2.6.2026

Në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë u organizua simpoziumi “COST Action DepolarizingEU”


Në këtë simpozium, profesorë të njohur të shkencave të komunikimit dhe të shkencave politike nga Spanja, Çekia, Norvegjia, Suedia, Belgjika, Austria, Italia, Gjermania, Turqia etj., u takuan me politikëbërës në Shqipëri për të diskutuar mbi temën “Depolarizimi e debatit publik në vendet e zgjerimit të BE-së”.

Simpoziumi bëri bashkë perspektivat akademike, institucionale dhe politikëbërëse mbi mënyrën se si polarizimi ndikon në debatin demokratik në vendet që po kalojnë përmes procesit të zgjerimit të BE-së.

Të pranishmit patën mundësinë të ndiqnin qasjet dhe këndvështrimet e Dekanit, prof. dr. Mark Marku; André Rizzo-s, shef i Seksionit të Integrimit Evropian, Politikës, Shtypit dhe Informacionit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri; prof. asoc. dr. Iris Luarasit, anëtare e Asamblesë Parlamentare Evropiane dhe zëvendëskryetare e Komisionit për Mediat në Parlamentin e Shqipërisë; si dhe të zëvendësministrit të Drejtësisë, z. Tedi Dobi, njëherësh negociator për Kapitullin e Gjyqësorit dhe të drejtave themelore në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Gjatë diskutimeve u vu në dukje fakti se depolarizimi nuk është thjesht një çështje akademike, por një sfidë praktike politike e lidhur ngushtë me qëndrueshmërinë demokratike, pluralizmin e mediave, besimin institucional dhe komunikimin publik konstruktiv.

Duke bërë bashkë politikëbërësit dhe kërkuesit shkencorë në një dialog të drejtpërdrejtë, simpoziumi pasqyroi angazhimin e projektit “DepolarisingEU” për të lidhur njohuritë akademike me sfidat demokratike të botës reale në mbarë Evropën dhe në vendet e zgjerimit.


Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë - Të gjitha të drejtat e rezervuara