Departamenti i Gjuhësisë


Departamenti i Gjuhësisë dhe Departamenti i Letërsisë janë vijim i Katedrës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe që është themeluar gjatë vitit akademik 1959-1960. Krijimi i kësaj katedre në atë mot ishte shprehje e kërkesave të shumta që kishte shkolla jonë për mësues të lëndëve të gjuhës shqipe dhe të letërsisë, si dhe për punonjës shkencorë në lëmin e gjuhësisë, të letërsisë shqiptare dhe të folklorit.

Objektivi fillestar i katedrës ishte përgatitja sa më e mirë e mësuesve duke aktivizuar figurat më të dalluara të kohës.

Në këta 60 vjet keto departamente kanë ardhur duke u rritur dhe zgjeruar si me staf akademik, ashtu edhe në problematikën e parashtruar në planet e programet mësimore si dhe në organizimin e punës mësimore e shkencore. Kjo veprimtari e gjerë e shtrirë në drejtimin pedagogjik, metodik, shkencor e botues bëri të domosdoshme ndarjen në dy departamente: në Departamentin e gjuhës shqipe dhe Departamentin e letersisë. Në suksesin e punës, rëndësi të veçantë ka pasur bashkëpunimi me institucinet homologe, brenda e jashtë vendit, sidomos me QSA-në.

Këto dy departamente mbajnë mbi supe nje punë shumëvjeçare, themeluesit e së cilës kanë qenë prof. E. Çabej, prof. S. Riza, prof. M. Domi, prof. M. Xhaxhiu, Jakov Xoxe, Mark Gurakuqi etj. Studentët e diplomuar në programstudimin tonë i gjen anembanë vendit, si mësues, pedagogë, e punonjës shkencorë.

Punës së mirë të stafit tonë akademik, kapaciteteve intelektuale të tij i është bërë vlerësimi edhe nëpërmjet zgjedhjes së dy Rektorëve të Universitetit të Tiranës, si prof.dr. Ethem Likaj (1991-1992), dhe prof.dr. Shezai Rrokaj (2000-2008) apo të dy zv/rektorëve: prof.dr.Ethem Likaj dhe prof.dr. Floresha Dado.

Departamenti i Gjuhës Shqipe së bashku me Departamentin e Letërsisë së këtij fakulteti, i ka pajisur, deri në vitin 2007, studentët në fund të kursit të studimit me diplomën: “Mësues i gjuhës dhe i letërsisë për shkollat e mesme (profili gjuhësor)” dhe “Mësues i gjuhës dhe i letërsisë për shkollat e mesme (profili letersi)”.

Aktualisht këto dy departamente janë të pandara dhe mbulojnë së bashku diplomën e nivelit të parë (bachelor) si dhe diplomën e nivelit Master Profesional (mësuesi)

Duke qenë dy departamente që mbulonin në treg kryesisht profilin mësuesi, por edhe studiues letersie, kritikë letrarë, gjuhëtarë, redaktorë e korrektorë letrarë, objektivat e këtyre departamenteve në vite kanë qenë:

  1. Përgatitja cilësore e mësuesve të letërsisë dhe të gjuhës shqipe për shkollat e mesme dhe tetëvjeçare (aktualisht nëntëvjeçare)
  2. Përgatitja e specialistëve të gjuhës dhe letërsisë shqipe të cilët mund të punojnë në institucionet e ndryshme kërkimore-shkencore (në sektorët shkencorë të Akademisë së Shkencave, QSA-së, Instituti i Kulturës Popullore etj) si dhe në departamentet e gjuhës shqipe dhe të letërsisë në Universitetin e Tiranës ose në universitet e rretheve.
  3. Përgatitja e studiuesve dhe kritikëve letrarë, si dhe e punonjësve të kualifikuar që mund të punojnë në organet e shtypit e të mediave elektronike, si redaktorë, folës dhe gazetarë, si korrektorë letrarë etj.

Për të arritur një përgatitje sa më cilësore në formimin e studentëve, DGJSH dhe DL kanë mëtuar të vënë në jetë disa objektiva të cilat mendojmë se kanë ndjekur ritmet e zhvillimit të vendit tonë, të zhvillimit e të standardizimit të mëtejshëm të gjuhës shqipe, të kërkesave në rritje të shkollës e të shkencës shqiptare për cilësi, si:

  1. Përzgjedhje sa më e mirë e stafit mësimdhënës duke lakmuar nivel sa më të lartë cilësor si dhe kualifikim i vazhdueshëm shkencor i tij.
  2. Pjesëmarrje sa më e gjerë dhe me personalitet shkencor në të gjitha veprimtaritë shkencore me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e albanologjisë, brenda e jashtë vendit.
  3. Bashkëpunim shkencor e pjesëmarrje e pedagogëve tanë, krahas punonjësve shkencorë të Akademisë së Shkencave, në hartimin e veprave madhore me rëndësi kombëtare si: Gramatika e Gjuhës Shqipe I, II, Historia e Letërsisë Shqiptare, Atlasi Dialektologjik i Gjuhës Shqipe etj.
  4. Përgatitja e mësuesve të aftë profesionalisht të pajisur me dije bashkëkohore e me veti të larta morale.
  5. Rritja e nivelit të cilësisë së mësimdhënies nga ana e stafit pedagogjik duke lakmuar metodat e leksioneve bashkëkohore të tipit problemor.
  6. Nxitja e të mësuarit aktiv dhe logjik te studentët për të rritur cilësinë e përvetësimit të njohurive.
  7. Përfshirjen e studentëve në veprimtaritë shkencore të zhvilluara nga DGJSH apo DL, nga QSA si dhe Akademia e Shkencave (konferenca, sesione shkencore, përurime librash etj.)
  8. Mbështetja e orës së mësimit (ligjërata e seminare) me literaturën shkencore të nevojshme e bashkëkohore, si dhe nxitja e debatit te studentët mbi problemet aktuale të letërsisë dhe të gjuhës shqipe.
  9. Futjen e teknikave të reja të mësimdhënies si dhe pajisjen e departamenteve dhe te laboratorit të fonetikës me teknologjinë bashkëkohore.

Objektivat që paraqitëm më sipër, departamentet nuk i kanë  zhvilluar vetëm për përgatitjen e studentëve të programstudimit gjuhë-letërsi, por duke qenë njësia mësimore e shkencore e vetme me këtë profil në UT, i ka zhvilluar edhe në programe  studimi në fakultete të tjera brenda e jashtë vendit ku prej shumë vitesh, që nga krijimi i tij, stafi akademik i këtyre njësive jep mësim.

Kështu, DGJSH mbulon me mësimin e gjuhës shqipe (për v I e II në lëndët Morfologji e Sintaksë dhe për vitet e fundit Gjuhësi e Përgjithshme) të gjithë Fakultetin e Gjuhëve të Huaja,  Gjuhën Shqipe në programstudimin e Gazetarisë dhe në fakultete të tjera të UT-së, Akademinë e Arteve të Bukura, dega Dramë, Universitetin e Mjekësisë mësimin e shqipes në Universitetin e Kozencës, Kalabrisë, Beogradit (Serbi), të Arizonës (në SHBA) si dhe në qendra të tjera, si në IMHA të Selanikut, në Turqi, në Rusi.

DL mbulon me lëndën e Letërsisë shqipe gjithë Fakultetin e Gjuhëve të Huaja si dhe atë të Gazetarisë, po kështu dhe Letërsia dhe shoqëria në Fakultetin e Shkencave Sociale.

Në Departamentin e gjuhës shqipe, prej disa dhjetëvjeçarësh vijon të zhvillohet mësimi i gjuhës shqipe për studentët të huaj, të cilët çdo vit mësimor vinë në bazë të marrëveshjes kulturore shtetërore, si dhe kurse njëmujore të shqipes për të huaj që zhvillohen çdo vit nga 1-30 shtator.

Me krijimin e departamenteve homologe ne universitet e tjera te vendit tonë, pedagogët më të kualifikuar të DGJ dhe DL kanë mbuluar dhe vazhdojnë të mbulojnë si lektorë të jashtëm disa lëndë si në Universitetin e Korçës, të Vlorës, në Universitetin e Tetovës (Maqedoni), të Prishtinës (Kosovë) etj.

Për të ngritur cilësinë e mësimdhënies si dhe për të mbajtur gjallë shkëmbimin shkencor me sektorët përkatës të Qendrës Studimore Albanologjike (QSA) dhe me Akademinë e Shkencave, një pjesë e lëndëve mësimore është dhënë e vazhdon të jepet nga punonjës shkencorë, figura të njohura të fushës si Prof. S. Mansaku, Akademik K.Topalli, Prof/as.dra. A. Omari, Akademik S. Hamiti, Prof. Ali Xhiku, Akademik Jorgo Bulo,   prof. Sh. Sinani, Prof. Laura Smaqi etj. Me këto institucione DGjSH dhe DL kanë pasur një bashkëpunim të ngushtë e të vazhdueshëm, jo vetëm për faktin se punonjës shkencorë të tyre kanë një përvojë gati 25-30 -vjeçare mësimdhënieje te ne, por edhe se të gjitha veprimtaritë shkencore, si dhe shumë nga strategjitë për të ruajtur e zhvilluar gjuhën shqipe janë hartuar së bashku. Gjithashtu ne DGJ (në nivelin Master) japin mësim prof. F. Altimari, G. Belluscio, G. Turano,  (Itali), Dr. B. Kabashi (Gjermani)

Objektivat e DL dhe DGJ, pavarësisht veçanësisë së tyre, kanë qenë gjithmonë në përputhje me objektivat e Fakultetit të Historisë e të Filologjisë, i cili ka ndjekur politikat afatgjata e afatshkurtra  të zhvillimit të Arsimit tonë të Lartë.

Shpërnda lajmin: