Shpërndarja e sallave dhe disa udhëzime e sugjerime për organizimin e procesit mësimor në FHF gjatë semestrit të parë të vitit akademik 2020-2021


Dekanati i FHF-së, i mbledhur më datë 29.10.2020, vendosi të propozojë pasqyrën e përgjithshme të shpërndarjes së sallave, sipas godinave dhe degëve, si dhe disa udhëzime dhe sugjerime lidhur me organizimin e procesit mësimor.

  1. Pasqyra e shpërndarjes së sallave

 

Udhëzime dhe sugjerime

  1. Nëse gjendet mirëkuptimi me studentët dhe pedagogët, mund të zhvillohet mësim edhe të shtunave (vendimin duhet ta marrin njësitë bazë). Zëvendësimet e orëve të humbura në ditët e pushimeve do të bëhen vetëm të shtunave.
  2. Nuk përjashtohet mundësia e leksioneve në auditor. Madje, për programin Master në GIS të aplikuar dhe ndonjë program tjetër me pak studentë dhe karakter aplikativ, ato duhet të mbizotërojnë.
  3. Ndarja në godina nuk përjashton përdorimin nga secila degë të laboratorëve dhe sallave të dedikuara, por pa cenuar Protokollin e masave antiCOVID-19. Këtë kusht e plotësojnë disa programe master, prandaj sugjerohet që ato t’u lihen në dispozicion atyre.
  4. Çdo dege duhet t’i lihet në dispozicion të paktën një sallë e madhe, ku mund të sistemohet një grup mësimor me deri 35 studentë.
  5. Studentët (grupet mësimore) do të qëndrojnë në të njëjtat salla deri në përfundimin e mësimit. Sallat do të pastrohet, higjienizohet dhe qëndrojnë me dritare e dyer hapur për jo më pak se një orë, para se të fillojë turni i pasdites (programet master në mësuesi etj.).
  6. Sugjerojmë që mësimi të fillojë në 08.30 ose në 09.00, për të shmangur grumbullimet dhe konfuzionin, meqenëse matja e temperaturës së çdo studenti dhe anëtari të stafit akademik (detyrim absolut) kërkon kohë.
  7. Java e parë do t’i dedikohet komunikimit me studentët e viteve të para.
  8. Ditën e parë, komunikimi me studentët e vitit të parë do të bëhet sipas agjendës së miratuar nga Dekanatit, të shpallur në mjediset e fakultetit, si dhe të publikuar në Faqen Zyrtare dhe në FB-në e FHF-së. Stafet dhe studentët kanë detyrimin të respektojnë me korrektësi orarin dhe masat mbrojtëse antiCovid-19. Ceremonitë nuk do të zgjasin më shumë se 30 minuta.
  9. Gjatë gjithë javës, drejtuesit dhe pedagogët e njësive bazë do të vazhdojnë komunikimin me grupet e studentëve të degëve përkatëse, sipas agjendave të parapërgatitura prej tyre.
  10. Gjithashtu, gjatë javës së parë, drejtuesit dhe stafet e njësive bazë do të organizojnë komunikime me studentët e viteve të tjera (bachelor dhe master), në mënyrën dhe vendin e zgjedhur prej tyre, me qëllim që ata të jenë të përfshirë në procesin e fillim vitit. Edhe orët në dispozicion të leksioneve online do të përdoren për këtë qëllim. Përgjegjësit e departamenteve do të udhëzojnë paraprakisht pedagogët për çështjet që do t’u sqarohen studentëve (prezantime të lëndëve, sqarime, orientime, përdorimi i infrastrukturës etj…..).
  11. Stafi i Bibliotekës do të gjejë hapësirën e nevojshme për t’i njohur studentët me funksionimin e saj, ndërsa laborantet dhe stafi i Sekretarisë Mësimore do të jetë në dispozicion të drejtuesve të departamenteve për orientimin e studentëve.
  12. Çdo njësi bazë do të përgatisë orarin e mësimeve, duke respektuar hapësirat në dispozicion. Përgjegjësja e Zyrës IT do të jetë e gatshme për të ndihmuar në këtë proces (identifikimi i sallave në dispozicion dhe kombinimet e mundshme etj.).
  13. Meqenëse janë parashikuar tre dite në javë për seminare, sugjerohet që t’i lihet një ditë çdo viti mësimor (paradite: bachelor I, II, III; pasdite: master profesional I, II; master i shkencave III:).
  14. Sugjerohet që grupet e mëdha të ndahen përgjysmë, ashtu si dhe ora e mësimit, me qëllim që t’u përshtaten kapaciteteve të sallave.
  15. Në rastet kur nuk gjendet hapësirë e mjaftueshme, pasi disa grupe janë shumë të mëdha, do të shihet si zgjidhje zhvillimi i seminareve online. Kjo formë duket më e mundshme për lëndët me karakter teorik.
  16. Një kopje e orarit do të dorëzohet në dekanat ditën e hënë, datë 02.11.2020, ora 12.00, me qëllim që të verifikohet dhe të shpallet në Faqen Zyrtare dhe FB-në e FHF-së.

Shpërnda lajmin: