Mesazhi i Dekanit për stafin e FHF-së


Të nderuar kolegë,

Një muaj pas ndërprerjes së zhvillimit të mësimit në kushte normale, si masë mbrojtëse ndaj COVID-19, ndjej nevojën të komunikoj me ju.

Së pari, për të inkurajuar secilin prej jush që të gjejë vullnet dhe durim për ta përballuar me sukses të plotë këtë situatë pandemie të pazakontë; për të uruar që secili prej jush, çdo familjar dhe i afërm, çdo mik dhe shok juaji, çdo qytetar i këtij vendi, të gëzojë shëndet të plotë e të dalë nga kjo situatë pa asnjë pasojë!

Së dyti, për të përgëzuar e falënderuar secilin prej jush, për përkushtimin dhe devotshmërinë e treguar gjatë këtyre ditëve, për përmbushjen me sukses të të gjitha detyrimeve të procesit mësimor, përmes metodave të mësimit në distancë, që i mundëson teknologjia e sotme e komunikimit. Krahas mjekëve, personelit mjekësor dhe punonjësve të tjerë të shëndetësisë, pedagogët dhe arsimtarët janë heronjtë e ditëve të sotme, pasi kujdesi për edukimin e brezit të ri është shërbim i çmuar për të ardhmen e kombit. Nëse Shqipëria ka një elitë intelektuale, pjesa më e mirë e saj jeni ju, të nderuar kolegë, ju me integritetin moral, shkencor dhe profesional të spikatur, ju me vullnetin e pashoq për të bërë më të mirën në përmbushje të detyrimeve akademike, edhe në kushte të jashtëzakonshme, ju me idetë progresiste, qëndrimet parimore, largpamësinë dhe frymën optimiste.

Së treti, për t’u shprehur komplimente të merituara autoriteteve drejtuese të FHF-së dhe grupeve të punës pranë departamenteve, për angazhimin me seriozitetin maksimal dhe në kohë rekord për një punë ekstra, të cilën vazhdojnë ta kryejnë çdo ditë, me profesionalizëm të lartë.

Së katërti, për të falënderuar, edhe në emrin tuaj, Enkeledën, eksperten tonë të IT-së, për përkushtimin dhe kontributin e pashoq për përgatitjen e gjithë infrastrukturës së nevojshme për mësimin online, si dhe për asistencën pa orar, për zgjidhjen e çdo problemi lidhur me funksionimin e platformës.

Së pesti, për të vlerësuar laborantet e departamenteve dhe stafin e Sekretarisë Mësimore, për gatishmërinë dhe profesionalizmin e treguar për krijimin e bazës së të dhënave, vendosjen e kontakteve edhe informimin e studentëve.

Së gjashti, për të shprehur vlerësimet më të mira për studentët tanë të mrekullueshëm, për mirëkuptimin dhe gatishmërinë për realizimin e procesit mësimor në kushtet e komunikimit në distancë. Pa dyshim, meritë për këtë kanë edhe familjet e tyre, të cilat, edhe në emrin tuaj, i falënderojmë ngrohtësisht.

Së shtati, për të vlerësuar angazhimin e stafit ndihmës me karakter akademik dhe administrativ, për angazhimin për t’i përmbushur të gjitha detyrat edhe në kushtet e karantinës.

Prioritet absolut është shëndeti, prandaj kujdesi ndaj tij duhet të jetë në qendër të vëmendjes së gjithsecilit prej nesh.

Besimplotë që do ta kapërcejmë këtë situatë, do të realizojmë procesin mësimor dhe do të rishihemi për të vazhduar punët tona në kushte normale, uroj më të mirat për secilin prej jush.

Sinqerisht,

 S. Laçi

Shpërnda lajmin: