Fjala përshëndetëse e Prof. Dr. Sabri Laçi në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare të Departamentit të Letërsisë “Botët e përkthyera të letërsisë: nga përkthimi te krijimi”
E nderuar Përgjegjëse e Departamentit të Letërsisë, Prof. asoc. dr. Lili SULA,
Të nderuar mysafirë nga Republika e Kosovës,
Të nderuar kolegë,
Të dashur studentë,
Është kënaqësi e veçantë që të përshëndes këtë konferencë shkencore, interesante si për tematikën dhe mesazhet që përcjell, ashtu edhe për pjesëmarrjen dhe peshën që ajo ka në veprimtaritë shkencore të fakultetit.
Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë i Universitetit të Tiranës është një tempull i spikatur i dijes, vatër e lirisë së fjalës, debatit shkencor dhe kritikës së shëndetshme, ku janë formuar korifenj të albanologjisë dhe ku kontribuojnë studiues të mirënjohur të historisë, gjeografisë, gjuhës, letërsisë, arkeologjisë, trashëgimisë kulturore, gazetarisë dhe komunikimit, çështjeve europiane, marrëdhënieve ndërkombëtare etj.
Çdo vit në këtë fakultet diplomohen dhe kualifikohen profesionistë të shumë fushave; organizohen konferenca dhe tubime të tjera shkencore; botohen monografi, libra, revista, tekste universitare; hartohen e zbatohen projekte kërkimore-shkencore, rezultatet e të cilave promovohen dhe shpërndahen tek studiuesit dhe studentët; priten personalitete të shquara të shkencës, kulturës, artit, gazetarisë, politikës, diplomacisë, vendës dhe të huaj, me të cilët zhvillohen debate të gjera për çështje të rëndësishme të kohës. Departamenti i Letërsisë është kontribuues i rëndësishëm në të gjitha këto veprimtari.
Krahas tyre, ai ka meritën e krijimit të traditës së bukur dhe të dobishme të organizimit të veprimtarive prezantuese dhe promovuese të publikimeve në nivel fakulteti, në “Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të së Drejtës së Autorit”. Përveç risjelljes në vëmendje të studiuesve, studentëve dhe lexuesve të tjerë të vlerave të leximit në përgjithësi e të leximit të krijimtarisë artistike në veçanti, më 23 prill të çdo viti, ky aktivitet gjallëron fakultetin dhe krijon mundësi për zgjerimin e bashkëpunimit me shtëpitë botuese dhe partnerë të tjerë të botës universitare.
Është rasti të falënderojmë Departamentin e Letërsisë edhe për hapësirën që ka krijuar për çdo pedagog dhe njësi bazë që gjatë asaj dite, të prezantojnë botimet vjetore të të gjitha kategorive.
Gjithashtu, ky departament meriton të lavdërohet për peshën e konsiderueshme që mban në Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, që organizohet çdo vit në mjediset e Universitetit të Prishtinës, si një veprimtari shkencore me kontribut të veçantë në studimet albanologjike.
Kjo njësi bazë e FHF-së tubon individualitete të spikatura në fushën e studimeve, krijimtarisë, kritikës dhe përkthimeve letrare, ashtu si edhe në atë të komunikimit publik përmes mediave të shkruara dhe atyre audiovizive. Në këtë këndvështrim, Departamenti i Letërsisë rezulton divers dhe shumë interesant: një aset i çmuar jo vetëm për Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, por edhe për vendin dhe kombin shqiptar në tërësi.
Konstatojmë me kënaqësi që çdo anëtar i departamentit e vlerëson seriozisht detyrën kryesore: atë të përcjelljes së dijeve shkencore bashkëkohore tek studentët, me qëllim formimin sa më të plotë e cilësor të gjeneratave të reja të mësuesve dhe letrarëve. Krahas saj, çdo pedagog i departamentit punon vazhdimisht për kualifikimin shkencor individual. Jemi besimplotë se, edhe pjesëmarrja në këtë konferencë do t’i shërbejë gjithsecilit jo vetëm për pasurimin e CV-së, por realisht për zgjerimin e thellimin e dijeve shkencore.
Ndërkohë, aktet e plota të konferencës do të botohen për t’u vënë në dispozicion të studentëve dhe studiuesve, si literaturë në punën mësimore dhe atë kërkimore-shkencore.
Duke falënderuar ngrohtësisht organizatorët dhe mbështetësit e kësaj konference, dëshirojmë t’u urojmë suksese të gjithë pjesëmarrësve, si dhe t’i garantojmë ata se Dekanati i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë do të shfrytëzojë të gjitha burimet e mundshme për të organizuar më shumë veprimtari shkencore në të ardhmen.
Faleminderit për vëmendjen!
Prof. dr. Sabri LAÇI
Tiranë, më 12.02.2020