Dy zv/dekanët e FHF-së, Dr. Elsa Rakipllari dhe Dr. Andi Pinari, pedagogu Andi Rëmbeci, drejtuesja e zyrës së Karrierës, Msc. Blerina Korreshi, si dhe përfaqësues të Këshillit Studentor dhe studentë nga degë të ndryshme të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë zhvilluan takime me strukturat studentore të Universitetit të Prizrenit "Ukshin Hoti" dhe Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina".
Qëllimi ishte shkëmbimi i përvojave dhe vendosja e urave të bashkëpunimit, veçanërisht për aktivitete studentore të përbashkëta që pasurojnë jetën universitare.
Në Universitetin e Prizrenit grupi përfaqësues i Fakultetit u prit nga Dekani, Prof. dr. Xhafer Beqiraj, si dhe profesorë të tjerë të fakultetit. Zv/dekanët prezantuan aktivitetet studentore të FHF-së, shkollat verore, ndërsa studentët ndanë përvojat e tyre në klube dhe aktivitete.
Më tej vizita ishte në Fakultetin e Filologjisë, të Universitetit të Prishtinës, ku mikpriti zv.dekani Prof. asoc. dr. Isa Memishi, pedagogë të Fakultetit e përfaqësues të Unionit Studentor. Falë marrëveshjes së bashkëpunimit që Universiteti i Tiranës ka nënshkruar me Universitetin e Prishtinës, takimi u përqendrua në hapat më konkretë rreth bashkëpunimit të këshillave studentore, krijimit të përbashkët të klubeve studentore e forumeve me interesa të përbashkët. Studentët e të dy fakulteteve, patën mundësi të njihnin përvojat e njëri- tjetrit dhe biseduan me kërshëri e pasion për aktivitete të përbashkëta, që e forcojnë bashkëpunimin mes universiteteve të Shqipërisë e Kosovës.