Nën udhëheqjen e Prof. Asoc. Dr. Sonila Sinjari, Dr. Dritan Lloçi dhe Msc. Xhulia Bygjymi, u zhvillua me sukses mobiliteti akademik në kuadër të programit ndërkombëtar CEEPUS – GEOREGNET. Ky aktivitet u zhvillua në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës, nën kodin e mobilitetit M-CZ-0111-2526-214821 dhe rrjetin akademik CZ-0111-20-2526 – “Geography and Regional Development in Central and Southeastern Europe”.
Në këtë mobilitet morën pjesë studentë dhe staf akademik të Departamentit të Gjeografisë. Përmes një serie aktivitetesh akademike, kërkimore dhe kulturore të shtrirë në Prishtinë dhe Prizren, pjesëmarrësit patën mundësinë të shkëmbejnë përvoja me vlerë në funksion të ndërkombëtarizimit dhe zhvillimit profesional në fushën e gjeografisë dhe zhvillimit rajonal.
Gjatë programit u realizuan ekspedita dhe guida studimore në qytetin historik të Prizrenit dhe në Prishtinë. Studentët eksploruan nga afër trashëgiminë kulturore, organizimin urban, transformimet territoriale, si dhe rëndësinë e objekteve të kultit si vlera të bashkëjetesës dhe tolerancës ndërfetare në Kosovë.
Një pjesë thelbësore e mobilitetit ishte zhvillimi i orëve mësimore dhe praktikës në terren në Fakultetin e Edukimit, nën udhëheqjen e Prof. Tomorr Çela, në kuadër të lëndës “Gjeografi në Natyrë”. Gjatë kësaj praktike, studentët realizuan matje fizike dhe digjitale në terren, duke analizuar metodat bashkëkohore të kërkimit dhe saktësinë e matjeve gjeografike.
Pjesëmarrësit zhvilluan gjithashtu një vizitë studimore në Departamentin e Gjeografisë të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN) në Universitetin e Prishtinës, ku u mirëpritën nga Prof. Fitim Humolli. Gjatë kësaj vizite u mbajtën ligjërata mbi:
Zhvillimin e mendimit gjeografik;
Metodat bashkëkohore kërkimore;
Përdorimin e teknologjisë GIS në analizat territoriale.
Programi u pasurua më tej me vizita studimore në institucionet kryesore kulturore e akademike të Kosovës, si Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Muzeu Etnografik, të cilat zgjeruan horizontin kulturor dhe profesional të studentëve.
Një moment i rëndësishëm i vizitës ishte pritja zyrtare në Dekanatin e FSHMN-së nga Dekani, Prof. Dr. Kajtaz Bllaca, dhe Prodekani, Prof. Asoc. Dr. Ferim Gashi. Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për bashkëpunime të mëtejshme akademike dhe projekte të përbashkëta ndërinstitucionale.
Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore të Universitetit të Prishtinës, u prezantua teksti mësimor i ri me autorë Pal Nikolli, Sonila Sinjari dhe Ferim Gashi. Ky botim fokusohet në analizat hapësinore dhe aplikimin e teknologjisë GIS në studimet gjeografike dhe zhvillimin territorial.
Shprehim një mirënjohje të veçantë për koordinatorët e rrjetit CEEPUS – GEOREGNET, Prof. Arsim Ejupi dhe Prof. Dr. Romeo Hanxhari, për mbështetjen e vazhdueshme, bashkëpunimin e shkëlqyer dhe kontributin e tyre në realizimin me sukses të këtij mobiliteti akademik ndërkombëtar.
Më të fundit