27.5.2025

FHF: Ditë Alumni në Departamentin e Gjeografisë


U zhvillua me sukses tryeza e rrumbullakët me fokus Alumni GIS, historitë e tyre të suksesit dhe frymëzimin për studentët e rinj. Aktiviteti synoi forcimin e lidhjes mes formimit akademik dhe tregut të punës, duke prezantuar rrugët profesionale të ish-studentëve që sot kontribuojnë në institucione kombëtare dhe ndërkombëtare.

Iniciativa u organizua nga Departamenti i Gjeografisë nën kujdesin e përgjegjëses Prof. asoc. dr. Sonila Xhafa Sinjari dhe u përshëndet nga drejtues të Fakultetit, të cilët theksuan rëndësinë e orientimit profesional dhe rolit të kompetencave gjeohapësinore në zhvillimin e karrierës. U vlerësua veçanërisht edhe kontributi i Prof. dr. Pal Nikollit, themelues i GIS në Departament.

Drejtuesja e Zyrës së Karrierës, znj. Blerina Gega, prezantoi programet mbështetëse dhe partneritetet institucionale për studentët.

Në takim ndanë përvojat e tyre Alumni GIS të angazhuar në institucione publike, ushtarake, agjenci shtetërore dhe kompani ndërkombëtare private, duke sjellë shembuj konkretë se si aftësitë GIS përbëjnë një avantazh real në tregun e punës dhe në zhvillimin profesional të gjeografëve të rinj.

Të ftuarit Alumni GIS që ndanë përvojat dhe rrugët e tyre të karrierës:

▪️ Alda Ndoj – Specialiste Këshillimi në Ministrinë e Mjedisit, e cila u punësua pas një eksperience të spikatur si studente ekselence në programin e praktikave profesionale dhe të punës.

▪️ Anduel Cauli – Përgjegjës i Sektorit të Hartografisë dhe GIS në Institutin Gjeografik Ushtarak, anëtar i grupit negociator për sigurinë kombëtare detare në proceset e përcaktimit të kufijve detarë dhe njëkohësisht doktorant në Departamentin e Gjeografisë.

▪️ Anton Llufi – Specialist në Agjencinë Kombëtare të Kadastrës, me eksperiencë në menaxhimin e të dhënave gjeohapësinore.

▪️ Sibora Spahiu – Profesioniste e angazhuar në një kompani ndërkombëtare private për certifikimin e sigurisë rrugore, ku GIS luan rol kyç në vlerësimin e riskut dhe menaxhimin e infrastrukturës.


Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë - Të gjitha të drejtat e rezervuara