Fjala përshëndetëse  e Dekanit të FHF-së, Prof. dr. Sabri LAÇI në Ceremoninë e Diplomimit të studentëve

07.11.2019


I nderuar Rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Prof. dr. Marenglen VERLI,

I nderuar Akademik, Prof. dr. Artan FUGA,

Të nderuar kolegë, Dekanë të fakulteteve të UT-së: Prof. Dh. Kule, Prof. S. Drushku, Prof. A. Hoxha, Prof. E. Rapti, Prof. A. Sula,

I nderuar Administrator i UT-së, Z. Skerdi DAFA,

Të nderuar prindër dhe të afërm të studentëve të diplomuar,

Të dashur pedagogë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë,

Të dashur studentë të sapo diplomuar,

Mirë se erdhët në këtë ceremoni festive!

Dëshiroj që emër të stafit akademik të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë dhe të diplomantëve t’ju falënderoj ngrohtësisht për nderin që na bëni, duke marrë pjesë në këtë ceremoni dedikuar kurorëzimit me sukses të punës disavjeçare të studentëve tanë.

Gjithashtu, dëshiroj t’ju them se kjo festë na emocionon të gjithëve, pra edhe ne pedagogëve, pasi shohim frytet e shëndetshme të punës sonë të përditshme. Shohim studentët tanë të pajisur me dije shkencore dhe aftësi profesionale bashkëkohore, të gatshëm për t’u përballuar me sfidat e tjera të shumta të jetës.

Kjo ditë, më shumë se çdo ditë tjetër në profesionin tonë, na bën të ndjehemi krenar për ju, që jeni elita e rinisë shqiptare, promotori i ndryshimit dhe i zhvillimit të vendit.

Të dashur diplomantë,

Vit pas viti kemi parë të rriteni fizikisht dhe të formoheni nga ana profesionale e shkencore, duke na bindur për vlerat tuaja morale, për kurajën tuaj rinore, për etjen tuaj për dije dhe vullnetin për të studiuar, duke ndjekur modelet e personaliteteve të shquara, që kanë studiuar dhe punuar në këtë fakultet. Programet në të cilat ju keni zgjedhur të studioni: historia, gjeografia, gjuha shqipe, letërsia, gazetaria dhe komunikimi, arkeologjia dhe trashëgimia kulturore, janë fusha të gjera e të pashtershme kërkimi, me vlerë të madhe edukative dhe rëndësi kombëtare të veçantë. Duke studiuar në këto fusha, ju jeni përgatitur për t’i shërbyer me përkushtim dhe profesionalizëm edukimit të brezit të ri dhe për të thelluar më tej studimet në shkencat albanologjike etj.

Të dashur diplomantë,

Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, ku ju keni zgjedhur të kryeni studimet, është një prej gjashtë fakulteteve të universitetit më të mirë të vendit, prandaj më lejoni që edhe në emrin tuaj të falënderoj ngrohtësisht autoritetet dhe strukturat drejtuese të Universitetit të Tiranës dhe të çdo fakulteti në veçanti për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë e të frytshëm në realizimin procesit mësimor dhe të kërkimit shkencor.

Më lejoni gjithashtu të falënderoj çdo pedagog, efektiv dhe të ftuar, që ka kontribuar në formimin tuaj, autoritetet dhe strukturat drejtuese administrative të UT-së dhe FHF-së, si dhe çdo punonjës ndihmës akademik dhe administrativ për angazhimin me përkushtim për mbarëvajtjen e punëve në fakultet.

Dëshiroj të falënderoj shumë sinqerisht Akademinë e Studimeve Albanologjike, Ministrinë e Kulturës, Akademinë e Shkencave dhe Fondacionin ALSAR, që gjatë këtij viti kanë kontribuar me bujari për pasurimin e Bibliotekës së FHF-së me qindra botime të reja, të cilat janë vënë në dispozicion të studentëve dhe të stafit akademik.

Kërkoj leje për të falënderuar në mënyrë të veçantë Zyrën Kombëtare të ERASMUS+ për vëmendjen që i ka kushtuar mobilitetit të stafit akademik dhe të studentëve të FHF-së për studime, mësimdhënie, trajnime, kërkim shkencor dhe projekte.  Kemi vërejtur me kënaqësi që numri i përfituesve është rritur, duke ndikuar në përmirësimin e punës së gjithsecilit, si dhe në rritjen e cilësisë së punës mësimore-shkencore në fakultet.

Vlerësime dhe falënderime kemi për Agjencinë e Parqeve dhe të Rekreacionit, për gatishmërinë e treguar për të na ofruar pa pagesë mjediset e amfiteatrit të Liqenit Artificial të Tiranës, për Ceremoninë e Diplomimit, pavarësisht se koha nuk na lejoji.

 Respekt dhe mirënjohje të thellë dëshiroj të shpreh për prindërit dhe të afërmit tuaj, të cilët ju kanë mbështetur pa asnjë kusht për përfundimin me sukses të studimeve dhe realizimin e ëndrrave tuaja.

Të dashur diplomantë,

Jo vetëm prindërit tuaj dhe ne, por gjithë kombi i ka sytë tek ju, sepse ju jeni shpresa e këtij vendi. E ardhmja ju përket ju dhe ne të gjithë kemi besim të plotë që do të dini ta ndërtoni atë siç duhet.

Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë i UT-së do t’i mbajë dyert të hapura për ju. Stafet akademike dhe ato ndihmëse do të jenë kurdoherë të gatshme e të përkushtuara për t’ju ofruar gjithçka që do t’ju nevojitet për të studiuar e bashkëpunuar në kuadër të projekteve dhe të veprimtarive shkencore, për të thelluar e zgjeruar dijet dhe për të ngjitur shkallët e karrierës profesionale dhe akademike. Jeni dhe do të jeni kurdoherë të mirëpritur.

T’i gëzoni diplomat, të cilat i keni merituar plotësisht!

Suksese!

Shpërnda lajmin:

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *