Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë është një nga gjashtë fakultetet e Universitetit të Tiranës. Sot përbëhet nga gjashtë departamente, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre studimor në fusha si Histori, Gjeografi, Gjuhësi, Letërsi, Gazetari dhe Komunikim, Arkeologji dhe Trashëgimi Kulturore. Fakulteti ofron programe studimore të të gjitha niveleve.
I integruar në Universitetin Shtetëror të Tiranës që nga krijimi i tij në vitin 1957, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë sot ofron 6 programe studimi Bachelor, 13 programe të studimeve pasuniversitare Master i Shkencave dhe Master Profesional si edhe studime në nivelin doktoral.
Fakulteti ka në bazë të veprimtarisë së vet MENDIMIN SHKENCOR KRITIK në mbështetje të formimit pedagogjik dhe aktivitetit kërkimor. Aktivitetet akademike të promovuara nga departamentet synojnë të japin një kontribut të rëndësishëm në JETËN SOCIALE të vendit.
Stafi i Fakultetit tonë merr pjesë aktive në PROJEKTE KËRKIMORE në bashkëpunim dhe partneritet me kolegët e INSTITUCIONEVE TË HUAJA KËRKIMORE.
Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë ka si objektiv parësor përgatitjen e mësuesve, gazetarëve, studiuesve të historisë, të arkeologjisë, të trashëgimisë kulturore, të gjuhës dhe të letërsisë, të gjeografisë, të medias dhe komunikimit, nëpërmjet programeve dhe kërkimit shkencor.
Mbështetur ligjin nr.113/2020 për “Shtetësinë“, çdo shtetas i huaj që dëshiron të fitojë shtetësinë shqiptare duhet të kalojë me sukses provimin e Gjuhës Shqipe.
Provimi i Gjuhës Shqipe për fitimin e shtetësisë shqiptare do të organizohet më 25 prill 2025, në orën 12:00, në Departamentin e Gjuhës Shqipe, pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë. Për raste përjashtimore, aplikantët do të njoftohen për datat përmes faqes zyrtare të Fakultetit.
Kandidati mund të regjistrohet në njërin nga nivelet: A1, A2, B1, B2, C1, C2, ose në nivelin e përgjithshëm.
Regjistrimi kryhet pranë Departamentit të Gjuhës Shqipe dhe njëkohësisht online (apliko këtu…)
Afati i aplikimit online në website është deri 1 ditë përpara datës së shpallur për zhvillimin e provimit.
Ditën që do t’i nënshtrohen provimit, aplikantët duhet të kenë me vete dokumentin e identifikimit dhe mandatin e pagesës së tarifës së regjistrimit.
Provimi i Gjuhës Shqipe për fitimin e shtetësisë shqiptare kushton 5,000 lekë, (mandati për kryerjen e pagesës shkarkohet këtu…). Kjo tarifë është e pakthyeshme nëse aplikanti dështon të fitojë pikët e mjaftueshme për të kaluar testin.
Certifikata e provimit firmoset nga Përgjegjësi i Departamentit të Gjuhësisë dhe Dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë. Pas një jave kandidati merr këtë certifikatë.
Nëse aplikanti dështon në provimin e Gjuhës Shqipe, ai mund ta përsërisë atë në datën e ardhshme të caktuar nga Departamenti i Gjuhës Shqipe. Për përsëritjen e provimit, aplikanti duhet të paguajë përsëri tarifën.