Takim i hapur “Eksperiencat Erasmus në sytë e studentëve”
Me rastin e ditëve Erasmus, më 16 Tetor 2020 u zhvillua në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë takimi i hapur “Eksperiencat Erasmus në sytë e studentëve”, me pjesëmarrjen e Prof. Valentina Duka – Përgjegjëse e Departamentit të Historisë, Znj. Ada Ramaj – Drejtuese e Zyrës Erasmus + Albania, Dr. Elsa Skënderi Rakipllari – Zv. Dekane FHF, Dr. Andi Pinari – Zv.Dekan FHF, etj.
Prof. Valentina Duka përshëndeti nismën dhe paraqiti një historik të shkurtër të shkëmbimeve Erasmus+ përgjatë viteve dhe vlerën e tyre. Dr. Elsa Skënderi Rakipllari, zv.Dekane e FHF për mobilitetin dhe kërkimin shkencor, shprehu mbështetjen e fakultetit për studentët, të cilët bëhen pjesë e eksperiencës Erasmus. Znj. Ada Ramaj paraqiti risitë e programeve të shkëmbimit të mbështetura nga BE dhe mundësitë në rritje që ato paraqesin për studentët shqiptarë.
Dr. Meljana Bregu, koordinatore e modulit Jean Monnet 2018 – 2021 “Shoqëria shqiptare drejt integrimit të plotë në familjen europiane” ilustroi për të pranishmit arritjet dhe sfidat e deritanishme të këtij projekti. Dr. Juliana Marko, koordinatore e modulit 2020 – 2023 “Procesi i Integrimit në BE dhe promovimi i të Drejtave të Njeriut në Shqipëri” prezantoi objektivat dhe strukturën e projektit të ri.
Studentë të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Historisë e Mësuesisë, të përfshirë në këto module, treguan për afrimin e tyre me studimet europiane si pasojë e përfshirjes në Jean Monnet – FHF dhe planet e tyre për të ardhmen. Disa studentë të kthyer nga eksperienca të shkëmbimeve Erasmus+ përshkruan për kolegët e tyre rrugën e ndjekur për aplikime të suksesshme dhe pasurimin akademik e jetësor që sjell studimi në universitetet europiane. Studentët e tjerë të pranishëm shprehën interesin e tyre dhe morën informacione të mëtejshme për t’u bërë gjithashtu pjesë e brezave Erasmus +.