Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë është një nga gjashtë fakultetet e Universitetit të Tiranës. Sot përbëhet nga gjashtë departamente, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre studimor në fusha si Histori, Gjeografi, Gjuhësi, Letërsi, Gazetari dhe Komunikim, Arkeologji dhe Trashëgimi Kulturore. Fakulteti ofron programe studimore të të gjitha niveleve.
I integruar në Universitetin Shtetëror të Tiranës që nga krijimi i tij në vitin 1957, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë sot ofron 6 programe studimi Bachelor, 13 programe të studimeve pasuniversitare Master i Shkencave dhe Master Profesional si edhe studime në nivelin doktoral.
Fakulteti ka në bazë të veprimtarisë së vet MENDIMIN SHKENCOR KRITIK në mbështetje të formimit pedagogjik dhe aktivitetit kërkimor. Aktivitetet akademike të promovuara nga departamentet synojnë të japin një kontribut të rëndësishëm në JETËN SOCIALE të vendit.
Stafi i Fakultetit tonë merr pjesë aktive në PROJEKTE KËRKIMORE në bashkëpunim dhe partneritet me kolegët e INSTITUCIONEVE TË HUAJA KËRKIMORE.
Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë ka si objektiv parësor përgatitjen e mësuesve, gazetarëve, studiuesve të historisë, të arkeologjisë, të trashëgimisë kulturore, të gjuhës dhe të letërsisë, të gjeografisë, të medias dhe komunikimit, nëpërmjet programeve dhe kërkimit shkencor.
Të kuptuarit: Studenti në këtë nivel nuk ka asnjë vështirësi për të kuptuar gjuhën e folur qoftë drejtpërdrejtë, qoftë në media, qoftë kur flitet shpejt dhe me shkurtesa. Gjithashtu, ai mund të lexojë pa asnjë vështirësi çdo lloj teksti, madje edhe abstrakt dhe të ndërlikuar, si nga përmbajtja ashtu edhe nga forma. Ai ka një përvetësim të mirë të një repertori të gjerë leksikor të shprehjeve idiomatike dhe të shpeshta, si dhe një ndërgjegjësim të lartë për nivelin e konotacionit semantik.
Të folurit:Studenti mund të marrë pjesë pa asnjë sforcim në çdo bisedë apo diskutim, si dhe të ndihet mirë me përdorimin e frazeologjive. Ai mund të shprehet lirshëm dhe të sqarojë me saktësi nuanca të holla kuptimore.
Të shkruarit: Studenti në këtë nivel mund të shkruajë një tekst të qartë, të rrjedhshëm dhe me stil të përshtatshëm, sipas rrethanave. Ai mund të hartojë letra, raporte ose artikuj të ndërlikuar, me një ndërtim të qartë që i lejon lexuesit të mbajë mend pikat më të rëndësishme. Gjithashtu, ai mund të përmbledhë dhe të kritikojë me shkrim një vepër profesionale ose një vepër letrare.
Njohuri gramatikore: Në këtë nivel studenti mund të mbajë në mënyrë të vazhdueshme një nivel të lartë të korrektësisë gramatikore.