Laboratori i Fonetikës “Giovanni M.G. Belluscio”


Laboratori i Fonetikës “Giovanni M.G. Belluscio” është qendra e parë e specializuar e fonetikës eksperimentale në Shqipëri, e ngritur në vitin 2006, pranë Departamentit të Gjuhësisë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës.

Laboratori shërben si një mjedis i integruar për mësimdhënie, kërkim shkencor dhe trajnim akademik në fushat e fonetikës, fonologjisë, fonetikës eksperimentale, fonotaktikës, sociofonetikës dhe teknologjive të të folurit. Ai mbështet zhvillimin e punimeve bachelor, master dhe doktoraturë, si edhe projekte kërkimore kombëtare e ndërkombëtare.

Në vitin 2020, me vendim të Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës, laboratori mori emrin “Giovanni M.G. Belluscio”, në nderim të fonetikanit dhe dialektologut arbëresh, “Albanologut me zemër të bardhë”. Falë punës së Belluscio-s, studimet moderne të fonetikës së shqipes hynë në një etapë të re, duke u rithemeluar jo vetëm  metodologjikisht, por edhe duke u shtrirë në një numër çështjesh të patrajtuara kurrë më parë apo që nuk kishin gjetur zgjidhje. Ai i shtriu kërkimet në të gjitha trevat albanofone të Ballkanit, duke u përpjekur të kërkojë arketipin e variantit shqiptimor standard përballë të gjitha varianteve sociale e dialektore, në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Bullgari, Turqi etj.

Sot, laboratori përfaqëson një hapësirë strategjike për zhvillimin e kërkimeve mbi të folurin dhe gjuhën, duke përdorur metoda instrumentale dhe programe kompjuterike për analizën akustike të zërit. Veprimtaria e tij lidhet ngushtë me zhvillimet bashkëkohore në:

  • teknologjitë e të folurit;
  • inteligjencën artificiale dhe krijimin e modeleve të klasifikimit fonologjik;
  • krijimin e bazave të të dhënave;
  • studimet mbi shqiptimin standard dhe variacionin dialektor dhe social;
  • dokumentimin dhe ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore shqiptare;
  • analizë forensike të të folurit.

 

Laboratori përdoret për zhvillimin e veprimtarive mësimore dhe kërkimore në fushën e fonetikës eksperimentale. Ai u ofron studentëve dhe studiuesve mundësinë të njihen dhe të punojnë me programe të specializuara për analizën akustike të të folurit, veçanërisht Praat dhe Multi-Speech, të përdorura gjerësisht në studimet fonetike bashkëkohore. Në laborator realizohen analiza të parametrave akustikë të tingujve të shqipes dhe të varieteteve të saj për zhvillimin eprojekteve institucionale, kombëtare dhe ndërkombëtare.


Përgjegjës:
Prof. dr. Aljula Jubani (aljula.jubani@fhf.edu.al)

Prof. dr. Dhimitri Bello (dhimitri.bello@fhf.edu.al)

Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë - Të gjitha të drejtat e rezervuara