Fjala përshëndetëse e Dekanit të FHF-së, Prof. Dr. Sabri Laçi në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare të Departamentit të Gjeografisë dhe Institutit të Studimeve Europiane
“Shqipëria dhe shqiptarët në proceset integruese: territori, shoqëria, ekonomia, mjedisi”
E nderuar Drejtore e Institutit të Studimeve Evropiane, Prof. dr. Ilira SULO,
I nderuar Përgjegjës i Departamentit të Gjeografisë, Prof. dr. Romeo HANXHARI,
Të nderuar autoritete drejtuese të UT-së dhe të fakulteteve në kuadër të tij, Prof. Dh. KULE, Prof. A. HOXHA, PhD. G. KERA,
Të nderuar mysafirë nga Republika e Kosovës, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut,
Të dashur kolegë,
Shumë të dashur studentë,
Jam i lumtur që mu dha mundësia të përshëndes këtë konferencë shkencore, interesante si për tematikën dhe risitë që sjell, ashtu edhe për pjesëmarrjen dhe peshën që ajo ka në veprimtaritë shkencore të fakultetit.
Siç jeni në dijeni, kjo konferencë vjen si bashkëpunim i Institutit të Studimeve Evropiane me Departamentin e Gjeografisë. Gjej rastin të përgëzoj kolegët Sulo dhe Hanxhari, bordin shkencor dhe atë ekzekutiv, për këtë gjetje interesante dhe domethënëse, pasi dëshmon frymën që karakterizon punën në këtë fakultet.
Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë është një ndër njësitë kryesore më të hershme dhe më komplekse të Universitetit të Tiranës, në të cilën kontribuojnë studiues të mirënjohur të historisë, gjeografisë, gjuhës, letërsisë, arkeologjisë, trashëgimisë kulturore, gazetarisë dhe komunikimit, çështjeve evropiane, marrëdhënieve ndërkombëtare etj. Çdo vit në këtë fakultet diplomohen dhe kualifikohen profesionistë të shumë fushave; organizohen konferenca dhe tubime të tjera shkencore; botohen monografi, libra, revista, tekste universitare; hartohen e zbatohen projekte kërkimore-shkencore, rezultatet e të cilave promovohen dhe shpërndahen tek studiuesit dhe studentët; priten personalitete të shquara të shkencës, kulturës, artit, gazetarisë, politikës, diplomacisë, çështjeve evropiane e marrëdhënieve ndërkombëtare, vendës dhe të huaj, me të cilët zhvillohen debate të gjera për çështje të rëndësishme të kohës. ISE-ja dhe Departamenti i Gjeografisë kanë pjesën e tyre të konsiderueshme në të gjitha këto veprimtari.
Krahas bashkëpunimit dhe ndërveprimit me njësitë bazë në kuadër të fakultetit e të njësive të tjera kryesore të UT-së, ISE-ja dhe Departamenti i Gjeografisë kanë zhvilluar marrëdhënie të qëndrueshme me partnerë vendës dhe të huaj, duke u angazhuar në projekte e studime me interes shtetëror, ndërshtetëror dhe rajonal, sidomos në çështje të zhvillimeve evropiane, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikave të integrimit euro-atlantik; planifikimit hapësinor, rregullimit dhe organizimit të territorit; të zhvillimit demografik, social dhe ekonomik; të politikave mjedisore dhe të valorizimit të peizazhit; të zhvillimeve politiko-administrative dhe gjeopolitike; të gjeostatistikës dhe sistemeve të informacionit gjeografik; të teorive, praktikave dhe modeleve zhvillimit rajonal; të marrëdhënieve ndërkufitare; të vlerësimit dhe menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore dhe njerëzore etj.
ISE-ja dhe Departamenti i Gjeografisë kanë ditur të orientohen mirë, duke njohur dhe respektuar kërkesat e kohës, si dhe duke u angazhuar gjithnjë e më shumë në realizimin e studimeve me karakter praktik dhe aplikativ, të cilat i shërbejnë zhvillimit të vendit, në rrugën e përafrimit me shtetet e Bashkimit Evropian, pjesë e të cilit Shqipëria aspiron të jetë.
Këto dy njësi mësimore-shkencore meritojnë të lavdërohen për peshën e konsiderueshme që mbajnë në ndërgjegjësimin e komuniteteve dhe të shoqërisë shqiptare për çështjet e raporteve të Republikës së Shqipërisë me shtetet, grup-shtetet dhe institucionet ndërkombëtare; të politikave dhe strategjive të integrimit; të cilësisë së mjedisit; të rolit të migrimeve në situatën dhe të ardhmen social-ekonomike të vendit; të ndikimit të reformës administrativo-territoriale në zhvillimet rajonale etj., përmes studimeve të publikuara në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit, si dhe të prezantuara në median e shkruar dhe atë audiovizive.
Gjithashtu, prej vitesh, ISE-ja dhe Departamenti i Gjeografisë janë shndërruar në qendra të formimit dhe kualifikimit shkencor për gjithë hapësirën shqiptare në Ballkanin Perëndimor, pasi këtu janë formuar qindra specialistë në nivel “master”, dhjetëra doktorë të shkencave dhe janë akorduar një numër i konsiderueshëm titujsh akademikë.
Është rasti të falënderojmë këto dy njësi për mbështetjen që u kanë ofruar studentëve për realizimin e projekteve, të cilat kanë pasur efekt si në zgjidhjen e çështjeve me interes publik, ashtu edhe në aftësimin profesional dhe shkencor të tyre.
Parë në këtë këndvështrim, ISE-ja dhe Departamenti i Gjeografisë rezultojnë efikasë dhe të rëndësishëm jo vetëm për Universitetin e Tiranës, por edhe për vendin dhe kombin shqiptar në tërësi.
Konstatojmë me kënaqësi që çdo anëtar i ISE-së dhe i departamentit e vlerëson seriozisht mësimdhënien dhe përpiqet maksimalisht për të përcjellë tek gjeneratat e studentëve dije shkencore bashkëkohore, me qëllim formimin sa më të plotë e cilësor të tyre. Krahas saj, çdo pedagog i këtyre njësive punon me përkushtim për kualifikimin shkencor individual. Besojmë plotësisht se edhe angazhimi në këtë konferencë do t’i shërbejë gjithsecilit, jo vetëm për pasurimin e CV-së, por realisht për zgjerimin e thellimin e dijeve shkencore.
Ndërkohë, aktet e plota të konferencës, të cilat do të botohen së shpejti, do t’u shërbejnë studentëve dhe studiuesve në punën e tyre mësimore dhe kërkimore-shkencore.
Duke falënderuar ngrohtësisht organizatorët dhe mbështetësit e kësaj konference, dëshirojmë t’u urojmë suksese të gjithë pjesëmarrësve, si dhe t’i garantojmë ata se Dekanati i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë do të shfrytëzojë të gjitha burimet e mundshme për të organizuar më shumë veprimtari shkencore në të ardhmen.
Faleminderit për vëmendjen!
Prof. dr. Sabri LAÇI
Tiranë, më 14.02.2020