Mesazhi i Dekanit të FHF-së me rastin e fillimit të Vitit Akademik 2020-2021
Të dashur studentë,
Në pamundësi për t’ju takuar dhe përshëndetur drejtpërdrejt, urimin këtë herë po jua përcjell përmes këtij videomesazhi: qoftë një vit akademik i mbarë për të gjithë ju!
Me këtë rast, dëshiroj t’ju uroj shumë suksese studentëve rishtarë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, si dhe t’i siguroj ata se kanë bërë zgjedhjen e duhur. Ata, ashtu si gjithë gjeneratat e mëparshme, do të kenë fatin të marrin dije dhe kulturë nga stafi akademik elitar dhe i devotshëm, si dhe të përfitojnë shërbime cilësore nga personeli ndihmës akademik dhe administrativ i përkushtuar i këtij fakulteti.
Të dashur studentë,
Është shumë e rëndësishme që ju të bëheni pjesë e klasave online, të keni komunikim sa më të ngushtë me pedagogët e lëndëve, të merrni vazhdimisht informacione nga faqja zyrtare e fakultetit (fhf.edu.al), si dhe nga faqja në Facebook. Bëni më të mirën për të mos lejuar që situata e vështirë të çojë dëm kohën tuaj! Të mësuarit online është sfidë që mund të tejkalohet me përkushtimin e nevojshëm për të ndjekur leksionet, seminaret dhe për të studiuar, njëlloj si të ishit në auditorë apo biblioteka. Lutemi mos hezitoni të shkruani në adresat zyrtare të fakultetit, t’ju drejtoheni pedagogëve, autoriteteve drejtuese dhe stafit administrativ, për çdo paqartësi apo nevojë për informacion e ndihmë rreth procesit mësimor.
Të nderuar kolegë,
Kemi kaluar mjaft sfida së bashku. Duke njohur kapacitetin dhe aftësitë profesionale të secilit prej jush, jam i bindur se edhe këtë herë do të japim më të mirën për të realizuar mësimdhënie sipas të gjitha standardeve akademike. Besoj shumë në angazhimin tuaj për një komunikim sa më të ngushtë me studentët, në mënyrë të tillë që ta kemi sa më të lehtë rrugëtimin gjatë këtij viti akademik të pazakontë. Përvoja që fituam gjatë semestrit të dytë të vitit të shkuar më bën të ndihem i sigurt se ju do t’i realizoni më së miri të gjithë elementet e procesit mësimor. Ju uroj punë të mbarë dhe të suksesshme!
Mbi të gjitha, uroj që studentët, pedagogët, stafi ndihmës administrativ dhe akademik, ashtu si dhe familjarët e tyre, të gëzojnë shëndet të plotë!
Mezi pres që të takoj e të përshëndes secilin prej jush në mjediset e fakultetit.
Sinqerisht,
Prof. dr. Sabri LAÇI
Leave a Reply