17.5.2024

FHF: “Java e Këshillimit të Karrierës”, edicioni III


Prej datës 14–17 maj 2024, nga Zyra e Këshillimit të Karrierës, çdo ditë nga ora 13:00–15:00, në sallën “Konrad Adenauer” të Fakultetit, nën kujdesin e Dekanit të Fakultetit, prof. dr. Sabri Laci, në bashkëpunim të ngushtë me zv.dekanen për Studentët, znj. Elsa Rakipllari, si dhe me ndihmën e shumë lektorëve të ftuar nga jashtë fakultetit, vendas dhe të huaj, specialistë të fushës së Burimeve Njerëzore, u zhvillua “Java e Këshillimit të Karrierës” edicioni III.

Gjatë kësaj jave, lektorët ndanë njohuritë dhe përvojat e tyre me studentët e Fakultetit mbi tema specifike që lidhen me punësimin.

Meqenëse Këshillimi për Karrierën u realizua në formën e një trajnimi disaditor, në përfundim të Javës së Këshillimit të Karrierës u mendua që studentët pjesëmarrës të pajiseshin me “Certifikata Pjesëmarrjeje”, ndërsa lektorët me “Certifikata Mirënjohjeje”.

“Java e Këshillimit të Karrierës” 2024, u organizua me qëllim për t’u ardhur në ndihmë studentëve të ciklit Bachelor dhe Master në ndërtimin e projektit të tyre profesional në të ardhmen. U trajtuan tema të shumta kushtuar hartimit të CV-së, letrës prezantuese/motivuese dhe intervistës së punës. Studentët u informuan gjithashtu rreth kanaleve të rekrutimit për gjetjen e një pune të përshtatshme, mbi rolin e rrjeteve sociale dhe rëndësinë e reputacionit online në kohët dixhitale. Po ashtu, u trajtua tema e vetëpunësimit dhe e aftësive të lidershipit, veçanërisht në drejtim të ideve sipërmarrëse. Studentëve që kishin ide konkrete iu ofrua informacion mbi mjetet dhe hapat e nevojshëm për zhvillimin e tyre në praktikë. Gjatë kësaj jave u diskutua gjithashtu edhe mbi rëndësinë e internshipeve dhe punës vullnetare në formimin profesional.


Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë - Të gjitha të drejtat e rezervuara