Në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë u zhvillua një seancë demonstrative e Ndihmës së Parë, në bashkëpunim me ekipin profesional të Kryqit të Kuq. Kjo nismë u organizua nga profesorët e edukimit fizik dhe sporteve, Marlind Pelushi dhe Ilir Cani, me pjesëmarrjen e studentëve nga FHF dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja.
Aktiviteti u përshëndet nga Dekani i FHF, prof. dr. Mark Marku, dhe zv. dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja prof. dr. Kristina Sheperi, të cilët theksuan rëndësinë e aftësive të ndihmës së parë për çdo student dhe rolin e tyre human në jetën e përditshme.
Gjatë seancës, instruktorët e certifikuar të Kryqit të Kuq demonstruan teknika thelbësore të ndihmës së parë, si vlerësimi i të lënduarit, rivendosja e frymëmarrjes, masazhi kardiak dhe hapat bazë të reagimit në emergjencë. Studentët patën mundësinë të përfshiheshin aktivisht në pjesën praktike.
Profesorët organizatorë shprehën angazhimin për të vijuar me trajnime të ngjashme, me qëllim që studentët të pajisen me njohuri të rëndësishme në fushën e sigurisë dhe shëndetit.