas luftërave të ashpra politike dhe reformave të thella socialekonomike, Bota e Tretë vazhdon të përjetojë kontraste të dukshme, të cilat mund dhe duhet të kalohen jo vetëm me reformat e brendshme të realitetit ekzistues në këtë botë, por edhe me kontributin e vendeve të zhvilluara”. Argumentohet ideja se ndihmesa e shumanshme për vendet e prapambetura, drejtpërsëdrejti dhe sidomos tërthorazi, i ndihmon edhe vetë vendet më të urbanizuara për të përballuar sfidat e shumëllojshme, me të cilat ato përballen aktualisht dhe priten të përballen edhe në të ardhmen. Tashmë shoqëria njerëzore ka arritur nivele të tilla zhvillimi të ndërthurura saqë mjaft sfida mund dhe duhet t’i përballojë me forca të përbashkëta, pavarësisht nga përkatësia racore e qytetërimore, kulturore e kombëtare, etnike e fetare etj. Pandemia e COVID-19 provon saktësinë e analizave të tilla shkencore të Prof. Dr. Adem Mezinit. Në një farë mase, vetë bashkimi i forcave për përballimin e sfidave përbën një nga sfidat më të vështira.
- Dritë optimizmi dhe shkollë e gjallë për studiuesit e rinj
Studimet sociologjike mbi ecurinë e krijimtarisë shkencore kanë provuar se me pasurimin e përvojës, shkencëtarët me mendje krijuese jo vetëm përmirësojnë dukshëm cilësinë, por edhe rrisin ritmet e realizimit të veprimtarisë së tyre kërkimore. Si vërtetim i një prirjeje të tillë, Prof. Dr. Adem Mezini përgjatë dy dhjetëvjeçarëve të fundit ka botuar 9 tekste dhe punime monografike gjithnjë e më cilësore.
Duke njohur në shumëdimensionalitetin e vet sfidat më të rënda, me të cilat po përballet dhe do të përballet njerëzimi edhe në të ardhmen, Prof. Dr. Adem Mezini nuk qorrollepset në labirintet e sfidave, nuk e sheh me hije të errëta pesimizmi të ardhmen. Përmes analizave shkencore holistike Prof. Dr. Adem Mezini e projekton të ardhmen me dritë optimizmi, së paku në planin e realizimit sa më harmonik të personalitetit të individit, sidomos në vendet industrialisht më të zhvilluara. Në shekullin e 21-të, nënvizon ai, shoqëria duhet dhe do t’i përgjigjet më mirë shpresave dhe aspiratave të individit, veçanërisht në vendet më të pasura.
Fryma e optimizmit, e kultivuar me përparësi, me profesionalizëm në krijimtarinë shkencore historike mjaft të pasur të Prof. Dr. Adem Mezinit funksionon si ilaç për të shëruar edhe traumat psiko-shpirtërore që i ka provokuar popullit shqiptar, sikurse gjithë njerëzimit, pandemia e COVID-19.