Përshëndetja e Dekanit të FHF-së në ditën ndërkombëtare të librit dhe të drejtës së autorit
Të nderuar kolegë të Departamentit të Letërsisë,
Të dashur studentë,
Prej kohësh kam kuptuar se është fat i madh të jesh anëtar i stafit të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. Ka shumë arsye, por do të përmenden vetëm njërën: mjedisin akademik shumë të larmishëm dhe interesant: komplementar, ndërveprues, debutues dhe bashkëpunues, sidomos kur bëhet fjalë për çështjet me interes të përbashkët dhe për ato që krijojnë dhe përcjellin në publikun e gjerë imazhin e fakultetit, për ato që pasurojnë kulturën dhe shkencën shqiptare, duke lartësuar vlerat e kombit në arenën ndërkombëtare.
Falë jush, më 23 prill të çdo viti, ne jemi bërë bashkë për të promovuar arritjet tona në fushën e botimeve. Atmosfera e kësaj dite, jo vetë na ka entuziazmuar, por edhe na ka përbashkuar rreth librit, duke forcuar kohezionin mes nesh. Me sa duket, njerëzit si ju, që studiojnë dhe shkruajnë letërsi, e kanë më të zhvilluar aftësinë e komunikimit, arrijnë të përcjellin mesazhe frymëzuese e mobilizuese edhe duke qenë larg njëri-tjetrit, edhe në kushtet e izolimit (zaten, shumë vepra të mëdha janë shkruar në rrethana të jashtëzakonshme), sepse letërsia, përveç se të hap dritare për të njohur më mirë botën e të pasuron shpirtin, të zhvillon shumë edhe imagjinatën, e cila nuk njeh kufij. Jam i bindur që edhe sot, pavarësisht situatës së Pandemisë Globale, secili prej jush, ashtu si miliona dashamirës të librit nëpër botë, sjellin ndërmend përfitimet që kanë pasur nga leximi, si dhe planifikojnë se çfarë do të lexojnë në vijim.
Kjo datë domethënëse për letërsinë universale është caktuar nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s për t’i bërë homazh botëror librit dhe autorëve të tij dhe për të inkurajuar të rinjtë, ju, të dashur studentë, që të zbuloni kënaqësinë e të lexuarit, si edhe për të respektuar kontributin e pazëvendësueshëm, që kanë dhënë krijuesit për progresin social dhe atë kulturor.
Letërsia, që mbetet ndër format më të larta të komunikimit njerëzor, ndikon në formimin e identitetit dhe në emancipimin e shoqërisë. Fuqia e saj mbetet e pamatshme përkundër ideologjive, pushteteve, që nuk kanë mundur kurrë ta kontrollojnë plotësisht. Ajo vlerësohet si ndërgjegjja më e emancipuar e njerëzimit, ndaj të shkruarit me përgjegjësi të lartë artistike, etike dhe intelektuale, mbetet një kërkesë e përhershme e shoqërisë.
Të dashur studentë të Klubit të Dramës,
Ju përgëzoj dhe falënderoj ngrohtësisht për nismën origjinale, për të thyer monotoninë e për t’u treguar të gjithëve se, pavarësisht rrethanave, ju jemi të kthjelltë për të interpretuar në mënyrë të shkëlqyer fragmente nga autorë të spikatur të letërsisë, sigurisht të mbështetur fuqimisht nga pedagogët tuaj të përkushtuar, e të udhëhequr nga kolegia jonë e talentuar, Erenestina Halili.
Urime dhe suksese të gjithëve,
Prof. dr. Sabri LAÇI, Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, UT