24.11.2026

Hapet thirrja për bursat “You and Europe” për studime Master në Gjermani


Fondacioni Alfred Toepfer Stiftung F.V.S., në bashkëpunim me Fondacionin Kombëtar Akademik Gjerman (Studienstiftung des deutschen Volkes), njofton hapjen e thirrjes për aplikime në programin e bursave “You and Europe”.

Ky program u drejtohet studentëve ekselentë evropianë (përfshirë studentët nga Shqipëria) të cilët dëshirojnë të kryejnë të gjithë programin e tyre të studimeve Master në një universitet në Gjermani, duke filluar në Vjeshtë 2027, dhe që kanë interes të lartë për shkëmbimin dhe bashkëpunimin evropian.

Kriteret e Pranimit

  • Shtetësia: Programi është i hapur për studentët nga Shqipëria (si dhe nga vendet e tjera pjesëmarrëse të përcaktuara në thirrje);

  • Fushat e studimit: Të gjitha disiplinat në universitete dhe universitete të shkencave të aplikuara (me përjashtim të akademive të arteve e muzikës dhe programeve në arte pamore/performuese, dizajn, film dhe muzikë);

  • Arsimimi i mëparshëm: Nuk kualifikohen studentët që kanë përfunduar tashmë kualifikimin e hyrjes në arsimin e lartë ose diplomën Bachelor në Gjermani;

  • Performanca akademike: Kandidatët duhet të kenë arritur rezultate mbi mesataren dhe të jenë ndër 10–15% e studentëve më të mirë të vitit të tyre akademik.

Përfitimet e Bursës

  1. Bursë mujore: Nga 300 EUR deri në 1,155 EUR në muaj (në varësi të nevojave financiare), plus përfitime shtesë (subvencione për sigurimin shëndetësor, shtesa familjare etj.) për kohëzgjatjen standarde të studimeve Master;

  2. Takime vjetore (network meetings): Pjesëmarrje në 2 takime vjetore mbi tematika evropiane me të gjithë bursistët e You and Europe (akomodimi, ushqimi dhe tarifat mbulohen plotësisht, ndërsa shpenzimet e udhëtimit subvencionohen);

  3. Mbështetje nga bashkëmoshatarët (Peer Programme): Caktimi i një bursisti të Studienstiftung në qytetin universitar për orientim dhe ndihmë praktike pas mbërritjes në Gjermani;

  4. Pranim në programin e Studienstiftung: Për studentët nga vendet e BE-së dhe vendet kandidate për anëtarësim në BE (përfshirë Shqipërinë).

Procedura e Aplikimit dhe Afatet

Procesi i aplikimit zhvillohet në dy hapa të detyrueshëm:

  1. Nominimi nga një pedagog universitar: Studentët duhet të nominohen fillimisht nga një profesor i universitetit në mënyrë digjitale përmes faqes zyrtare www.you-and-europe.de.

    • Afati i fundit për nominime: 2 Dhjetor 2026

  2. Dorëzimi i dokumentacionit nga studenti: Pas nominimit, aplikantët dorëzojnë dokumentet e plota të aplikimit.

    • Afati i fundit për dorëzimin e dokumenteve: 4 Janar 2027

Për informacion të detajuar mbi kriteret dhe udhëzimet e nominimit, vizitoni faqen zyrtare: www.you-and-europe.de.

Për pyetje shtesë, mund të kontaktoni Drejtuesen e Bursave në Fondacionin Toepfer, znj. Joanne Sonnemäker, në adresën: yes@toepfer-stiftung.de.


Më të fundit

Nuk ka asnjë njoftim në kategorinë Erasmus+ .

Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë - Të gjitha të drejtat e rezervuara