Galeria e fotove 2018


<< Viti 2016 Viti 2017 << Viti 2019 <<

Forumit "Humanities" me regjisorët Rubert Budina dhe Kastriot Çipi
Lektorja e Universitetit Aristoteli të Selanikut leksion me temë "Iluminizmi grek në prag të Revolucionit të 1821"
Lektorja e Universitetit Aristoteli të Selanikut leksion me temë "Iluminizmi grek në prag të Revolucionit të 1821"

Sot në ambientet e FHF, me studentët e historisë, lektorja e Universitetit Aristoteli të Selanikut, prof.as.dr. Eleftheria Mantha. Një temë tejet interesante; “Iluminizmi grek në prag të Revolucionit të 1821-shit”, ngjalli kërshërinë e studentëve dhe pedagogëve të pranishëm.

Nga Ceremonia e Diplomimit të studentëve 2017-2018
Nga Ceremonia e Diplomimit të studentëve 2017-2018

Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë organizoi ditën e enje, datë 15.11.2018, ora 12:00, në “Amfiteatrin e Tiranës”, (Teatri i Hapur) Parku i Madh i Liqenit Tiranë, Ceremoninë e Diplomimit të Studentëve për vitin akademik 2017-2018, të ciklit të parë Bachelor dhe ciklit të dytë Master.

Leksion i prof. George Kastner me temën “Europa Qendrore 1848-2008 dhe lidhjet historike mes rajonit"
Leksion i prof. George Kastner me temën “Europa Qendrore 1848-2008 dhe lidhjet historike mes rajonit"

Me ftesë të Departamentit të Historisë të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë sot studentët e vitit te tretë, dega Histori patën mundësinë të kenë në auditor lektorin austriak nga Universiteti i Andrassi Budapest , prof. George Kastner. Tema e leksionit ishte “Evropa Qendrore 1848-2008 dhe lidhjet historike mes rajonit", dhe ngjalli mjaft interesin e studentëve dhe lektorëve të pranishëm. Auditori pati një leksion interaktiv me diskutime nga studentët edhe mbi ngjashmeritë e rastit hungarez dhe atij shqiptar në modernitet.

Leksion i hapur nga Ambasadori i Republikës së Turqisë z. Murat Ahmet Yörük
Leksion i hapur nga Ambasadori i Republikës së Turqisë z. Murat Ahmet Yörük

Në datën 6 Nëntor 2018, në ambientet e Fakultetit të Historisë e të Filologjisë së UT-së, studentët e Degës së Historisë së të tre niveleve, ndoqën një leksion të hapur nga Ambasadori i Republikës së Turqisë z. Murat Ahmet Yörük. Fokus i leksionit ishte “Politika e jashtme e Turqisë në erën globale”. Me eksperiencën e shkëlqyer si mësimdhënës, z. Yörük pati interesin e studentëve të historisë që i drejtuan pyetje rreth temave të diskutuara. Ambasadori ndaloi veçanërisht në politikën turke në drejtim të zgjidhjes së krizës humanitare (rasti i refugjatëve sirianë), si dhe në krijimin e Komisionit të Lartë me ekspertë turq e shqiptarë, qè e kthen vendin në partner strategjik të Turqisë. Ky aktivitet pati mbështetjen e dekanit Prof. dr. Sabri Laçi dhe zv/dekanit Prof. asoc.Ermal Baze. Aktiviteti u moderua nga Shefja e Departamentit të Historisë, Prof.asoc. Eva Tafili. Gjithashtu Ambasadori Yörük u prit në dekanat, ku së bashku me Dekanin Prof. dr. Sabri Laçi, zv/dekanin Prof. asoc. Ermal Baze, Shefen e Departamentit të Historisë Prof. asoc. Eva Tafili dhe pedagogen Prof. asoc. Lindita Xhanari, diskutoi mbi rëndësinë e bashkëpunimeve në nivel universitar dhe nevojën e forcimit të tyre.

Profesor Nikolla Pano takim me studentët e vitit të parë Bachelor të degës së Historisë
Profesor Nikolla Pano takim me studentët e vitit të parë Bachelor të degës së Historisë

Në datën 05. 11. 2018 studentët e vitit të parë Bachelor, të degës së Historisë, në fakultetin tonë, patën një leksion të hapur me profesorin e shquar shqiptaro – amerikan, Nikolla Pano. Leksioni pati në fokus vlerën e historisë si shkencë në shoqëritë teknologjike. Interesi i studentëve ishte i madh për tema si: diaspora shqiptare e Amerikës, organizimi dhe kontributi i saj në dobi të çështjes kombëtare shqiptare,  figurat dhe personalitetet më të rëndësishme të saj etj. Gjithashtu, interes dhe pyetje nga studentët pati edhe në lidhje me politikën e jashtme të presidentit amerikan, Donald John Trump.

Përpara fillimit të leksionit prof. Nikolla Pano zhvilloi takimin e mirëseardhjes me dekanin e FHF – së, prof. dr. Sabri Laçi.

Kumtesa të konferencës ndërkombëtare albanologjike kushtuar 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut
Kumtesa të konferencës ndërkombëtare albanologjike kushtuar 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut

U zhvillua në datat 1 – 2 nëntor në ambientet e Pallatit të Kongreseve sesioni përmbyllës i Konferencës Ndërkombëtare Albanologjike (9 maj – 2 nëntor, 2018) kushtuar 550 – vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, kohës në të cilën jetoi dhe gjurmëve që la në histori. Të pranishëm dhe pjesëmarrës në sesionin përmbyllës ishin personalitete të njohura të fushës akademike, studiues vendës dhe të huaj (nga Italia, Greqia, Maqedonia, USA dhe Kina), si dhe mjaft studentë të Departamentit të Historisë, nga të dy ciklet e studimit (Bachelor: viti I, II, III, Master i Shkencave në Histori: viti II dhe Master Profesional Arkivistikë: viti II). Nën kujdesin e dekanit të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, prof. dr. Sabri LAÇI, fakulteti ynë u përfaqësua nga studiues dhe pedagogë të Departamentit të Historisë dhe Departamentit të Letërsisë.

Nga takimi për prezantimin e modulit “Arkivi online”
Nga takimi për prezantimin e modulit “Arkivi online”

Më datë 30.10.2018, në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të UT-së u prezantua Moduli “Arkivi online”, i cili mundëson që çdo dokument të shfrytëzohet nga kompjuteri apo celulari i gjithsecilit.

Pedagogë të FHF-së në Kongresin II të Studimeve Osmane OSARK
Pedagogë të FHF-së në Kongresin II të Studimeve Osmane OSARK

Pedagogë të fakultetit tonë morën pjesë në Kongresin II të Studimeve Osmane, që i zhvilloi punimet më 17– 20 tetor 2018, në Tirana Internacional Hotel, në Tiranë. Kongresi erdhi si rezultat i bashkëpunimit të Departamentit të Historisë së Fakultetit të Historisë e të Filologjisë me Departamentin e Historisë të Universitetit të Sakarjas dhe Institutin e Historisë Turke në Turqi. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Ambasadori i Republikës së Turqisë Murat Ahmet Yörük, Drejtori i Institutit të Historisë Turke në Ankara Prof. dr. Refik Turan, personalitete shkencore dhe studiues të ardhur nga 12 vende të ndryshme të botës.

Nga ceremonia në ditën e parë të vitit akademik 2018-2019 në FHF
Nga ceremonia në ditën e parë të vitit akademik 2018-2019 në FHF

Më 15.10.2018, në IAL-të e Republikës së Shqipërisë nisi viti i ri akademik. Për të përshëndetur studentët dhe stafet akademike në këtë ditë të shënuar, në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të UT-së erdhi Znj. Lindita NIKOLLA, Ministre e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë dhe Prof. dr. Mynyr KONI, Rektor i Universitetit të Tiranës.

Viti i dytë i Departamentit të Historisë gjatë ekspeditës mësimore
Viti i dytë i Departamentit të Historisë gjatë ekspeditës mësimore

Nga dt. 9 – 22 qershor 2018, Departamenti i Historisë i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës zhvilloi ciklin e ekspeditave mësimore në qendra muzeore dhe site historike e arkeologjike të vendit, në kuadër të programi mësimor të sistemit Bachelor. Ekspeditat kishin për qëllim njohjen nga afër të studentëve me dëshmitë historike dhe trashëgiminë kulturore të popullit tonë përgjatë shekujve. Me këtë rast, i shprehim falenderime Ministrisë së Kulturës për mbështetjen e dhënë në realizimin e vizitave të studentëve tanë në institucionet e trashëgimisë kulturore të vendit.

Viti i parë i Departamentit të Historisë gjatë ekspeditës mësimore
Viti i parë i Departamentit të Historisë gjatë ekspeditës mësimore

 Nga dt. 9 – 22 qershor 2018, Departamenti i Historisë i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës zhvilloi ciklin e ekspeditave mësimore në qendra muzeore dhe site historike e arkeologjike të vendit, në kuadër të programi mësimor të sistemit Bachelor. Ekspeditat kishin për qëllim njohjen nga afër të studentëve me dëshmitë historike dhe trashëgiminë kulturore të popullit tonë përgjatë shekujve. Me këtë rast, i shprehim falenderime Ministrisë së Kulturës për mbështetjen e dhënë në realizimin e vizitave të studentëve tanë në institucionet e trashëgimisë kulturore të vendit.

Faktoje.al takim me studentë të gazetarisë në FHF
Faktoje.al takim me studentë të gazetarisë në FHF

 Stafi i gazetarëve të Faktoje.al zhvilloi sot një takim me studentë të gazetarisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë për të prezantuar median më të re fact-check në Shqipëri. Faktoje.al është një media e cila merret me verifikimin e deklaratave të dhëna nga politikanë, zyrtarë të lartë, institucione të rëndësisë së lartë etj. Faktoje.al u referohet gjithmonë burimeve të para dhe verifikon deklarata në të gjitha nivelet e jetës publike për vërtetësi. Gazetarët e Faktoje.al u shprehën përpara studentëve se janë të hapur për bashkëpunime, të cilat do të çojnë më pas në rezultate më frytdhënëse dhë përfitime profesionale për të dyja palët. 

Në takim mori pjesë prof. Scott Talan, profesor në Departamentin e Komunikimit, Universiteti Amerikan, Uashington D.C. Në fjalën e tij ai theksoi se “Kam besim të plotë tek Faktoje.al, por mbi të gjitha kam besim tek imazhi (ikona) e gomarit në këtë faqe interneti, për të cilën besoj se shumë shpejt do të kthehet në një meme, do të kthehet në një trend. Bëhuni edhe ju pjesë e ‘’Faktoje’’, pasi është shumë mirë të monitorosh dhe të verifikosh politikanët. Gazetarët e “Faktoje” janë pak më të mëdhenj se ju në moshë, por ju garantoj së janë shumë të zotë në punën që bëjnë. Në të ardhmen ata do të jenë udhëzuesit tuaj se si mund të punoni në gazetarinë fact-check”. Studentët e gazetarisë ishin shumë të interesuar për të ditur më shumë edhe rreth eksperiencave të huaja të fact-chek.

25 Maj 2018 - Workshopi me temë "Trashëgimia Kulturore e Diktaturës: Një zgjerim i Debatit"
25 Maj 2018 - Workshopi me temë "Trashëgimia Kulturore e Diktaturës: Një zgjerim i Debatit"

Në datën 25 Maj në Departamentin e Arkeologjisë dhe Trashëgimisë se Kulturës u organizua Workshop me temë ‘Trashëgimia Kulturore e Diktaturës: Një zgjerim i Debatit ’. Nëpermjet tij synuam të sjellim në mjedisin akademik të gjitha grupet e interesit të lidhura me këtë çështje për të evidentuar problematikat kryesore dhe qasjet e ndryshme ndaj tyre. Përfaqësues të debatit publik, organizatave jo-qeveritare, Ministrisë së Kulturës dhe botës akademike diskutuan lidhur me gjendjen e sotme të kësaj kategorie të Trashëgimisë së Kulturës dhe gjithë perspektivat lidhur me studimin, ruajtjen dhe promovimin e saj.

Nga ekspeditat e Departamentit të Gjeografisë 2018
Nga ekspeditat e Departamentit të Gjeografisë 2018

Kërkimi i aplikuar në terren (ekspedita), për nivelin e studimeve Bachelor Gjeografi ne Universitetin e Tiranes, u zhvillua gjatë periudhës 12.05.2018-18.05.2018, në rajone të ndryshme të vëndit. Studentet e programit Bachelor, Departamenti i Gjeografisë, studiuan zona dhe dukuri te ndryshme fizike, mjedisore, sociale, dhe ekonomike. Disa nga objektet kryesore të punës së tyre aplikative në terren ishin Shpella e Pëllumbasit në Tiranë, Lugina e Valbonës në Bajram Curri, Laguna e Patokut, Burimet e Drilonit, Lini dhe Liqeni i Ohrit, Qafa e Priskes dhe Ujrara e Shëngjergjit në Tiranë, Liqeni i Fierzës dhe qyteti i Kukësit, etj.

Në programin Bachelor kërkimi i aplikuar në terren zhvillohet 7 ditë dhe konsiston kryesisht në njohjen dhe studimin e fenomeneve gjeografike në  rajone të caktuara gjeografike të vendit tone. Kjo praktikë është kryesisht stacionare dhe orientohet  në studimin e problemeve të veçanta mbi faktoret dhe kushtet fiziko-gjeografike, etj, të mjedisit gjeografik, mbi zhvillimin demografik, ekonomik, social,  etj që hasen në zona të caktuara të vendit tonë.

Leksion me rastin e 100 vjetorit të Republikës së Azerbajxhanit
Leksion me rastin e 100 vjetorit të Republikës së Azerbajxhanit

Me rastin e 100 vjetorit të Republikës së Azerbajxhanit në datën 22.05.2018 në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë u mbajt një leksion nga i ngarkuari me punë i Republikës së Azerbajxhanit z. Eldar Aliyev me temë “Historia e Republikës Demokratike të Azerbajxhanit në vitet 1918- 1920”. Takimi u përshëndet nga dekani i FHF, Prof.dr. Sabri Laçi dhe zv.rektori i Universitetit të Tiranës, Dr. Gentiana Kera.  Pas z. Aliyev, studiuesja e historisë Entela Muça foli për “100 vite pavarësi të Azerbajxhanit – histori suksesi”. Aktiviteti u ndoq me shumë interes nga pedagogët dhe studentët e degës së Historisë, të cilët morën pjesë në diskutime dhe pyetje rreth kësaj teme. Ky aktivitet është edhe një mundësi e bashkëpunimit të mëtejshëm arsimor mes dy vendeve.

Leksione me studentët e Historisë nga Prof.dr. Nicolas Patin
Leksione me studentët e Historisë nga Prof.dr. Nicolas Patin

Në datat 8, 9 dhe 10 maj prof.dr. Nicolas Patin nga Universiteti Bordeaux Montaigne, zhvilloi leksione me studentët e Historisë në nivelet Bachelor dhe Master dhe me studentët e Institutit të Studimeve Evropiane.

Temat mbi të cilat prof. Patin mbajti leksionet ishin:

  1. Bashkimi Evropian, vështrim nga pikëpamja gjermane;
  2. Një analizë e re mbi ardhjen në pushtet të nazizmit në Gjermani;
  3. Një këndvështrim ndryshe i historisë së Bashkimit Evropian. 

Nga ana e studentëve pati një interes të madh për çështjet në fjalë, gjë që u reflektua edhe mbi pyetjet dhe diskutimet përgjatë këtyre takimeve.

Vizitë studimore në Universitetin Aristoteli të Selanikut
Vizitë studimore në Universitetin Aristoteli të Selanikut

Në datat 25.04.18-29.04.18, një grup studentësh dhe lektorësh të Departamenteve Histori dhe Arkeologji e Trashëgimi Kulturore, zhvilluan një vizitë studimore në Universitetin Aristoteli të Selanikut, Greqi. Vizita u mbështet nga Ambasada e Republikës së Greqisë në Shqipëri, nën kujdesin e veçantë të z. Antonis Papamalis.

Gjatë vizitës katër ditore, studentët patën rastin të vizitojnë site të ndryshme historike dhe arkeologjike të Selanikut. Vizita e tyre nisi me sitin arkeologjik të Vergines Aigai, Varri i Filipit të II-të. Më pas studentët vizituan Muzeun Arkeologjik të Selanikut dhe atë të periudhës bizantine. Dita e tretë e vizitës së tyre ishte në ambientet e Universitetit Aristoteli të Selanikut, Fakulteti i Filozofisë dhe ambientet e Bibliotekës së Departamentit të Historisë dhe Arkeologjisë.

Ndërkaq, lektoret e shoqëruar nga profesoresha e Historisë  Moderne, znj Eleftheria Manta (e cila ishte pjesë integrale e gjithë vizitës studimore përgjatë gjithë kohës me ekspertizën e saj), u takuan me dekanin e Fakultetit të Filozofisë z. Dimitrios Mavroskoufis dhe me shefin e departamentit të Historisë dhe Arkeologjisë, z. Emmanouil Voutyra. Studentet patën rastin të vizitojnë edhe muzetë e brendshëm të Fakultetit të Filozofisë si edhe muzeun arkeologjik dhe atë etnografik, të Universitetit Aristoteli. Udhëtimi u përmbyll me vizitat në Torren Veneciane dhe në Kalanë e Selanikut.

Forumi “Humanities” mbi botimin në gjuhën gjermane të librit të Marlin Barletit “Rrethimi i Shkodrës”
Forumi “Humanities” mbi botimin në gjuhën gjermane të librit të Marlin Barletit “Rrethimi i Shkodrës”

Sot në Forumin “Humanities” me Prof.Asoc.Dr Florian Schaffenrath dhe Mag. Stefan Zathammer nga Universiteti i Insbrukut u diskutua mbi botimin në gjuhën gjermane të librit të Marlin Barletit “Rrethimi i Shkodrës”, kontributin e Marin Barletit në humanizmin evropian si edhe perspektivat dhe mundësitë në fushën e studimeve neo-latine. Faleminderit studentëve dhe pedagogëve që me pjesmarrjen dhe angazhimin e tyre kontribuan në një bisedë shumë interesante dhe të frytshme. 

Një bashkëpunim i suksesshëm me Profesor John Kiousopoulos

Në kuadër të projektit  Erasmus+ për mobilitet të stafit akademik, në Departamentin e Gjeografisë nga data 11 Prill – 13 Prill 2018,  Profesor John Kiousopoulos nga Universiteti i West Attica, Greqi. Ai ka nje karrierre të gjatë në mësimdhënie dhe veprimtari shkencore, si: Arkitekt Inxhinier, Planifikues Urban dhe Hapësinor, Inxhinierik, Shef i Laboratorit të Analizës Hapësinore,  Anëtar i Bordit të Shoqatës së Planifikuesve Urbanë dhe Rajonal të Greqisë. Ishte një bashkëpunim i suksesshëm, ku studentët ishin shumë të interesuar dhe aktiv gjatë trajtimit të tematikave të trajtuara në leksione të zhvilluara në ciklin e studimeve Bachelor, Master Profesional dhe Master Shkencor. Program axhenda dhe tematikat e zhvilluara në leksione si mëposhtë:

“Urban Planning” – 11 Prill 2018

 “Calculating Human Impact Along Coastal Areas” – 11 Prill 2018

 “Marine Spatial Planning”- 12 Prill 2018

 “Spatial Planning” -  13 Prill 2018

Përtej bashkëpunimit tonë të përgjithshëm shkencor, u shqyrtuan  mundësi  zgjerimi për hulumtime (dokumente / projekte të përbashkëta).

FHF - Ligjëratë me temë “Media, gazetaria, demokracia dhe transformimi i opinionit publik”
FHF - Ligjëratë me temë “Media, gazetaria, demokracia dhe transformimi i opinionit publik”

Në ambientet e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë u mbajt sot ligjërata me temë “Media, gazetaria, demokracia dhe transformimi i opinionit publik” nga dr. Wiebke Loosen (Instituti për Kërkimin në Media “Hans Bredow”, Hamburg). Ky takim u moderua nga prof. dr. Artan Fuga. Pjesë e panelit të diskutimit ishin Kryetari i Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA) z. Gentian Sala si edhe eksperti i medias z. Lutfi Dervishi, ndërsa fjalën përshëndetëse e mbajti Dekani i Fakultetit prof.dr. Sabri Laçi.

Dr. Wiebke Loosen  theksoi funksionin integrues të medias, ku nga njëra anë ka për detyrë të mbledhë dhe të shpërndajë temat e nga ana tjetër i duhet të mundësojë pluralizmin e mendimeve në një mjedis, ku flukset janë të pakufishme;

Media dhe gazetaria - theksoi dr. Wiebke Loosen zhvillohen varësisht kushteve, ku ato operojnë. Një sistem mediatik kushtëzohet nga politikat e vendit ku ndodhet dhe nga kushtet sociale, kulturore të popullsisë së atij vendi. Pra, media gjermane – vijoi ajo, operon varësisht kushteve të Gjermanisë dhe nuk mund të implementohet njësoj sin ë Shqipëri.

Një pikë tjetër e rëndësishme ku dr. Loosen u ndal ishte edhe trajtimi i tendencave të qeverive për të futur në dorë mediat. Ajo përmendi rastin e blerjes së grupit “Dogan” nga njerëz të afërt të Erdoganit, apo edhe rasti i Wechat në Kinë, ku shteti është në dijeni të çdo komunikimi.

Në fund dr. Loosen u ndal te gazetaria investigative, e cila është e vështirë për t`u zhvilluar në kushtet ku operojmë. Gazetaria e sotme është ajo e deklamimit dhe përcjelljes ashtu siç janë të njoftimeve dhe deklaratave për media.

Nga leksioni i hapur: "Kërkimi shkencor në kuadër të një shoqërie dinamike"
Nga leksioni i hapur: "Kërkimi shkencor në kuadër të një shoqërie dinamike"

Si pjesë e projektit të përbashkët të Departamentit të Historisë dhe Perform Helvetas të titulluar "Kërkimi shkencor në kuadër të një shoqërie dinamike", në datën 22 shkurt është organizuar në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë leksioni i profesorit dhe historianit të njohur Bernd Fischer. Profesor Fischer prezantoi temën "Sfidat metodologjike në trajtimi e historisë së Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri". Leksioni u ndoq me interes nga studentë e pedagogë të FHF.

Nga leksionet e shkollës dimërore "Lidhjet austro-shqiptare"-2
Nga leksionet e shkollës dimërore "Lidhjet austro-shqiptare"

Në ditën e parë të Shkollës Dimërore, "Lidhjet austro-shqiptare", 25 studentë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, por dhe të fakulteteve të tjera të Universitetit të Tiranës ndoqën leksionet e programuara të shkollës. Në ceremoninë e hapjes morën fjalën përshëndetëse Dekani i FHF, Prof. Dr Sabri Laçi, Ambasadori i Republikës së Austrisë, Dr. Johann Sattler si dhe Shefja e Departamentit të Historisë, Prof. Dr. Asoc. Eva Hyskaj, të cilët pasqyruan bashkëpunimin shkencor midis Fakultetit, Departamentit të Historisë dhe Ambasadës së Austrisë në Tiranë në kuadër edhe të Vitit Austri-Shqipëri, që Ministria e Jashtme austriake ka shpallur 2018.

Në kuadër të leksioneve, Dr. Enriketa Papa-Pandelejmoni lektoroi mbi “Politikën dhe Interesat austro-hungareze në trevat shqiptare gjatë shek. XIX-1918” si dhe mbi “Marrëdhëniet diplomatike Austri-Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit”. Ndërsa Dr. Kurt Gostentschnigg lektoroi mbi tematikën e “Shkenca mids Politikës dhe Ushtrisë. Albanologjia austro-hungareze 1867-1918/Wissenschaftim Spannungsfeld von Politik und Militär. Die österreichisch-ungarische Albanologie 1867-1918”, tematikë e zgjeruar imtësisht edhe në botimin e fundit të Dr. Gostenschnigg po me të njëjtin titull.

Nga promovimi i librit të Elena Gjikës “Shqiptarët në Rumani - Historia e princërve Gjikaj në shek. XVII, XVIII dhe XIX”
Nga promovimi i librit të Elena Gjikës “Shqiptarët në Rumani - Historia e princërve Gjikaj në shek. XVII, XVIII dhe XIX”

Në fjalën e hapjes Dekani i FHF, prof.dr. Sabri Laci vlerësoi figurën e Elena Gjikës si dhe botimin në shqip të “Shqiptarët në Rumani” duke theksuar faktin se ky libër është një kontribut i rëndësishëm për njohjen e periudhës së Rilindjes, jashtë kufijve.

Ambasadori i Rumanisë në Republikën e Shqipërisë Sh.T.Z. Mircae Perpelea, në fjalën e tij theksoi konsideratën e lartë që ka populli rumun për familjen e njohur të Gjikajve, si edhe bashkëpunimin e madh kulturor mes dy popujve. Ai përmendi që kjo familje ka nxjerrë 25 drejtues të lartë politikë gjatë Rilindjes dhe ka kontribuar fuqishëm në vetëdijen kombëtare rumune. Po ashtu, ambasadori Pirpelea shprehu vlerësimet e larta për Elena Gjikën, intelektualen e dimensionit evropian të shek. XIX.

Prof.as.dr. Eva Hyskaj në analizën e saj për librin theksoi se Arkitektura e punimit e konceptuar me 9 krerë në një vëllim prej 355 faqesh harmonizohet në mënyrë dinamike në funksion të evidentimit të modelit politik dhe administrativ që përfaqësonin principatat e vllahisë e moldavisë për t’u lidhur me mekanizmat shtytës të këtij funksioni dhe në territorin ballkanik, politika e të cilit ndikohej sigurisht edhe nga familja dinastike e Gjikajve.

Deri në vitet 1700, (sic përshkruhet në pjesën Rumania para fanariotëve) identiteti personal i rumunëve përcaktohej nga vendbanimi (fshati), feja (ortodokse apo myslimane) dhe klasa (bujar apo fshatar). Ndërgjegjësimi për identitetin etnik u rrit si rrezultat i ndikimit të faktorëve të jashtëm e të brendshëm. Hapi i parë ishte ndërgjegjësimi për konfliktin me grekët fanariotë.

Në këtë liber, autorja  i kushton vëmendje jo thjesht interesit politik, por edhe kuptimit e veprimit të vektorëve që asistuan procesin e krijimit te shtetit duke ndalur tek fakti qe Revolucioni grek kishte një ndikim të madh mbi Rumaninë. Ngjarjet e 1821-shit treguan haptas që bujarët rumunë kujdeseshin për interesat e tyre dhe nuk synonin ta ndërronin sundimin turk me atë grek.

Brenda këtij libri pjesë e shqyrtimit janë edhe aspektet e fqinjësisë, duke faktuar përparësitë dhe mangësitë e familjes dinastike në marrëdhëniet mes vedi e me fqinjët.

Në fund te librit, trajtohet struktura administrative etnike dhe dinastike e shtetit, ku hyn në lojë edhe territori si aspekt me peshë  i kombit..

Prof.as.dr. Mark Marku në fjalën e tij u përqëndrua kryesisht në aspektin publicistik të punës së Elena Gjikës, marrëdhëniet e saj më emrat më të njohur të Rilindjes shqiptare dhe sidomos kontributin e intelektualëve shqiptarë të cilët botuan jo vetëm vëprat e tyre në Rumani, por po ashtu edhe zhvillimin e shtypit shqiptar në Rumani. 

Kërkimi shkencor në kuadër të një shoqërie dinamike
Kërkimi shkencor në kuadër të një shoqërie dinamike

Këtë javë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë, në kuadër të projektit "Kërkimi shkencor në kuadër të një shoqërie dinamike" ishin të ftuara Prof. Christina Kuoulouri nga Universiteti Panteon i Athinës dhe Prof.Dubravka Stojanovic nga Universiteti i Beogradit. Prof.Koulouri prezantoi temën me titull "Çarmatosja e historisë në Ballkan: Mësimdhenia e ngjarjeve traumatike dhe ceshtjeve te mprehta. Ndërsa Prof.Stojanovic prezantoi temen"Si mund të ndihmojë në pajtimin etnik, mësimdhenia e historisë në ish-Jugosllavi".

 

Shpërnda lajmin: