Nga ceremonia e mbylljes së Shkollës Verore të Gjuhës, Historisë dhe Civilizimit Bizantin


Në 27 korrik 2021, përfundoi rrugëtimin e saj nëntë ditorë 𝐒𝐡𝐤𝐨𝐥𝐥𝐚 𝐕𝐞𝐫𝐨𝐫𝐞 𝐞 𝐆𝐣𝐮𝐡𝐞̈𝐬, 𝐇𝐢𝐬𝐭𝐨𝐫𝐢𝐬𝐞̈ 𝐝𝐡𝐞 𝐂𝐢𝐯𝐢𝐥𝐢𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐁𝐢𝐳𝐚𝐧𝐭𝐢𝐧. Shkolla verore u organizua nga Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë i Universitetit të Tiranës, nën kujdesin e Ambasadës së Greqisë në Tiranë dhe me mbështetje të Fondacionit Alexander S. Onassis dhe National Bank of Greece Cultural Foundation. Në shkollën verore morën pjesë 40 studentë nga Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë (Departamentet e Historisë, Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore, Gjuhësisë, Gjeografisë, Gazetarisë), Shkencave Politike, Shkencave Sociale, Fakultetit të Drejtësisë, Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Universitetit të Arteve (Arte pamore, Art-design, Artet figurative, Skulpturë), Fakultetit i Arkitekturës dhe Urbanistikës, etj.

Gjatë ceremonisë së mbylljes dhe ndarjes së certifikatave, Rektori i Universitetit të Tiranës, prof. dr. Artan Hoxha, shprehu përgëzime për studentët që ndoqën shkollë verore dhe falënderime për mbështetjen e Ambasadës së Greqisë në Tiranë dhe, në veçanti, për ambasadoren, Shkëlqesinë e saj, znj. Sophia Philippidou, me të cilën kanë ndarë plane për të forcuar bashkëpunimin mes Universitetit të Tiranës dhe universiteteve greke. “Kjo shkollë verore, po ashtu është një shembull shumë i mirë i misionit dhe i nismës sonë për të realizuar ndërkombëtarizimin e programeve të studimit ”, u shpreh Rektori Hoxha.
Përfaqësuesit e Ambasadës së Greqisë në Tiranë, znj. Stavroula Pentarvani, Këshilltare e Parë dhe z. Panagiotis Anagnostopoulos, Sekretar i Ambasadës, shprehën përgëzimet e tyre për mbylljen me sukses të shkollës verore dhe ndanë vlerësime të larta për nivelin e organizimit dhe ecurinë e saj. Në emër të znj. Ambasadore ata shprehën vullnetin për të intensifikuar bashkëpunimet në të ardhmen në fushën akademike.
Në emër të Dekanatit të FHF-së dhe të dekanit prof. dr. Sabri Laçi, zvendësdekania dr. Elsa Skënderi Rakipllari, falënderoi përfaqësuesit e Ambasadës së Greqisë dhe Fondacionet mbështetëse të shkollës verore si dhe përgëzoi studentët për përkushtimin me të cilin e kanë ndjekur këtë rrugëtim. Dr. Skënderi në mënyrë të posaçme shprehu falënderime e përgëzime për Departamentin e Historisë, me në krye prof. dr. Valentina Dukën, i cili është ndër departamentet më aktive për sa i takon organizimit të shkollave verore, që janë një mundësi e shtuar për studentët tanë. Po ashtu, në emrin e të gjithë të pranishmëve, dr. Skënderi falënderoi kolegun Andi Rembeci, për punën e shkëlqyer si drejtues i kësaj shkolle verore, por edhe për përkushtimin e vazhdueshëm për punët e përbashkëta në Fakultetin tonë.
Përgjegjësja e departamentit të Historisë, prof. dr. Valentina Duka, u shpreh e emocionuar për përmbylljen e kësaj shkolle verore dhe tha se synohet që kjo traditë e organizimit të shkollës verore të Gjuhës, Historisë dhe Civilizimit Bizantin të vijohet edhe më tej.
Studentët dhe të pranishmit i përshëndeti përmes lidhjes online edhe prof. Agamemnon Tselikas, i cili me kujdes shkencor, thjeshtësi dhe durim ndau me studentët tanë dijen dhe dashurinë për gjuhën, historinë dhe civilizimin bizantin.
Në fund pjesëmarrësit patën mundësi të shihnin nga afër ekspozitën me fotografi të studentëve, që kishte për objekt elementet më domethënëse të trashëgimisë kulturore dhe civilizimit bizantin dhe pasbizantin në vendin tonë, sipas perspektivës së fushës së tyre të studimit.
Certifikatat e pjesëmarrjes iu ndanë studentëve nga Rektori i UT-së, prof. dr. Artan Hoxha, përfaqësuesit e Ambasadës së Greqisë në Tiranë, Zëvendësdekania e Fakultetit, dr. Elsa Skënderi, Përgjegjësja e Departamentit të Historisë, prof. dr. Valentina Duka, drejtori i shkollës verore Andi Rembeci si dhe nga profesorë të tjerë, kontribuues në shkollë.
Falënderime shkojnë për Dekanin e Fakultetit tonë, prof. dr. Sabri Laçin, për mbështetjen e tij të plotë në organizimin e shkollës, për Shefen e Departamentit të Historisë, prof. dr. Valentina Dukën për ndihmën e pakursyer dhe bashkëpunimin cilësor, për Ambasadën e Greqisë në Tiranë (Greece in Albania-Greqia në Shqipëri) për kujdesin dhe përkrahjen e ofruar, për Fondacionin Alexander S. Onassis dhe National Bank of Greece Cultural Foundation për mbështetjen e çmuar të tyre financiare dhe akademike në realizimin e shkollës verore, për Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, Muzeun Historik Kombëtar, Muzeun Arkeologjik në Durrës, Muzeun Etnografik dhe Muzeun Kombëtar Ikonografik “Onufri” në Berat, që hapën dyert me bujari për studentët e shkollës sonë, për Ministria e Kulturës për mbështetjen e dhënë në realizimin e vizitave të studentëve në vendet e trashëgimisë sonë historike e kulturore, për stafin e brendshëm dhe të jashtëm akademik që për të tretin vit rresht ishin pjesë thelbësore e shkollës verore dhe për Administratoren e FHF-së, znj. Parashqevi Pogaçe dhe të gjithë stafin administrativ të Fakultetit, që u përkujdesën që gjithçka të funksiononte në mënyrë të përsosur.

Së fundmi, por jo nga rëndësia falënderojmë dhe i shpreh mirënjohje paleografit dhe bizantologut të shquar ndërkombëtarisht, profesor Agamemnon Tselikas, i cili për të katërtin vit ka qenë pjesë e pandashme e rrugëtimit të shkollës sonë verore.


Shpërnda lajmin: