Të drejtat dhe detyrat e studentit
Studenti ka të drejtë:
1. Të ndjekë leksione, seminare dhe të gjitha veprimtaritë e tjera mësimore, të organizuara në përputhje me statusin e tij;
2. Të përdorë mjedise në biblioteka, salla kompjuterash dhe shërbime të tjera që ofrohen për studentët nga universiteti;
3. Të zgjedhë dhe të zgjidhet në organet drejtuese, Senat Akademik, Këshill Administrimi të UT, në këshillat e fakulteteve/instituteve, në përputhje me ligjin për arsimin e lartë dhe Statutin e Universitetit;
4. Të përfitojë bursë studimi brenda ose jashtë shtetit, kur plotëson kushtet e përcaktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave, të Senatit e në marrëveshjet ndërshtetërore ose ndëruniversitare;
5. Të organizohet në shoqata të ndryshme jo politike, në përputhje me aktet ligjore e nënligjore përkatëse;
6. Të strehohet në konviktet e Universitetit, nëse nuk ka mundësi tjetër strehimi;
7. Të shprehë opinionin e tij për cilësinë e mësimdhënies dhe punën e personelit akademik të Universitetit.
Detyrat
Studenti është i detyruar:
1. Të njohë me hollësi rregulloren e fakultetit e detyrimet që lindin dhe të jetë i vetëdijshëm për zbatimin e tyre; në të kundërt shkolla nuk mban përgjegjësi për pasojat që mund të rrjedhin nga mosnjohja e tyre;
2. Të zbatojë të gjitha rregullat që rrjedhin nga ligji për arsimin e lartë, aktet nënligjore të dala në zbatim të tij, Statuti dhe Rregullorja e Universitetit të Tiranës;
3. Të respektojë Kodin e Etikës të UT dhe fakultetit;
4. Të shlyejë të gjitha detyrimet e përcaktuara në planin mësimor dhe programet e lëndëve;
5. Të mbajë përgjegjësi për shkeljet e rregullave të shkollës nga ana e tij, dëmi material që ai mund të ketë bërë, zhdëmtohet në masën që e gjykon dekanati.